Ka nisur protesta e paralajmëruar e opozitës, e cila ndryshe nga protestat e shkuara, nuk do të jetë përpara parlamentit apo kryeministrisë por do të jetë e shtrirë në 5 qarqet kryesore të vendit.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në rrethrrotullimin e Plepave në Durrës, u shpreh se kjo është protestë e shqiptarëve kundër Ramës. Nga ana tjetër, Kryemadhi i është drejtuar kryeministrit me thirrjen që të mos provojë shqiptarët por të tërhiqet.
”Sot kanë ardhur kaq shumë njerëz. Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndahet në të gjithë vendin. Kjo bëhet për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të vijnë në Tiranë. Sot jemi këtu dhe nëser do të jemi diku tjetër. Këto nuk janë më protestat e opozitës, janë protestat e shqiptarëve. Nuk ka rrugë tjetër. Është paralajmërim për Ramën. Nuk ka filluar akoma mosbindja civile. Sot protestat në 5 pika kryesore janë për ti thënë Ramës, je akoma vonë, mos vazhdo të provokosh shqiptarët por tërhiqu. Një kryeministër që i ka shkatërruar shqiptarët duhet të largohet”.
Pyetje: Prononcimi i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi nga protesta në rreth-rrotullimin e Plepave në Durrës
Kryemadhi: Ka një pjesëmarrje të madhe, kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe duke menduar që kjo është një nga rrugët kryesore. Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndan atë ndjenjë proteste që bëjnë qytetarët në protestat e Tiranës, tashmë shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë financiare për të ardhur në protestat që organizohen në Tiranë, sepse pjesa më e madhe ka qenë me qytetarët e kryeqytetit. Por, ne tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë. Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar.
Pyetje: Znj.Kryemadhi edhe më herët janë bllokuar rrugët në Durrës. Cila do të jetë strategjia e opozitës?
Kryemadhi: E thashë pak më përpara. Është paralajmërimi për Ramën. Akoma nuk ka filluar. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur ndërkombëtarët. Rama nuk e ka kuptuar. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar shumë mirë se çfarë ka ndodhur. Mjaftoni të shikoni televizionet shtetërore të të gjithë Europës, në SHBA të cilët përkrahin qytetarët shqiptarë të cilët janë ngritur në protestë kundër këtij kryeministri që ka vjedhur zgjedhjet dhe i ka blerë ato me paratë e krimit të organizuar. Kundër një Kryeministri që e ka kapur shtetin dhe që e ka kapur peng krimi i organizuar. Sot protestat në pesë pikat kryesore, janë protesta për ti thënë Edi Ramës që je akoma vonë. Mos vazhdo më që të provokosh shqiptarët, por tërhiqu dhe jepu shansin shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo qytetar europian, ashtu si këta qytetarë po thërrasin sot.