Nga Off Guardian, Dr. Ana L. Scheer
Gadishulli i Ballkanit njihet si “fuçia e barutit” e kontinentit europian. Në Shqipëri, kjo “fuçi” duket se shpërthen mjaft shpesh për shkak të konflikteve të shpeshta politike. Për ndërkombëtarët, kriza e vazhdueshme politike duket absurde, por për popullin shqiptar është një realitet i ashpër që i prek ata nga pikëpamja shoqërore, ekonomike, si dhe rrezikon integrimin e vendit në BE.
Ç’po ndodh në Shqipëri? Pse kjo “fuçi baruti” ka shpërthyer sërish? Dhe pse, shqiptarët tremben se ky konflikt politik mund të përshkallëzohet në një konflikt civil?
Partia Socialiste siguroi shumicën e deputetëve në zgjedhjet e vitit 2017, për të qeverisur e vetme. Por, së fundmi, procesi zgjedhor po kundërshtohet nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrimin për shkak të ekspozimit të dosjeve hetimore nr.339 dhe nr.184 në të cilat, ministrat, kryetarët dhe figurat e tjera kryesore të Partisë Socialiste dalin si të përfshinë në bashkëpunimin me krimin e organizuar për të frikësuar votuesit dhe për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve.
Në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, partitë e opozitës i dogjën mandatet e tyre të deputetit duke e lënë Partinë Socialiste të vetme në parlament. Dy partitë kryesore opozitare, që përfaqësojnë 43% të votuesve janë tashmë jashtë parlamentit dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili, ndërmori një manovër të shpejtë politike, jo për të zgjidhur krizën, me anë të bisedimeve, por duke zëvendësuar deputetë e opozitës me kandidatët nga fundi i listave të partive opozitare.
Por edhe me shtimin e depuetëve të rinj, Parlamenti shqiptar ende nuk është në kapacitetin e tij të plotë, sepse ka shumë vende të lira, një fakt që ngre ligjërisht shumë çështje kushtetuese.
Përveç kësaj, për të shmangur dështimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale, Rama po inkurajon dhe po mbështet, madje edhe ngritjen e partive të vogla, për t’u regjistruar në Komisionin Zgjedhor. Me një manovër të tillë, pa opozitën, PS do të fitojë të gjitha bashkitë në vend. Me qeverinë qendrore dhe lokale nën kontroll të plotë, dhe një parlament nën sundimin e tij, kryeministri Rama do ta kthente Shqipërinë në monarki.
Prandaj, gjatë javëve të fundit, mijëra njerëz janë mbledhur në protesta në rrugët e Tiranës, veçanërisht para kryeministrisë dhe parlamentit duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhja e vetme e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Gjatë mandatit të parë të kryeministrit Edi Rama Shqipëria ka marrë raporte të shpeshta negative nga Departamenti i Shtetit dhe disa institucione të huaja në lidhje me nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të rënda. Mediat ndërkombëtare kanë ngritur shumë paralajmërime rreth kultivimit të kanabisit. Policia e Shtetit thuhet se është përfshirë në aktivitete të tilla dhe deri në këtë moment disa krerë të rretheve të policisë janë larguar nga vendi, të kërkuar nga autoritetet.
Shqipëria duket se po shkon drejt një konflikti civil. Në qershor, Komisioni Europian pritet të refuzojë edhe një herë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo do ta përkeqësonte situatën aktuale, në të cilën ndodhet vendi. Institucionet ndërkombëtare po vëzhgojnë me durim, duke pritur që “stuhia” politike shqiptare të pushojë. Një stuhi që duket se përfundon vetëm me vendimin për të mposhtur një njeri: Kryeministrin shqiptar, Edi Rama.