Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku iu ka premtuar banorëve të fshatit Kolonjë se HEC-i i planifikuar për t’u ndërtuar në përroin e Rehovës, do të anulohet.
Dosja.al ka siguruar pamje nga takimi i Ballukut ku bie në sy një pjesëmarrje tejet e ulët, krahasuar me herët e tjera kur fshati është vizituar nga politika shqiptare.
Ministrja është kapur edhe me gazetarët e pranishëm në takim. Gazetarja Ervina Shehaj e ka pyetur ministren pse HEC-i u anulua pas protestave të banorëve, dhe kjo e fundit iu shmang pyetjes së gazetares.
Replika me gazetaren:
Gazetarja: Pse u anulua HEC-i? Duhet që të ngriheshin banorët në protestë?
Balluku: Ne duhet të ulemi atje… për ça e bën këtë? S’ke pse bërtet, ulu këtu dhe dëgjo.
Prej muajit shkurt, banorët e fshatit Kolonjë kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali në përroin e Rehovës, që është i vetmi burim ujor i këtij fshati.
Banorët pretenduan se ky HEC do të shfrytëzojë të vetmin burim ujor duke shkatërruar kështu të mbjellat e tyre.