Tenderi i Albpetrol për shitjen e 75 mijë tonë naftë bruto do të zhvillohet në 3 maj. Sasia e karburantit e nxjerr për shitje ndodhet në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Visoke, Gorisht, Zharrez, i Kuçovë si dhe Amonicë vlerësohet se kap një vlerë prej 2.5 mld lekësh.
Vendimi vjen vetëm 2 muaj pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të Albpetrolit Kastriot Bejtaj. Madje në atë kohë u aludua se emëroi në vend të tij të Dritan Spahiut u bë pikërisht për këtë tender që kap një vlerë të konsiderueshme.
Më parë, Spahiu ka mbajtur detyrën e drejtorit te politikave hidrokarbure, por është shkarkuar nga ish-ministri Damian Gjiknuri pas akuzave për abuzime.
Ndërsa Kastriot Bejtaj drejtori që u largua nga drejtimi i kompanisë është një gjeofizikan i njohur, ish-drejtues i SHELL dhe Petromanas dhe ka një eksperiencë të madhe në këtë fushë.
AlbPetrol sapo ka miratuar planin strategjik të prodhim-shfrytëzimit, strukturën dhe planin e masave ndërsa për 2018 rezulton kompania shtetërore me fitimin më të lartë.
Gjatë vitit të kaluar Albpetrol arkëtoi rreth 23 milion dollarë nga i njëjti ankand i zhvilluar për shitjen e një sasie nafte bruto prej 56 mijë tonësh.
Albpetrol është shoqëria shtetërore e naftës në Shqipëri e themeluar më 6 Prill të vitit 1999, e cila trashëgoi të gjitha asetet dhe vendburimet e naftës në Shqipëri. Selia qendrore e kompanisë ndodhet në qytetin e Patosit ndërsa shoqëria ushtron aktivitetin e saj edhe në Zyrën e Përfaqësimit në Tiranë si dhe në qendrat e prodhimit në Fier, Ballsh, Kuçovë, Patos.