Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish kryeministri i Shqipërisë ka folur rreth gjendjes aktuale politike në Kosovë dhe marrëveshjen e shumëpërfolur Kosovë-Serbi për ndryshim territoresh.
Sipas tij, Kosova, me territorin, integritetin dhe sovranitetin e saj, e kapur në befasi dhe në pabesi nga argatët e Beogradit në Prishtinë dhe në Tiranë, është hedhur në treg në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe.
Ai ka folur edhe rreth idesë që Serbisë t`i jepet Leposaviqi duke thënë se kjo është një ide për të justifikuar dhënien e Trepçës.
“Kosova, me territorin, integritetin dhe sovranitetin e saj, e kapur në befasi dhe ne pabesi nga argatët e Beogradit në Prishtine dhe në Tirane, e kam fjalën për Miladinin shqipfolës dhe shefin e tij Baton Stanishiqin dhe Zografin bis, është hedhur në treg në funksion të krijimit te Serbisë së Madhe. Argatët e Beogradit në Prishtinë dhe Tiranë në kulisa, takime të fshehta me padronët e tyre të Beogradit miratuan projektin e kahershëm serbomadh të Beogradit, pra projektin e ndarjes, copëtimit, ndryshimit te kufijve të Kosovës vetëm e vetëm që Serbia të bëhet më e madhe, siç do të thoshte disa herë gjatë vizitës së tij në Kosovë padroni i tyre Aleksander Vuçiç. Ky projekt ishte paraqitur me dhjetëra herë nga Beogradi që nga vitet 1992 e në vazhdim në Tiranë, Prishtinë dhe në kancelaritë e mëdha të vendeve perëndimore. Ky projekt ishte hedhur poshtë gjithnjë si projekt i Serbisë së Madhe. Por pas vitit 2013, argatët e Beogradit në Tiranë dhe Prishtinë filluan në fshehtësi të plotë procesin e zhbërjes së Pavarësisë së Kosovës, Dokumentit Ahtisari, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, bllokimit të njohjeve ndërkombëtare, por edhe të procesit të negociatave në Bruksel dhe në tërësi arritjeve thelbësore të shënuara në këtë proces.
Pasi finalizuan në fshehtësi të plotë këtë projekt ogurzi të zhbërjes së Kosovës për interesa të serbomëdhenjve, argatët e Beogradit në Prishtinë hoqën maskat dhe u vërsulen brenda dhe jashtë Kosovës në një fushatë histerike agresive antishqiptare, mobilizuan dhjetëra e dhjetëra milionë euro, të koordinuar me Beogradin për të shitur në tregun ndërkombëtar si të tyre dhe jo të padroneve të tyre në Beograd, projektin e Serbisë së Madhe bazuar ne copëtimin e Kosovës. As arat e baballarëve të tyre këta argatë e besëprerë nuk do mund t'i trajtonin me privatisht se sa ç’trajtuan në fshehtësi, dhe me pas në shtrëngicë publikisht dhunimin e Kushtetutës dhe të territorit, integritetit, sovranitetit dhe vet pavarësinë dhe ekzistencën e Kosovës se martirizuar. Me qëndrimet dhe fushatën e tyre antishqiptare Miladini shqipfolës dhe shefi i tij Baton Stanishiq, në një farë mënyre krijuan përshtypjen së Kosova paska borxhe dhe detyrime të mëdha ndaj Serbisë dhe Serbia nuk ka pse të kërkojë ndjesë pasi sipas patronit të tyre Millosheviqi është një udhëheqës i madh, gjë që Miladini e miratoi në heshtje dhe jo kasapi i shqiptareve. Për të justifikuar aneksimin e territoreve të Kosovës nga Serbia trillojnë gënjeshtra të çdo lloj.
Kështu, ata thonë se Leposaviqi nuk na duhet se na e ka pas dhënë Ranokviçi, paçka se edhe në Kongresin e Berlinit Leposaviqi u la territor Kosovës, të cilës ju morën gjysma e tokave të saj, apo për të justifikuar dorëzimin e Trepçës ata vet dhe emisarët e tyre mahnitin të tjerët kur u thonë se galeritë në anën e këtejme të Kopaunikut janë shfrytëzuar plotësisht prandaj Trepçën le ta marrë Serbia. Ata përhapin idenë e kapitullimit të plote të Kosovës para Serbisë, sipas të cilës çdo marrëveshje e keqe është më mirë se sa pa marrëveshje”, është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha.