VIDEO/ Papa mbërrin në Bullgari, nesër ka një plan të veçantë

Diel, 05 May 2019 14:42

Vizita në kampin e refugjatëve në Sofje do të jetë çasti më domethënës i shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Bullgari, në datat 5 e 6 maj, njoftoi sot Vatikani.

Papa, u nis nga Roma sot, 5 maj e shkeli në trojet bullgare në orën 09.50 (08.50 me orën e Romës). Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe vizitës së mirësjelljes Presidentit, Françesku takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në Sheshin  Atanas Burov. Pastaj, vizita tek Patriku i Sinodit të Shenjtë, pasuar nga lutja private para fronit të Shenjtorëve Çirili e Metodi, në katedralen patriarkale.

Brenda Kishës, Papa do t’ia drejtojë 12 herë Virgjërës Mari lutjen e Mbretëreshës Qiellore, ndërsa pasdite do të kremtojë Meshën Shenjte në Sheshin Knyaz Alexander I.

Lutja për paqen dhe vizita në Rakovsky

Të hënën, 6 maj, Papa Françesku do të vizitojë një kamp refugjatësh në Sofje, për të shkuar, më pas në Rakovsky, qendër kryesore e katolikëve në Bullgari. Atje do të kremtojë Meshën Shenjte me kungimet e para, në Kishën e Zemrës së Krishtit, do të drekojë me ipeshkvijtë bullgarë, në kuvendin e Motrave françeskane dhe do të takohet me bashkësinë katolike në Kishën e Shën Mëhillit Kryeengjëll.

Në orën 17.15 me orën vendase, do të rikthehet në Sofje, ku do të lutet për paqen, së bashku me përfaqësuesit e konfesioneve të ndryshme fetare bullgare, në Sheshin Nezavisimost.

TAKIMET

Papa përshëndeti, në Sheshin Burov të Sofjes, autoritetet civile e fetare të Bullgarisë,vend-urë ndërmjet lindjes dhe perëndimit të Evropës, me pakësim të popullsisë e flukse të dendura emigrantësh.

“Bullgaria është vend takimi ndërmjet një mori kulturash e qytetërimesh, urë ndërmjet Evropë së lindjes e asaj të jugut, portë e hapur për lindjen e afërme. Tokë me rrënjë të lashta të krishtera, që favorizojnë  takimin  si me fetë, ashtu edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Këtu larmia, duke respektuar tiparet e veçanta të secilit, shikohet si pasuri e jo si shkak kundërvëniesh”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik të Bullgarisë, në fjalimin e parë  të shtegtimit të tij në vend.

Dimri demografik i Evropës

Takimi i parë u mbajt në Sheshin e Sofjes, kushtuar politikanit opozitar Atanas Burlov i cili - kujtoi Papa - u persekutua nga një regjim, që nuk mund ta duronte lirinë e mendimit. Tridhjetë vjet pas përfundimit të sundimit komunist, Françesku preku nervat e situatës në vend. Nga njëra anë, emigracioni, që vitet e fundit i detyroi më se dy milionë bullgarë të kërkojnë strehë gjetiu; nga ana tjetër, pakësimi i ndjeshëm i lindjeve, për shak “të dimrit demografik”, perde akulli e rënë mbi gjithë Evropën, si pasojë e humbjes së besimit në të ardhmen.

Mikpritja e migrantëve dhe mbështetja e të rinjve

Veç kësaj - kujtoi Papa - Bullgarisë i duhet të ballafaqohet me fenomenin e atyre, që kërkojnë të hyjnë brenda kufijve të saj, për të ikur nga luftërat, konfliktet e mjerimi, në përpjekjen për të arritur në vendet më të pasura të Kontinentit evropian. Papa i bëri thirrje presidentit për t’i mikpritur këta njerëz e për t’i ndihmuar posaçërisht të rinjtë:

“E njoh angazhimin e qeveritarëve të këtij vendi të cilët, prej vitesh, përpiqen t’u krijojë, posaçërisht të rinjve, kushtet e nevojshme, që të mos detyrohen të emigrojnë. Dëshiroj t’i inkurajoj të ecin në këtë rrugë, që të rinjtë të mund t’i investojnë energjitë e tyre të freskëta e ta programojnë ardhmërinë e tyre personale e familjare, duke i gjetur në atdhe kushtet e nevojshme për një jetë të denjë! E edhe të mos ua mbyllin portat, atyre që trokasin në to”.

Fetë, së bashku për respektimin e njeriut

Papa përshëndeti edhe Patrikun bullgar Neofit, të gjithë besimtarët e Kishës ortodokse bullgare, e edhe të asaj katolike të cilët - kujtoi - vij t’i përforcoj në fe e t’i inkurajoj në udhën e përditshme të jetës e të dëshmisë së krishterë. Duke u ndaluar tek dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, shkurtin e kaluar, Papa u kujtoi më pas, anëtarëve bashkësisë hebraike e asaj islamike, t’i mbrojnë vlerat e paqes:

“Të përfitojmë nga mikpritja, ofruar nga populli bullgar, që çdo fe, e thirrur për të promovuar paqen e harmoninë, të ndihmojë për zhvillimin e një kulture e të një ambienti plot respekt për njeriun e dinjitetin e tij, duke krijuar, kështu, lidhje jetike ndërmjet qytetërimeve, ndjeshmërive e traditave të ndryshme e duke e refuzuar çdo tip dhune. Kështu  do të pësojnë disfatë të pashmangshme të gjithë ata, që kërkojnë, me çdo mjet, ta manipulojnë e ta instrumentalizojnë fenë”.

Papa Françesku kujtoi, më pas, edhe vizitën e Gjon Palit II, në vitin 2002  si dhe praninë, në Sofje, për gati dhjetë vjet, të Angelo Roncalli-t- Papës së ardhshëm Gjoni XXIII.

Nuk mungoi, natyrisht, edhe kujtimi i Shenjtorëve Çirili e Metodi, që ungjillëzuan popujt sllavë, luajtën një rol të dorës së parë në zhvillimin e gjuhës e të kulturës së tyre e, sidomos, sollën fryte të begata të dëshmisë dhe shenjtërisë  së krishterë:

“Bekuar qofshin Shenjtorët Çirili e Metodi, bashkëpajtorë të Evropës, që me lutjet, gjeninë dhe përpjekjet e tyre apostolike, ishin, dhe mbeten, edhe pas një mijë vjetësh, frymëzues të dialogut të frytshën, të harmonisë e të takimit ndërmjet Kishave, shteteve e popujve”.  

Bekimi i Papës

Në përfundim të takimit, bekimi: “Zoti e bekoftë Bullgarinë, e ruajtë paqësore e mikpritëse, i dhashtë begati e lumturi. Bëftë që kjo tokë, e kufizuar nga lumi i madh i Danubit dhe nga brigjet e Detit të Zi, e bërë pjellore përmes punës së përvuajtur të breznive, e hapur për shkëmbimet kulturore e tregtare, e integruar në Bashkimin Evropian e me lidhje të shëndosha me Rusinë e Turqinë, t’u ofrojë bijve të saj një ardhmëri plot me shpresë!”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...