Kryeministri i kosovës Ramush Haradinaj nga vendlindja e tij ka goditur opozitën dhe Presidentin Thaçi. Për të parët sepse e akuzojnë që i ka dhënë territor Malit të Zi, ndërsa për Presidentin që promovon idenë e ndryshimit të kufijve, që sipas Kryeministrit është ndarje e Kosovës.
Në Gllogjan Haradinaj ka mbajtur fjalim më të ashpër se sa në përkujtimet e tjera, në të cilat ka marrë pjesë kohëve të fundit.
Ai ka komentuar zërat e opozitës që thonë se i ka falur tokë Malit të Zi, duke pranuar marrëveshjen për demarkimin e kufijve, shkruan Gazeta Express.
“Pushtetet shkojnë e vijnë. Unë i kam kaluar 12-13 vjet, jo në opozitë, jo pranë familjes, por i kam kaluar disa vjet edhe në burg. Kurrë nuk jam ligur dhe kurrë nuk kam bërë gabime në interes të atdheut, as unë e as familje ime”, ka thënë Kryeministri.
Tutje ai ka thënë se do të vijë dita kur do të skuqen ata që po veprojnë padrejtësisht në kohën kur vendi po përballet me agjendat e Vuciqit për ta ndarë Kosovën.
“Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumë prej tyre do të skuqen për ato që po i bëjnë e që janë të padrejta, në kohën kur po përballemi me Serbinë, me agjendat e Vuçiqit, me planet e tij për ta ndarë Kosovën, me planet e ndërkombëtarëve të tjerë për të na ulur kokën, goditjet që vijnë nën brez të vëllezërve dhe motrave tona nuk janë në rregull”, është shprehur Haradinaj.
Kryeministri në fund ka dërguar mesazh edhe te Presidenti që lobon për idenë e ndryshimit të kufijve ashtu që të arrihet marrëveshja me Serbinë.
“Nuk do të lejojmë të ndahet Kosova, as të preken kufijtë e Kosovës, e as toka e territori i Kosovës. Kush shkon asaj rruge e ka gabim, qoftë vëlla i yni, qoftë tjetër”, ka thënë Haradinaj.