Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur ditën e sotme në një takim aleatët e Partisë Demokratike. Shefi i qeverisë së Kosovës thekson se bashkëpunimi mes partive të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë ka qenë i frytshëm në rrugën e shtet ndërtimit. Ai ka shkruar në “Facebook” për këtë takim, ndërsa ka publikuar edhe fotot e takimit me aleatët e selisë blu.
Mes tjerash, kryeministri Haradinaj thekson se në takim ka pasur një bashkërendim të ideve, të cilat sipas tij, do t’i shërbejnë interesit dhe rrugës euroatlantike të të dyja shteteve. “Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i frytshëm dhe në këtë aspekt, dialogu midis tyre vazhdon të jetë i hapur.
Në kontekst të këtij dialogu, prita sot në takim Kryetarët e partive opozitare Fatmir Mediun, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule me të cilët u dakorduam se bashkërendimi i qëndrimeve është në interes të dy shteteve dhe qytetarëve tanë. Është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike”-shkruan ai.