Nga Ilir Nikolla
Kremtimet e Javës së Evropës në Shqipëri po mbahen në një atmosferë kuazi funerale, për shkak të qartësisë që ka opinioni publik që edhe në këtë qershor s’kanë për t’u hapur negociatat për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Duke mos folur për negociatat, sepse duhet të flasim keq dhe për “xhenazen” e sivjetme jemi të detyruar të mos flasim fare, po e kalojmë kohën duke folur për terminologji të pamatshme, duke folur për perspektivë, për orientim, për rrugë drejt...pra, duke folur për stadin e vendnumëro-së.
Por gjithsesi, sikleti u ka mbetur ndërkombëtarëve, sepse në rangun kombëtar, Edi Rama dhe aradha e brezit të n-të të pasardhësve të diktaturës, po shfrytëzojnë rastin të riciklojnë 1945-n. Dje mediat e Ramës morën urdhër ta shpallnin të gjithë opozitën si pasardhëse të Ballit Kombëtar, si kolaboracioniste në linjë trashëgimie me pushtuesit gjermanë, ndërkohë që vetë kryeministri, u mor në vetë të parë, duke dhënë disa porosi se si duhet të shkruhet historia e Luftës së Dytë Botërore se si duhet të fshihen krimet e kryera nga komandantët partizanë dhe se si duhen ndëshkuar ata që guxojnë t’i nxjerrin në publik “këto punë”.
Në Javën e Evropës, Edi Rama shpalli opozitën si armike të integrimit në BE, sepse është pasardhëse e kolaboracionistëve në linjë trashëgimie. Gjuetinë e vijuan më vonë rendet e dyta të politikës me njoftimin se Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit do të mbyllet, se anëtarët e tij do të thirren në “bisedë informative” për të kuptuar motivet që i kanë shtyrë ata që me fondet e shtetit të bëjnë zbardhjen e krimeve të partizanëve, ndërkohë që në media, lista e armiqve që duhet t’i nënshtrohen ndëshkimeve me “ndalim të shprehjes në publik”, “largim nga funksionet shtetërore” apo edhe më tej me “shpronësim të pasurive të marra më herët me ligj” ka nisur të jetë shumë e gjatë.
Në Javën e Evropës mungon kreativiteti, prandaj edhe pasardhësit e brezit të n-të të diktaturës po i referohen vitit bazë, 1945, i cili në fakt është viti i vërtetë i fitores së tyre mbi “kolaboracionistët” dhe jo 1944, siç hamendësohet se është në fakt fitorja mbi pushtuesit nazifashistë.
T’u kthehesh të njëjtave metoda s’do të thotë se mund të korrësh të njëjtat rezultate. Së pari, sepse në fushë nuk janë më të njëjtat palë e ç’është më kryesorja edhe armët e lejuara në përplasje nuk janë më të njëjtat. Nëse ëndrrat për linçimin e opozitës mund të frymëzohen nga putinizmi a erdoganizmi, Partia Demokratike dhe opozita janë në një lëvizje kombëtare për restaurimin e demokracisë në vend, që ka si frymëzim lëvizjen për demokraci të ’90. Gjuha e kryeministrit është e 45-s, edhe propaganda me armiq po ashtu, po a janë bërë mirë hesapet?