“Hapja e negociatave, Shqipëria në dorë të Holandës, Francës dhe Danimarkës”

Saturday, 04 May 2019 12:30

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, studiuesi Wouter Zweers, thekson problematikat nga të cilat vuajnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Problem është kapja e shtetit, korrupsionit dhe fenomeni i klientelzimit. Ndërkohë këtë të martën vjen delegacioni holandez

Eliminimi i fenomenit të korrupsionit, klientelizmit dhe krimit të organizuar, është një nga prioritetet kyçe të Bashkimit Evropian. Progres raporti i vitit të kaluar i Komisionit Evropian ka theksuar nevojën që vendet e Ballkanit Perëndimor, të angazhohet plotësisht për të plotësuar të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian. Holanda është një nga vendet më skeptike të Bashkimit Evropian në lidhje me procesin e zgjerimit.

Javën e ardhshme një grup deputetësh të Parlamentit Holandez do të jenë të pranishëm në Shqipëri. Delegacioni do të drejtohet nga Hayke Veldman i Partisë Liberale, VVD. Ai është Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Evropiane. Anne Mulder është nga Partia Liberale VVD e cila është edhe raportuese për çështjet evropiane, si dhe Jeffrey van Haaster, pjesë e Komitetit për Çështjet Evropiane të Holandës. Prania e këtyre deputetëve do të jetë për të analizuar nga afër situatën në Shqipëri dhe për ti paraqitur ato pranë institucioneve të larta holandeze. Wouter Zweers është pjesë e Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtarë në Holandë.

Zweera, cilat janë çështjet kryesore problematike për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Mendoj se çështjet kryesore problematike për vendet e Ballkanit Perëndimor ndryshojnë nga vendi në vend. Secili vend ka sfidat e veta. Në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian që vendet kanë zgjedhur, çështjet mbeten në lidhje me demokracinë (kapjen e shtetit), sundimin e ligjit, korrupsionin, klientelizmin etj. Por sfidat ndryshojnë nga vendi në vend. Një çështje që prek pothuajse të gjitha vendet në rajon është ajo e rënies së popullsisë, si dhe të rinjtë dhe njerëzit me arsim të lartë që largohen për të ndërtuar një të ardhme tjetër. Një ikje e tillë e trurit ndikon negativisht në shanset për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një objektiv kryesor i qeverive të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë për të krijuar mundësi ekonomike për këta njerëz. Në fund, besoj se kjo mund të bëhet vetëm nëse vendet e Ballkanit Perëndimor bëjnë më shumë për të zgjidhur çështjet e sundimit të ligjit dhe të demokracisë. Një çështje tjetër e rëndësishme për të gjithë rajonin është ajo e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal. Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë një përpjekje të madhe për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe midis Greqisë dhe Bullgarisë. Por për stabilitetin e rajonit në tërësi, nevojitet pajtimi edhe midis Serbisë dhe Kosovës.

A mendoni se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta bëjë procesin e zgjerimit një realitet të ardhshëm?

Për momentin, unë besoj se BE nuk është e gatshme ta bëjë zgjerimin të ndodhë. Sigurisht që Bashkimi Evropian përbëhet nga shumë Shtete Anëtare dhe ata kanë pozita të ndryshme për zgjerimin që rezultojnë nga interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike në rajon dhe pozicionin e tyre gjeografik brenda vetë BE-së. Unë besoj se është pranuar gjerësisht në BE se për momentin, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati për t’u pranuar.

Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian gjithashtu kanë arsyet e tyre për të qenë të kujdesshëm në lidhje me zgjerimin, siç është Franca, e cila së pari dëshiron të përqendrohet në thellimin e bashkëpunimit brenda Bashkimit Evropian, përpara se të hapet për anëtarët e rinj. Për fat të keq, ndonjëherë duket se shqetësimet e brendshme të Shteteve Anëtare dominojnë pozicionin e tyre për zgjerimin. Të tjerë, si Austria dhe Rumania, sigurisht shtyjnë hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do të shohim pas Këshillit Evropian të qershorit nëse do të hapen negociatat. Kjo do të varet shumë nga Holanda, Franca dhe Danimarka, të cilët janë më kritike për këtë çështje. Ajo gjithashtu varet nga gjykimi i raporteve të përparimit të Komisionit Evropian për zgjerimin, që pritet të publikohet më 29 maj.

Login to post comments