Gjosha për Samitin e Berlinit: Të rikthehet në shina dialogu Kosovë-Serbi

Hënë, 29 Prill 2019 12:57

Sot Ballkani Perëndimor ka zbarkuar në Berlin, ku liderët e rajonit po priten nga kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez, Macron. Shqipëria pret që Gjermania të jetë influencuese tek vendet që janë skeptike për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE por në këtë takim do të diskutohet edhe çështja e kufijve Kosovë-Serbi.

”Koha Jonë”, kontaktoi me ish-ministren e Jashtme, Klajda Gjoshën, e cila thotë se është thelbësore që Gjermania dhe Franca të kthejnë në shina dialogun konkret mes Kosovës dhe Serbisë. Për të, duke qenë se është një çështje sensitive por dhe një precedent i rrezikshëm, duhet të nis me një traktat paqeje.

”Ky takim vjen në një moment të rëndësishëm per Ballkanin Perëndimor dhe axhenda do të jetë e fokusuar në dy shtylla, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe ecuria e procesit të Integrimit Europian për të gjitha vendet e rajonit. Është thelbësore që Gjermania dhe Franca të kthejnë në shinat e një dialogu konkret Kosovën dhe Serbinë, duke i dhënë fund aludimeve për ndryshimin e kufijve, çështje kjo tepër sensitive për të dyja vendet por edhe precedent i rrezikshëm për rajonin dhe BE. Të dyja këto vende kanë nevojë për një axhendë konkrete bisedimesh dhe marrëveshjes që për mendimin tim, duhet të nisë me një traktat paqeje fillimisht e më pas me procedura teknike”,-thotë Gjosha për ”Koha Jonë”.

E pyetur sesi e sheh këtë takim të sotëm dhe për vendimin që do merret lidhur me integrimin e vendit, Gjosha nënvizon se e vetmja mënyrë që Shqipërisë t’i hapet drita jeshile është pikërisht nëse vendet anëtare do të vendosin pro negociatave të Maqedonisë së Veriut.

”Pika e dytë e axhendës do ketë një fokus te Maqedonia e Veriut dhe te Shqipëria, përsa i përket mundësisë për çeljen e negociatave. Në këndvështrimin e rajonit, ne jemi shumë të lidhur me ecurinë e Maqedonisë së Veriut, e cila gjatë vitit të fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm që nis me reformat, zhvillimin ekonomik dhe arritjen e marrëveshjes së Prespës me Greqinë. E vetmja mënyrë që Shqipërisë t’i hapet drita jeshile është pikërisht nëse vendet anëtare do të vendosin pro negociatave të Maqedonisë së Veriut. Kjo për arsye të forta gjeopolitike dhe stabiliteti në rajon por edhe për faktin se nuk mund të imagjinohet që Shqipëria të mbetet pjesë e procesit në grupin e Kosovës dhe Bosnjës. Do të ishte një goditje e madhe për aspiratën tonë europiane”,-shprehet ish-deputetja e LSI-së.

Ish-deputetja e LSI-së, nuk lë pa përmendur skepticizmin e Francës që ka lidhur me integrimin e Shqipërisë, kjo për shkak të azilkërkuesve. ”Megjithatë Franca do të ketë hezitime për çeljen e negociatave me Shqipërinë për arsye edhe të çështjes së azilkërkuesve. Edhe vendet e tjera kanë një skepticizëm të lartë për përmbushjen e kushteve nga Shqipëria. Kjo do të thotë që mund të kemi edhe një shtyrje në kohë për të marrë një vendim përfundimtar”.

Login to post comments