Opozita do të përshkallëzojë protestat dhe formën e reagimit ndaj qeverisë që këtë javë. Edmond Spaho, nënkryetar i Partisë Demokratike deklaroi sot se të enjten protestuesit do të bllokojnë rrugët kombëtare, si formë reagimi ndaj qeverisë “Rama”.
Në një intervistë për “A2”, Nënkryetari i PD-së deklaroi se protestat do të vijojnë pa ndalim dhe në forma të reja. “Ne do të vazhdojmë me protesta dhe ato do të përshkallëzohen. Duke filluar nga e enjtja do të fillojmë me bllokimin e rrugëve, akseve kombëtare në të gjithë vendin për një periudhë kohe të caktuar, një orë. Më vonë, do të rritet edhe koha e bllokimit”,- tha Spaho.
Spaho u shpreh se qëndrimi i opozitës nuk është bojkot ndaj zgjedhjeve, por kërkesa për plotësimin e kushteve me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve normale në vend. “Qëndrimi ynë po vjen duke u përshkallëzuar. Opozita është sot mazhoranca reale. Përshkallëzuar qëndrimin tonë këto ditë, duke deklaruar se nuk regjistrohemi në zgjedhje për sa kohe të realizohen kushtet. Ne nuk jemi kundër mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Ne do të ishin të gatshëm të hynim në çdo palë zgjedhje pa Edi Ramën. Por zgjedhjet e 30 qershorit tashmë janë djegur, nuk ka më kohë për t’u mbajtur. Ne nuk po bojkotojmë, por duam kushte për mbajtjen e zgjedhjeve”,- tha Spaho.
Nënkryetari i PD-së ka sqaruar dhe qëllimin e marrëveshje së nënshkruar sot mes partive të opozitës. “Lëvizja për të nënshkruar marrëveshjen me aleatët nuk ishte e nxituar. Ne kemi deklaruar që pas mbledhjes së këshillit, duke paraqitur 3 pika në opinionin publik për mosregjistrim. Një nga pikat tona ishte se nuk do të regjistrohemi në zgjedhje sa kohë nuk garantohen kushtet për zgjedhje të lira. Ne do të punojmë për një platformë, ku së pari, të përcaktohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qeveria duhet të lejojë hetimin për ata që kanë vjedhur zgjedhjet në të kaluarën. Dy dosje janë aktualisht të hetuara kryesisht nga ndërkombëtarët, por janë bërë të gjitha përpjekjet për të sabotuar hetimin”,- tha Edmond Sapo.
Ndërkohë në 11 maj opozita ka njoftuar zhvillimin e një proteste të madhe kombëtare në orën 18:30, e cila pritet të jetë ndryshe nga tubimet e zhvilluara deri më sot nga opozita.