Nikollë Lesi: Ju rrëfej si Rama, është një guzhinjer i mirë për të gatuar parti të “reja” politike në tepsinë e tij…

Saturday, 20 Prill 2019 21:46

Edi Ramën ndonëse e kritikojmë për arrogant, për pasion “tepsie” krejt për vete, për inferioritet ndaj krimit dhe të “fortëve”, për elokuent deri në përulje ndaj ndërkombëtarëve; prapë e ka dhe një meritë: ideon dhe krijon parti me diabolizëm të paparë.

Nëse do ta kishin emëruar në vitin 1998 si “Ministër të Markave të Partive” sot do të kishim pak parti, sepse i krijon, i ngatërron dhe i çorodit sa askush tjetër.

Kush e njeh Edi Ramën e di mjaft mirë se në vitin 1991 dhe përgjatë fillimvitit 1992, sapo iu mbyll dera nga Berisha për në PD, u turr dhe krijoi me një avokat të njohur, Partinë Kristian-Islamike. Nga emri ishte parti intriguese, pasi donin të thithnin votat e myslimanëve dhe krishterëve, me shumë si një joshje se sa si program.

Vetëm Edi Rama mund të ideonte parti me emër të tillë!

Asokohe të gjithë shkriheshim se qeshuri me idenë e Edi Ramës për t’ia kundërvenë Sali Berishës dhe PD-së. Duke qenë mjeshtër, Edi Rama, nuk e mori vetë kryesimin e kësaj partie Kristian-Islamike (PKI), por ia delegoi një të përsekutuari politik nga Shkodra, të cilit i shkruante fjalimet. Natyrisht që Edi Rama shkruan bukur, si dhe të redaktuara nga një avokat i njohur, fjalimet të ekzaltonin kur ia botonim këtij “kryetarit” të PKI. Por duke mos patur televizione private, ku ta shikonte publiku PKI dhe “kryetarin” shkodran, publiku nuk e dinte se ç’nivel sarkastik ishte kultura e “kryetarit”. Nuk shqiptonte asnjë fjali të plotë dhe me kuptim. Kur ia çuan në takim një zyrtari amerikan, i cili kishte kërkuar takim me disa parti politike antikomuniste, siç vetquhej PKI, ai kishte vendosur duart në kokë nga fjalët e “kryetarit” të PKI. Dhe pas asaj dite Edi Rama e mbylli partinë!

Dhe ziheshin me avokatin se pse ia çuam amerikanit këtë budalla!

Nuk vonoi dhe Rama nuk rrinte dot pa krijuar parti. Në vitin 1993, kur Azem Hajdari kishte qejfmbetje serioze me Sali Berishën, ai pra Azemi, Edi Rama dhe një avokat i njohur krijuan partinë e re me emrin NISMA E RE POLITIKE.

Ideja ishte e Edi Ramës dhe avokatit. Azemi thjesht e publikoi. Në PD u drithëruan, asokohe, pasi Azem Hajdari ishte emër i madh në politikë. Ishte trim dhe i vendosur kur mendonte se diçka duhej në të mirë të vendit.

Dhe NISMA E RE POLITIKE u shpalos në faqet e gazetës “KOHA JONE”. Edhe për hir të kësaj, por kryesisht për linjën editoriale të pavarur, gazeta u vu në shenjëstër të sulmeve të pushtetit dhe SHIK (Shërbimi Sekret Shqiptar).

Nuk vonoi dhe u mërzit edhe me këtë parti. E mbyllën dhe këtë.

Kaluan vitet e në vitin 2005 Edi Rama mori PS-në. Sapo hyri në selinë i ndryshoi ngjyrën e flamurit, i ndryshoi stemën dhe kur nuk kishte ç’të bënte tjetër vendosi ta quajë RILINDJE.

Tani sot me datë 20 prill 2019, krijoi një parti të re. E quajti “Bindja Demokratike”. Dhe ia kaloi Rudina Hajdarit.

I papërsëritshëm ky Rama! Krijon, lyen parti, i ngatërron dhe sapo mbaron punë i hedh.

Siç ka bërë me PKI, NISMA E RE POLITIKE, PS-në.

Login to post comments