“Protestat do të intensifikohen dhe do të jenë më të gjata në kohë, sepse jemi vendi që na është prerë rruga e integrimit europian, jemi vend prej të cilit të rinjtë po ikin, jemi vend ku vidhen dhe blihen votat, ku nuk funksionojnë organet e drejtësisë”. Kështu u shpreh ish-deputeti Edmond Spaho në studion e lajmeve të Fax News lidhur me situatën politike në vend dhe aksionin në vijim të opozitës së bashkuar.
“Unë nuk di ndonjë formë tjetër përballë kësaj situate. Qeveria ka nëpërkëmbur në mënyrën më të papërgjegjshëm qytetarët dhe shumica e tyre e mbështet aksionin opozitar sepse ata duan të shikojnë shenjat e qarta se e ardhmja mund të jetohet në këtë vend”, tha Spaho.
Lidhur me lëvizjen e fundit të partive të vogla që janë aleatë të Partisë Demokratike që kanë kërkuar organizimin nga Presidentin Ilir Meta, të një tryeze ndërpartiake për të realizuar një marrëveshje gjithëpërfhsirëse, Spaho tha: “Ne nuk kemi thënë se nuk do të futemi në zgjedhje, ne kemi deklaruar se nuk do të lejojmë që të zhvillohen zgjedhje farsë. Kemi kërkuar një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër për të siguruar hapjen e rrugës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Me Edi Ramën si kryeministër ne nuk dialogojmë sepse ishte ai me qeverisjen e tij që e kanë dërguar vendin në këtë situatë.
Nuk mund të korigjohet kjo sëmundje kaq e rëndë me atë që e shkaktoi. Epoka e tij ka mbaruar, opozita nuk ka për ti dhënë edhe njëherë dorën që ai të bëjë atë që ka bërë gjithnjë që kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Së pari ai duhet të largohet për ti hapur rrugë një platforme të re politike që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ne që nesër do të prezantojmë platformën opozitare për funksionimin dhe punën e qeverisë tranzitore”, tha ndër të tjera ish-deputeti demokrat.
Spaho foli edhe për planin që ka opozita sa i përket bashkëpunimit me aktorët e tjerë politik, mediat dhe të shoqërisë civile për t’u konsultuar që të krijohet një platformë sipas tij sa më e plotë. “Kur të arrihet tek pika e dialogut me Partinë Socialiste, aktorët e tjerë politik, mediatik dhe të shoqërisë civile, do të konsultohet edhe më tej përmbajtja e kësaj platforme dhe strategjie se si do të vihet në zbatim”.
Spaho ripërsëriti deklaratën që prej muajsh është bërë nga aktorë të ndryshëm opozitar se në zgjedhje nuk do të shkohet pa opozitën, duke paralajmëruar se ato do të pengohen me çdo mjet.
“Zgjedhje me 30 Qershor nuk do të ketë, së pari nuk mund të ketë zgjedhje farsë dhe e dyta nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Opozita jemi ne dhe ai nuk mund të shkojë as me deputetë që kanë devijuar nga vvendimmarrja politike as me partitë e reja që ka krijuar. Ne do të veprojmë me të gjitha mënyrat dhe forcat që të mos i lejojmë këto zgjedhje farsë”.