Nga Sali Berisha.
Sot besimtarët ortodoksë shqiptarë festojnë Pashkën, ditën e bekuar të Ngjalljes së Krishtit Mbret, Burrit, Hyjit që u kryqëzua padrejtësisht dhe që u ngjall këtë ditë për të mos vdekur kurrë dhe për të ndryshuar botën dhe njerëzinë.
Ndaj dhe kjo ditë e shenjtë është dita e pavdeksisë së Hyjit, por edhe e përjetësisë së shpresës dhe besimit të njeriut tek Zoti dhe vlerat më të larta hyjnore e njerëzore.
Këtë vit ne kremtojmë Ngjalljen e Krishtit Mbret në një kohë të vështirë, në një regjim që këto vitet e fundit ka vrarë shpresën e shqiptarëve sa asnjëherë tjetër këto tre dekada dhe ka bërë që qindra mijëra shqiptarë të largohen nga dëshpërimi nga vendi ynë. Por Ngjallja e Krishtit është për të gjithë besimtarët e Zotit një frymëzim i madh, është ngjallje shprese për një ndryshim për mirë për vete, familjen dhe për Shqipërinë.
Duke përfunduar këtë mesazh le të urojmë ne të dashur miq, besimtarët ortodoksë shqiptarë dhe të gjithë besimtarët e Zotit, gëzuar Pashkën dhe të lutemi bashkarisht me ta në këtë ditë të shenjtë, që Pashka që vjen mirë të na gjejë! Gëzuar!