Sapo u kthye nga Gjermania, bashkë me dosjen e madhe të sukseseve të Rilindjes, nën sqetull, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, thirri me urgjencë në takim, zëvendësministren hëm të arsimit, hëm të rinisë, hëm të sporteve, që i rrinë shumë bukur bikinitë, zonjushën Lorena Haxhiu.
– Të kam thirrur, që të të them…
– Urdhëro zonja Elisë, më thuaj çfarë të duash.
– Të kam thirrur të të them, që pasi takova zonjën e hekurt, supergruan Angela Merkel, më vjen turp që po të takoj ty.
– Pse zonja Elisë? Cfarë kam bërë unë e shkreta, që të të vij turp edhe ty?
– Si ç’ke bërë? Nuk e kupton çfarë ke thënë?
– Jo, – ia ktheu zv Ministrja.
– Ke thënë o e paditur, “atë që do korrni sot, do ta mbillni nesër”.
– Pse zonja Elisë, ku është gabimi këtu? Një pjesë të bereqetit, që bota korr sot, e mbjell përsëri vitin që vjen.
– Jo trutharë, jo! Fjalia e vërtetë është “ç’të mbjellësh sot, do të korrësh mot”. E ka thënë populli dhe quhet fjalë e urtë popullore. Dhe ne mbi popullin nuk mund të dalim dot. As Rilindja, as Skënderbeu që kemi lart, nuk del dot mbi popullin dhe jo ti një copë e emëruar, e pavotuar kurrë dhe me gjithë ato foto breçka, breçka, nëpër det.
– Por unë kur e thashë nuk pata fare parasysh popullin, o zonja Elisë. Ç’të bëj tani? – pyeti zëvendësministrja e tmerruar.
– Tani, kam porosi nga lart, nga i gjati, duhet të ulësh kokën dhe të mësosh 200 thënie të popullit përmendësh. Por kujdes, të jenë të gjitha të popullit tonë, jo të popujve të tjerë. Pas kësaj do të flasim. Ç’ti bëj atij lart, se po të ishte për mua, t’i kisha dhënë duart me kohë. More vesh? Mora thuaj!
Pas këtij debati, zëvendësministrja, hëm e arsimit, hëm e rinisë dhe hëm e sporteve, doli dhe pasi mbylli derën e Elisës tha: “Sa e trashë! Ç’të mbjellësh, do të korrësh thotë. E ç’ndryshim ka nga shprehja që bëra unë, ç’të korrësh do të mbjellësh? Jo ve, po kokove. Ç’të keqe ka këtu? Sa e trashe!”.
Shënim: Ja video që krijoi debatin e ashpër mes dy grave të Rilindjes./TPZ.al/ Tej e këtej/