Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë kundër Ministrisë së Arsimit për shkarkimin e Rektorit Mynyr Koni.
Në 13 prill, ministrja e Arsimit i kërkoi presidentit Meta, shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Përmes një deklarate për mediat, ministrja Besa Shahini, bëri të ditur se institucioni që ajo drejton kishte vendosur pezullimin e Rektorit Koni, ndërsa tha se i është drejtuar me kërkesë kreut të shtetit për shkarkimin e tij.
Vendimi
RRËZIMIN E PROPOZIMIT TË MINISTRIT TË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, Z.MYNYR KONI
Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, nenit 39, pika 8, 10 të ligjit nr.80/2015 “Përarsimin e lartëdhekërkiminshkencornëinstitucionet e arsimittëlartënëRepublikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 44/2015 “KodiiProcedurave Administrative iRepublikëssëShqipërisë”, pasi shqyrtova propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019,
Dekretoj;
Neni 1
Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë,për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Neni 2
Vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26.05.2016.
Neni 3
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë
Nr. Dekreti 11183
Tiranë, më 06.05.2019
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Arsyet e rrëzimit të propozimit nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019,
të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni
Presidenti i Republikës, shqyrtoi propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nr. 4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019, nëpërmjet të cilës propozohet shkarkimi nga detyra e Rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), zotit Mynyr Koni, për shkak të pretendimeve për shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.
Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, vlerësoi të gjithë dokumentacionin shoqërues të paraqitur nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), si dhe dëgjoi sqarimet përkatëse gjatë takimit me të.
Presidenti i Republikës, administroi dhe vlerësoi pretendimet me shkrim dhe dokumentacionin shoqërues të përcjellë zyrtarisht nga Rektori i Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni, si dhe dëgjoi të gjitha shpjegimet dhe sqarimet e tij të dhëna në një takim të realizuar me të.
Presidenti i Republikës kreu një vlerësim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të të gjithë kuadrit kushtetues, ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë në institucionet e arsimit të lartë jo vetëm duke iu referuar praktikës dokumentare të këtij propozimi, por dhe praktikës dokumentare të administruar në vijimësi mbi problematikat dhe situatat konfliktuale midis strukturave drejtuese akademike dhe administrative në Universitetin e Tiranës përgjatë viteve 2017-2019. Sa më sipër, Presidenti i Republikës, vëren:
I. Pretendimet e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë në propozimin.
Referuar propozimit të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019 dhe dokumentacionit shoqërues, rezulton:
Me urdhrin nr.77, datë 16.02.2018 Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka urdhëruar “Ngritjen e grupit të punës për kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Universitetit të Tiranës me aktet ligjore e nënligjore në fuqi”. Në nxjerrjen e këtij urdhri për realizimin e kontrollit Ministri i Arsimit është mbështetur në nenin 7, pika 2, germa “e”, të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilit “Ministria përgjegjëse për arsimin kontrollon pajtueshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.”. Sipas këtij urdhri, grupi i punës do të ushtronte kontroll pranë organeve dhe autoriteteve drejtuese të Universitetit të Tiranës për periudhën 01.10.2016, deri në momentin e ushtrimit të kontrollit, periudhë kjo e cila sipas pikës 6 të urdhrit është përcaktuar të realizohet prej datës 16.02.2018 deri në datën 02.03.2018.
Pas përfundimit të ushtrimit të kontrollit, administrimit dhe vlerësimeve mbi konstatimet dhe gjetjet për kontrollin e ushtruar, grupi u punës ka hartuar Raportin e Kontrollit nr.8359 prot., datë 31.07.2018, në të cilin janë evidentuar sipas tij, shkeljet dhe objeksionet përkatëse. Në përmbyllje të këtij raport kontrolli, grupi i punës ka përfshirë edhe 14 rekomandime për t’u zbatuar për secilën nga strukturat përkatëse drejtuese të Universitetit të Tiranës. Me shkresë nr.8359/1prot, datë 31.07.2018 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, raporti i grupit të punës, i është përcjellë Universitetit të Tiranës, Rektorit Mynyr Koni, i pashoqëruar me ndonjë qëndrim të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si autoriteti që ka urdhëruar kryerjen e kontrollit dhe që, në këtë rast, duhej të shprehte vlerësimet përkundrejt autoritetit të kontrolluar prej tij.
Pas një periudhe të caktuar kohe, rezulton se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka nxjerrë Urdhrin nr.715, datë 25.10.2018 “Për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve sipas raportit nr. 8359 prot., datë 31.07.2018, në Universitetin e Tiranës”. Në zbatim të këtij urdhri, grupi i punës kishte për detyrë të verifikonte zbatimin e rekomandimeve të lëna në Raportin e Kontrollit nr.8359, datë 31.07.2018 dhe të paraqiste, brenda datës 11.11.2018, një raport pranë Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e secilit rekomandim.
Rezulton se grupi i punës ka analizuar gjetjet dhe konstatimet për çdo rekomandim dhe në përfundim ka hartuar raportin e datës 04.12.2018 “Mbi zbatimin e rekomandimeve në Universitetin e Tiranës”. Në këtë raport është analizuar përmbushja e secilit prej 14 rekomandimeve të lëna në raportin e mëparshëm të kontrollit. Konkretisht: sipas grupit të punës janë përmbushur 7 nga rekomandimet e lëna (rekomandimet nr.1, 7, 8, 9, 10, 13, 14), ndërkohë që për 2 (dy) rekomandime të tjera, sipas grupit të punës, përmbushja e tyre varet nga faktorë të tjerë të pavarur me veprimtarinë e autoriteteve drejtuese të Universitetit të Tiranës.
Konkretisht, për rekomandimin nr.2 ku ishte përcaktuar: “Brenda muajit shtator Universiteti i Tiranës të miratojë gjithë aktet rregulluese të organeve të saj drejtuese nëpërmjet tyre përcaktimin e saktë dhe shterues të kompetencave dhe raporteve në mes organeve e autoriteteve drejtuese“, grupi punës ka vlerësuar se përmbushja e këtij rekomandimi varet nga miratimi i statutit të UT-së.
Në lidhje me këtë çështje, është shumë e nevojshme të sqarohet fakti se miratimi i Statutit të Universitetit të Tiranës, ishte pjesë e detyrave për t’u përmbushur sipas rekomandimit nr.1 dhe që, sipas të cilit “Brenda muajit shtator 2018, organet drejtuese të Universitetit të Tiranës duhet të miratojnë Statutin e UT-së, si akti më i rëndësishëm rregullator i institucionit”. Ky rekomandim i parë dhe themelor rezulton i plotësuar, pasi siç relaton grupi i punës në datën 04.12.2018, Senati Akademik i Universitetit të Tiranë me Vendimin nr.30, datë 14.09.2018, ka miratuar statutin e institucionit dhe me shkresën nr.2330/10 prot., datë 26.09.2018, Universiteti i Tiranës ka dërguar pranë Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë statutin për miratim.
Sipas nenit 33, pika 2, të ligjit nr.80/2015, Statuti i institucionit të arsimit të lartë, konsiderohet në fuqi, kur ai miratohet nga ministri përgjegjës për arsimin, apo kur ministri nuk ka vërejtje për ligjshmërinë e statutit ose nuk shprehet brenda afatit 2-mujor të paraqitjes për shqyrtim. Në këtë mënyrë, rrjedhimisht, edhe përmbushja e rekomandimit nr.2, brenda afatit të kërkuar lidhej me shqyrtimin që Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të duhej të kryente për statutin e depozituar pranë zyrës së tij.
Ky detaj ishte i nevojshëm për sqarim në këtë shqyrtim, pasi lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me nxjerrjen e akteve të tjera rregulluese nga Universiteti i Tiranës që normojnë veprimtarinë e brendshme të funksionimit që duhet të nxjerrin organet drejtuese të tij. Siç dhe jeni në dijeni, Statuti i Universitetit të Tiranës, është miratuar me Urdhrin nr. 816, datë 26.12.2018 të MASR-së, pra 3 muaj nga dërgimi i tij për miratim.
Për sa përket rekomandimit nr.3, grupi punës në raportin e kontrollit të datës 31.07.2018, përcaktonte si detyrë për t’u përmbushur: “Brenda muajit shtator 2018 Administratori i Universitetit të Tiranës, ka përgjegjësinë institucionale për të vendosur në funksion të plotë sistemet informative të Universitetit të Tiranës, në zbatim të rregullores “Për funksionimin e sistemit informatik në UT”.
Lidhur me përmbushjen e këtij rekomandimi, në raportin e datës 04.12.2018, grupi i punës, i relaton Ministrit të Arsimit se Administratori i Universitetit të Tiranës ka ndërmarrë disa veprime për përmbushjen e këtij rekomandimi, duke i dërguar shkresë disa institucioneve; por me vendimin nr.215, datë 11.09.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë pranë kësaj Gjykate për vendosjen e sekuestrimin e të dhënave kompjuterike që përmban sistemi kompjuterik i Universitetit të Tiranës. Për këtë shkak grupi punës vlerëson se rekomandimi nuk mund të zbatohet, deri në momentin e heqjes së sekuestros nga organet e zbatimit të ligjit.
Në Raportin e datës 04.12.2018, grupi i punës relaton se rekomandimet nr. 4, 6, 11, 12, nuk janë zbatuar, ndërkohë që për rekomandimin nr.5, edhe përse janë kryer veprimet përkatëse nga Rektori, sërish grupi punës konstaton se problematikat e shfaqura në raport qëndrojnë.
Nga shqyrtimi paraprak i këtij raporti, Presidenti i Republikës, paraprakisht, konstaton se grupi i punës i ngritur me Urdhrin nr.715, datë 25.10.2018, ka përmbyllur detyrat e tij, në datën 04.12.2018, me raportin e hartuar prej tij drejtuar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Konstatohet se kjo detyrë është realizuar përtej afatit të parashikuar në pikën 2 të urdhrit të ministrit, që përcaktonte se grupi punës të paraqesë raportin për zbatimin e secilit rekomandim, brenda datës 11.11.2018.
Nga praktika e administruar, konstatohet se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me shkresën nr.11215/1 prot., datë 07.12.2018, ka bërë vetëm përcjelljen e këtij raporti pranë Universitetit të Tiranës, por pa shprehur qëndrimin e tij mbi gjetjet e këtij raporti.
Pas një periudhe 4-mujore rezulton se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në muajin prill 2019, ndërmerr sërish angazhim për të rivlerësuar edhe një herë qëndrimin mbi plotësimin e rekomandimeve të lëna nga grupi i punës në raportin e datës 31.07.2018.
Konkretisht, i njëjti grup pune i ngritur me Urdhrin nr.715, datë 25.10.2018 “Për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve sipas raportit nr.8359 prot., datë 31.07.2018, në Universitetin e Tiranës”, i cili kishte hartuar Raportin e datës 04.12.2018, tashmë riaktivizohet sërish, duke hartuar një relacion me emërtimin “Mbi shkeljet e konstatuara në UT gjatë ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, bazuar në raportet dhe rekomandimet e grupit të punës që ka ushtruar kontrolle në këtë institucion”.
Ky relacion i Grupit të Punës, është miratuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr. 4158/1 prot., datë 12.04.2019, duke shprehur tashmë vullnetin mbi këtë akt të ri. Sipas përmbajtjes së këtij relacioni të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, evidentohet se nga 14 rekomandime të lëna nga grupi i punës, autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës, kanë përmbushur dhe reflektuar vetëm 8 rekomandime. Rekomandimet, për të cilat pretendohet se nuk janë zbatuar, dhe përgjegjësia për mosrealizimin e tyre, sipas raportit paraqiten si më poshtë:
1. Rekomandimi nr.3. Brenda muajit shtator 2018, Administratori i Universitetit të Tiranës ka përgjegjësinë institucionale të vendosë në funksion të plotë sistemin informatik të Universitetit të Tiranës, në zbatim të rregullores “Për funksionimin e sistemit informatik në UT”. (Grupi Punës vlerëson se rekomandimi nuk mund të zbatohet deri në çastin e heqjes së sekuetros nga organet e zbatimit të ligjit, Prokuroria. Sekuestro është vendosur nga Prokuroria dhe Gjykata me vendim nr.215, datë 11.09.2018). Në relacionin e datës 12.04.2019, për këtë çështje, grupi i punës ngarkon me përgjegjësi Rektorin e Universitetit të Tiranës, zotin Mynyr Koni, duke e vlerësuar këtë si shkelje të rëndë të pikës 3, të nenit 101 dhe nenit 102 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
2. Rekomandimi nr.4. Rektori dhe Administratori, brenda muajit shtator 2018, të marrin masa urgjente për vendosjen në funksion të plotë të zyrës së Arkiv-Protokollit, si zyrë që i shërben gjithë institucionit. Ky rekomandim nuk është plotësuar nga Rektori që ka në varësi këtë sektor. Rektori nuk ka lejuar që Administratori të ketë lejueshmëri në zyrën e protokoll-arkivit duke mos lejuar protokollimin e shkresave të administratorit pa miratimin e tij. Në këtë raport të datës 12.04.2019, Grupi i Punës, vlerëson se mosveprimi nga ana e Rektorit të UT-së, zoti Mynyr Koni për vendosjen në funksion të plotë të zyrës së protokoll-arkivit, përbën shkelje shumë të rëndë të ligjit nr. 9154 “Për arkivat”.
3. Rekomandimi nr.5. Rektori i UT-së, brenda muajit shtator 2018, të miratojë kriteret dhe procedurat e rekrutimit të personelit akademik, sikurse kanë vendosur njësitë kryesore të UT-së. Grupi punës konstatoi se jo të gjitha njoftimet janë për pozicionet vakante që janë shpallur. Për më tepër Rektori ka ndryshuar dhe ka shpallur kritere të ndryshme nga ato të propozuara nga njësia bazë. Grupi i punës konstaton se problematika vijon të qëndrojë. Gjithashtu, në relacionin e datës 12.04.2019, ka vlerësuar se mosveprimi nga ana e Rektorit të UT-së, zoti Mynyr Koni, për miratimin e kritereve dhe procedurave për rekrutimin e personelit akademik, konsiderohet shkelje shumë e rëndë të pikës 1, të nenit 64 dhe nenit 102 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Rekomandimi nr.6. Të merren masa të menjëhershme nga ana e Rektorit dhe Administratorit të UT-së që asnjë personel akademik apo administrativ të mos ushtrojë dy funksione me kohë të plotë për dy detyra të ndryshme. Në këtë relacion të datës 12.04.2019, grupi i punës ka vlerësuar se veprimi apo mosveprimi nga ana e Rektorit të UT-së, zoti Mynyr Koni, lidhur me moslejimin i dy punësimit me kohë të plotë brenda institucionit të personelit akademik, konsiderohet shkelje shumë e rëndë e pikës 2, të nenit 64 dhe nenit 102 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
5. Rekomandimi nr.8. Të ndërpritet menjëherë praktika e komandimit në detyrë e personelit akademik, pa u provuar nevoja e jashtëzakonshme e institucionit për lëvizje të kësaj natyre. Rektori duhet të rishikojë menjëherë të gjitha kontratat e përkohshme të lidhura nga ana e tij. Në këtë relacion të datës 12.04.2019, grupi i punës e vlerëson rekomandimin e plotësuar nga Rektori i Universitetit të Tiranës. Kjo është vlerësuar dhe parashikuar si normë edhe në Statutin e Universitetit të Tiranës, miratuar nga Senati Akademik në muajin shtator 2018, por komandimi në detyrë e personelit akademik nga ana e Rektorit të UT-së konsiderohet shkelje shumë e rëndë të neneve 64 dhe 66 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
6. Rekomandimi nr.11. Rektori të shpallë të pavlefshëm aktin e nxjerrë në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 47 të ligjit 80/2015. Rektori ka nxjerrë disa vendime për komandime në pozicione pune në rektorat dhe njësi kryesore në tejkalim të kompetencave të tij akademike dhe protokollare. Në këtë relacion të datës 12.04.2019, grupi i punës e vlerëson rekomandimin të pa plotësuar nga Rektori i Universitetit të Tiranës, pasi ai nuk ka shpallur asnjë akt të pavlefshëm, ndaj konsiderohet si një shkelje shumë e rëndë e ligjit nr.44/2015 “Kodi Procedurave Administrative” dhe ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Bazuar në këto vlerësime, grupi i punës në relacionin e hartuar në muajin prill 2019, ka përmbledhur shkeljet e kryera nga Rektori i Universitetit të Tiranës duke i rivlerësuar ato në cilësinë shkeljeve të rënda, dhe i rekomandon titullarit të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë (Ministrit) që, në përputhje me kompetencat që i jep ligji nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të vijojë me kryerjen e procedurave të parashikuara nga pika 10 e nenit 39 të ligjit nr. 80/2015, dispozitë kjo që parashikon pezullimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe propozimin e shkarkimit të tij.
Siç u evidentua më sipër ky relacion është miratuar nga Ministri i Arsimit me nr.4158/1 prot., datë 12.04.2019, duke shprehur kështu edhe vullnetin e tij. Bazuar në këtë akt, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë me shkresë nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, i ka propozuar Presidentit të Republikës, shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni, për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.
Së bashku me këtë propozim, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka përcjellë, ka vendosur në dijeni Presidentin e Republikës se, me Urdhrin nr.223, datë 12.04.2019, ka vendosur pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni, si dhe caktimin e zotit Bernard Dosti me detyrë Zëvendës rektorit në Universitetin e Tiranës, që të zëvendësojë Rektorin e pezulluar deri në përfundimin e çështjes me vendim të formës së prerë.
Me shkresë nr.4158/3, prot., datë 15.04.2019, të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i është përcjellë Universitetit të Tiranës, Urdhri nr.223, datë 12.04.2019, i MASR-së, “Për pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës”.
Gjatë vitit 2018 Presidenti i Republikës është informuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, mbi disa çështje që përbënin problem edhe për vet procesin e akreditimit të Universiteti të Tiranës, proces ky që tashmë është kapërcyer. Gjatë takimit të Presidentit të Republikës me Ministrin e Arsimit Nikolla, është rënë dakord që Universitetit të Tiranës t’i jepet koha e nevojshme për të realizuar përmbushjen e detyrave të caktuara për të kapërcyer problemet e lindura.
II. Pretendimet dhe parashtresat e Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni
Me qëllim zhvillimin e një procesi administrativ në transparencë të plotë, të drejtë dhe të paanshëm, Presidenti i Republikës ftoi në këtë shqyrtim për t’u njohur me aktet e këtij procedimi (Relacionin nr.4158/1 prot., datë 12.04.2019 dhe Urdhrin nr.223, datë 12.04.2019), për të dhënë shpjegimet e tij Rektorin e Universitetit të Tiranës, zotin Mynyr Koni, në cilësinë e palës së interesuar si pjesëmarrës në këtë proces. Rektori i UT-së, zoti Mynyr Koni, nëpërmjet një kërkese me shkrim (17 faqe) dhe dokumentacion shoqërues administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169/1 prot., datë 24.04.2019, parashtroi pretendimet e tij që paraqiten si më poshtë:
(i) Për mënyrën e zhvillimit të procesit nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë:
– Si Rektor i Universitetit të Tiranës, jam njohur me Urdhrin nr. 223 datë 12.04.2019 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë “Për pezullimin e Rektorit të UT-së”, me motivacionin: “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës”, vetëm nëpërmjet medias dhe jo në rrugë zyrtare.
– Ministri i Arsimit, përpara se të merrte një vendim të tillë ekstrem dhe aspak të mbështetur në fakte dhe prova, nuk më ka mundësuar një takim apo të më ketë dëgjuar për asnjë çast se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Universitetin e Tiranës dhe, sesi prej vitesh, ky vendim ishte inskenuar, ideuar, duke shfrytëzuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe duke përdorur apo detyruar në mënyrën më skandaloze drejtuesit e tyre, sikurse u vërtetua katërçipërisht edhe në rastin e vendimit më të fundit të Ministrit aktual të Arsimit.
(ii) Për vlefshmërinë e Urdhrit të Ministrit të Arsimit nr.223, datë 12.04.2019
– Urdhri nr.223 datë 12.04.2019 i Ministrit të Arsimit është në shkelje të hapur të nenit 57, pika 7 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë si dhe të nenit 39, pika 10 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, sepse në asnjë rast, neni 39 i ligjit nr.80/2015, nuk ka parashikuar që në rastet e pezullimit të Rektorit, zëvendësimin e tij nga Ministri i Arsimit me një Zëvendës rektor në detyrën e Rektorit.
– Procesi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, është kryer me shkelje ligjore, parregullsi dhe në përpjekje të vazhdueshme për të thënë të pavërtetën, apo për ta tjetërsuar atë në të gjitha format dhe mënyrat, proces ky që u përmbyll me nxjerrjen e këtij urdhri.
(iii) Për ushtrimin e presionit dhe cenimin e autonomisë universitare nga Ministria e Arsimit përgjatë gjithë periudhës 2017- 2019.
– Përgjatë viteve 2017 dhe 2018 në Universitetin e Tiranës janë paraqitur grupe pune apo grupe inspektimi nga institucione të ndryshme të shtetit shqiptar, në shumicën e rasteve nga 2-3 grupe njëkohësisht, gjë që është e paligjshme, dhe e dukshme që dikush nga lart e komandonte apo urdhëronte këtë gjë me qëllime të caktuara, për të trembur punonjësit, si dhe për të krijuar një frymë frike dhe terrori tek ata.
– Brenda një viti kalendarik (2017) në Universitetin e Tiranës janë dërguar 7 grupe kontrolli nga Ministria e Arsimit ku kanë kërkuar kryerjen e kontrolleve edhe në fushat ku MASR-së nuk i njihen me ligj, pa një program të mirë përcaktuar brenda kompetencave dhe fushës së përgjegjësisë së saj dhe pa një procedurë të përcaktuar.
– Ky fakt tregon se jo vetëm kanë qenë paragjykues, por njëkohësisht është ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Rektorit të UT-së, për të vetmen arsye që Institucioni i Rektorit ka kërkuar zbatimin e ligjit dhe marrjen e masave ndaj Bordit të Administrimit, ish-Kancelarit dhe ndaj Administratorit, për të cilët kam paraqitur shqetësime në mënyrë të vazhdueshme pranë Ministrit të Arsimit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.
– Inspektimet e vazhdueshme, pa mbështetje ligjore dhe pa kriter të MASR-së në Universitetin e Tiranës kanë cenuar rëndë autonominë universitare, gjë e cila nuk mund të lejohet.
Për të mbështetur këto pretendime, Rektori i UT, ka paraqitur bashkëngjitur shkresën nr.530 prot., datë 06.02.2017 të Rektorit të UT-së drejtuar Ministrit të Arsimit, nëpërmjet së cilës e njofton për shkeljet e kryera nga Kancelari dhe Bordi i Administrimit të UT-së, si dhe shkresat përkatëse nr.4444 prot., dhe nr.4446 prot., datë 20.10.2017 drejtuar Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit ku Rektori i Universitetit e informon Kryeministrin Rama dhe kërkon ndërhyrjen e këtij autoriteti për situatën e bllokimit institucional nga pikëpamja ekonomiko-financiare dhe administrative të Universitetit të Tiranës nga Kancelari, i cili me veprimet e tij ka penguar zbatimin e reformës në arsimin e lartë.
Gjithashtu, Rektori i UT-së, ka paraqitur të gjithë Urdhrat e Ministrisë së Arsimit: Urdhri nr. 97, datë 06.03.2017; urdhri nr. 386, datë 24.08.2017; urdhri nr.470, datë 02.10.2017; urdhri nr.482, datë 09.10.2017; urdhri nr.532, datë 23.10.2017; urdhri nr. 576, datë 10.11.2017; urdhri nr.655, datë 26.12.2017, me të cilët mbështet pretendimin e tij për kryerjen e inspektimeve të njëpasnjëshme, duke ushtruar presion mbi institucionin e arsimit të lartë të Universitetit të Tiranës.
(iv) Sqarime të Rektorit të UT-së, mbi raportin e Kontrollit, procesin e inspektimit dhe arsyet e paraqitura nga Ministri i Arsimit për pezullimin dhe propozimin e shkarkimit nga detyra.
– Pas hartimit të projekt raportit të grupit të punës i ngritur me Urdhrin nr.77 datë 16.02.2018 “Për ngritjen e Grupit të Punës për kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Universitetit të Tiranës, me aktet ligjore e nënligjore në fuqi”, janë paraqitur observacionet nga ana e Rektorit, brenda afateve të parashikuara ligjore.
– Në përfundim, pas 4 muajve, u përcoll në Rektoratin e Tiranës raporti i kontrollit i datës 31.07.2018, në të cilin janë lënë 14 rekomandime për autoritetet dhe organet drejtuese të UT-së dhe që sipas pretendimit aktual të Ministrit, vetëm Rektori nuk i ka zbatuar ato. Në fakt, rekomandimet e dhëna nga grupi i punës për Rektorin kanë qenë vetëm 6, dhe konkretisht: rekomandimet 1, 4, 5, 6, 8 dhe 11.
– Pas njohjes me këto rekomandime, ndonëse kam pasur rezerva për to, me shkresën nr. 846/11 datë 07.09.2018, i kam shprehur Ministrit së Arsimit qëndrimin tim zyrtar mbi rekomandimet e lëna nga raporti i grupit të punës.
– Në zbatim të urdhrit të Ministri i Arsimit nr.715 datë 25.10.2018, “Mbi zbatimin e rekomandimeve sipas raportit 8359, datë 31.07.2018 në UT”, me shkresën nr.846/14, datë 08.11.2018, i kam përcjellë grupit të punës informacionin përkatës në lidhje me zbatimin e rekomandimeve.
– Ministri i Arsimit, me shkresën nr.11215/1, datë 07.12.2018, ka përcjellë raportin e grupit të punës në Rektoratin e UT-së.
– Me shkresën nr.846/17, datë 27.12.2018, i jam drejtuar Ministrit të Arsimit, si autoriteti që kishte ngritur grupin e punës, duke pasur parasysh edhe objektin për të cilin u ngrit ai, ku i kam kërkuar qëndrimin zyrtar të saj mbi rekomandimet që kishte përgatitur grupi i punës. Në lidhje me këtë kërkesë, nuk mu kthye asnjë përgjigje.
– Duke vlerësuar me shumë vëmendje deklaratën për shtyp të Ministrit të Arsimit, ku bëri të ditur pezullimin e Rektorit dhe propozimin për shkarkim, Ministri ka cituar se Rektorit të Universitetit të Tiranës i është kërkuar urgjentisht funksionimi i sistemit informativ i Universitetit të Tiranës. Ministri i Arsimit në këtë rast, në mënyrë të qëllimshme, ngatërron kompetencat e Rektorit me ato të Administratorit, duke ngarkuar me përgjegjësi Rektorin e UT-së. Ky rekomandim i është lënë për plotësim dhe është detyrë e Administratorit dhe jo e Rektorit.
(v) Sqarime mbi Raportin e Kontrollit dhe plotësimin e rekomandimeve të lëna
– Në lidhje me rekomandimin nr.1, Ju sqaroj: Hartimi i Statutit të UT-së nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Rektorit, por është kompetencë e Senatit Akademik, i cili për hartimin e tij, ngriti grupin përkatës të punës. Megjithatë, në lidhje me këtë rekomandim, grupi i punës ka vlerësuar se është zbatuar. Statuti është miratuar nga Senati Akademik i UT-së në muajin shtator 2018, sipas rekomandimit dhe është miratuar me Urdhrin nr. 816, datë 26.12.2018 të MASR-së. Universiteti i Tiranës, në zbatim të statutit, do të procedojë me hartimin dhe miratimin e Rregullores së UT-së dhe të akteve të tjera rregulluese, ku do të bëhen rregullimet përkatëse.
– Në lidhje me rekomandimin nr.3 të raportit të kontrollit të grupit të punës, vënia në punë e sistemit i është lënë detyrë Administratorit të institucionit, i cili sipas raportit, brenda muajit shtator 2018 kishte përgjegjësinë institucionale për të vendosur në funksion të plotë sistemin informatik të UT-së, ndërkohë që në pretendimet aktuale Ministrja në mënyrë krejtësisht të pabazuar deklaron se për këtë ka përgjegjësi Rektori.
– Në lidhje me rekomandimin nr.4, sipas të cilit: “Rektori dhe Administratori i institucionit, brenda muajit shtator, të marrin masa urgjente për të vendosur në funksion të plotë ligjor zyrën e protokoll-arkivit, si zyrë që i shërben gjithë institucionit. Në statutin dhe aktet rregulluese ku të përcaktohen qartë detyrat dhe të drejtat e kësaj zyre në zbatim të ligjit për arkivat dhe ligjit 80/2015. Të adresohen menjëherë gjetjet e MASR-së në funksionimin e kësaj zyre dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.”, sqaroj se ;
– Në lidhje me këtë rekomandim, kam qartësuar në mënyrë të përsëritur pranë MASR-së se në regjistrin e korrespondencës së UT-së, janë lejuar të protokollohen të gjitha shkresat e nxjerra (firmosura) si nga Administratori, ashtu edhe nga Bordi i Administrimit në lidhje me kompetencat që u njeh ligji “Për arsimin e lartë” nr. 80/2015, datë 22.07.2015 dhe Statuti i UT-së.
– Në cilësinë e titullarit të institucionit, në varësi të të cilit ndodhet zyra e arkiv-protokollit, sipas nenit 23, pika 1 të ligjit nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për arkivat”, i cili parashikon se … “Arkivat e institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore janë pjesë organike e tyre dhe varen drejtpërdrejt nga drejtuesi i institucionit.”
– Sipas Udhëzimit nr. 27, datë 29.12.2017 të MASR-së “Për strukturat e brendshme akademike dhe administrative në institucionet publike të arsimit të lartë”, pika 3/m dhe pika 15, kam nxjerrë urdhrin nr.5, datë 15.02.2018 “Për administrimin e dokumenteve në Rektoratin e UT-së”, nga i cili rezulton qartë se janë lejuar të protokollohen dhe vulosen të gjitha shkresat e Administratorit të institucionit dhe të Bordit të Administrimit, sipas kompetencave të tyre ligjore. Në protokollin e institucionit janë evidencuar (protokolluar) edhe shkresa të veçanta të nxjerra nga Administratori i UT-së jashtë kompetencave ligjore të parashikuara nga neni 52 i ligjit nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Në mbështetje të këtij pretendimi, Rektori ka paraqitur kopje të urdhrit nr.5, datë 15.02.2018 “Për administrimin e dokumenteve në Rektoratin e UT-së”, si dhe aktet e administratorit nr.1245/1, nr.1245/2, nr.1246/1 dhe nr.1246/2, datë 04.04.2018.
– Rektori në pretendimet e tij, vijon sqarimin se, për sa i përket ndarjes që në sekretari të shkresave hyrëse në UT, sipas nenit 33, pika 4 të ligjit nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, kjo veprimtari nuk mund të rregullohet në statut, por me aktet rregulluese përkatëse të cilat do të hartoheshin pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Statutit dhe Rregullores së UT-së. Shkresat hyrëse në institucion i jepen Rektorit, i cili më pas i përcjell ato tek autoritetet apo strukturat përkatëse. Ky veprim i Rektorit, në cilësinë e titullarit të institucionit, është i bazuar si në nenin 23 të ligjit nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, ashtu edhe në nenin 9, Kreu III, të Rregullores së Brendshme të Punës “Për organizimin dhe funksionimin e administratës së Rektoratit të Universitetit të Tiranës”, “Dega e protokoll-arkivit”, pika 2, sipas të cilës: “Çdo dokument, shkresë dhe akt që vjen në institucion, pasi regjistrohet në regjistrin e korrespondencës, i jepet Rektorit dhe, në mungesë të tij, me porosi të posaçme të tij me shkrim, i jepet Zëvendës rektorit ose Kancelarit.”
– Grupi i punës i ngritur nga MASR-a, në mënyrë të vazhdueshme, ka mbajtur qëndrim të njëanshëm dhe joligjor në lidhje me funksionimin e zyrës së protokollit. Kjo vërtetohet edhe me faktin se, në asnjë çast, grupi i punës nuk ka konstatuar protokollin dhe vulën e veçantë që mbahet nga Bordi i Administrimit, si dhe veprimet e kryera me një vulë të paligjshme, për më tepër, në Degën e Thesarit nga ana e ish-Kancelarit, në kundërshtim të hapur me ligjin. Për këtë është shprehur edhe Sekretari i Përgjithshëm i MASR-së në shkresën e tij nr. 6232/1, datë 11.09.2017, në të cilën theksohet: “Universiteti i Tiranës duhet të përdorë një vulë zyrtare….”, e konfirmuar edhe nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nr.1/29, datë 10.03.2017 ku thuhet: “…. vula e prodhuar: Universiteti i Tiranës- Administratori – është vulë jozyrtare..” , si dhe nga shkresa nr.1/54, datë 22.02.2017 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit: “…...vula e prodhuar e Administratorit të UT, është për përdorim të brendshëm….”. Lidhur me këtë sqarim, Rektori i UT-së, Mynyr Koni, ka paraqitur bashkëlidhur aktet e sipërcituara, mbi të cilat mbështeten pretendimet e tij.
– Në lidhje me rekomandimin nr.5, sipas të cilit: “Rektori i UT-së, brenda muajit shtator, të miratojë kriteret dhe procedurat e rekrutimit të personelit akademik, siç njësitë kryesore kanë vendosur…….. Brenda muajit shtator UT-ja duhet të shpallë pozicionet vakante sipas kategorive të personelit akademik që i nevojiten departamenteve. Institucioni të marrë masa për shpalljen dhe plotësimin e vendeve vakante për personel akademik, në çdo njësi kryesore, sipas parashikimeve ligjore në fuqi, para fillimit të vitit të ri akademik, me personel me kohë të plotë”, vlerësimi i bërë nga grupi i punës se, “problematikat e shfaqura në raport vijojnë”, nuk qëndron.
– Procesi i rekrutimit të personelit akademik, është zhvilluar normalisht dhe në përputhje të plotë me nenin 39, pika 12; nenin 64, pika 1; nenin 126, pika 5 dhe nenin 142, pika 2 të ligjit “Për arsimin e lartë” nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe të nenit 25 të Statutit të UT-së, i cili ka qenë në fuqi deri në datën 26.12.2018. Kështu, janë zhvilluar procedura për rekrutimin e personelit akademik, pothuajse, në të gjitha njësitë kryesore (fakultete/institut) të Universitetit të Tiranës. Konkretisht: në Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Institutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar.
– Gjatë muajve shtator-tetor 2018 (përpara fillimit të vitit të ri akademik) janë përfunduar procedura konkursesh për vende të lira pune (të shpallura publikisht përpara mbërritjes së raportit nr. 8359, datë 31.07.2018 të grupit të punës) në Departamentin e Historisë, në Departamentin e Gjeografisë, në Departamentin e Kimisë Industriale, në Departamentin e Informatikës, në Departamentin e Kimisë, si dhe janë lidhur kontratat e punës përkatëse me kandidatët e shpallur fitues nga konkurset publike.
– Përpos këtyre fakteve, në respektim të rekomandimit nr.5 të lënë nga grupi i punës, me shkresën nr. 3938, datë 03.09.2018, Rektori u ka kërkuar të gjitha njësive kryesore dhe njësive të tjera në përbërje të UT-së, të përcjellin kriteret e përcaktuara nga njësitë bazë përkatëse, bazuar në nevojat e këtyre të fundit, duke përcaktuar saktë numrin dhe kategorinë e personelit akademik që do të punësohej, me qëllim plotësimin e vendeve vakante në çdo njësi bazë, sipas parashikimeve ligjore në fuqi, para fillimit të vitit akademik 2018-2019. Në përgjigje të kësaj kërkese të Rektorit, nuk i është përcjellë asnjë praktikë për miratim të kritereve nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, nga Fakulteti i Shkencave Sociale dhe nga Instituti i Studimeve Evropiane i UT-së.
– Problematikë vijoi të mbetet situata me Fakultetin e Ekonomisë. Me shkresën nr.1266/1, datë 19.09.2018 të Fakultetit të Ekonomisë janë përcjellë kriteret për vende pune në Departamentin e Financës dhe të Kontabilitetit. Në vijim të kësaj shkrese, me tonën nr. 4250/1, datë 28.09.2018 drejtuar Fakultetit të Ekonomisë dhe, për dijeni, dy departamenteve është kërkuar përcaktimi i kategorisë dhe i notës mesatare për çdo cikël studimi. Nga ana e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë kthehet përgjigje me shkresën nr.1266/3, datë 09.10.2018, nga e cila rezulton se nuk ka përmbushur për sa i kërkohej. Në vijim, me shkresën e Rektorit nr. 4250/3, datë 12.10.2018 i është kërkuar Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë të zbatojë funksionet që i ka përcaktuar ligji 80/2015, në nenin 42 të tij. Nga ana e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, me shkresën nr. 1266/5, datë 16.10.2018 vijon të mos respektohet dispozita e mësipërme. U vërejt se nga ana e njësive bazë nuk u kthye asnjë përgjigje; pra nuk pati asnjë reagim mbi shkresën nr. 4250/1, datë 28.09.2018 të Rektorit. Për këtë qëllim, Rektori me shkresën nr. 4250/5, datë 24.10.2018, i drejtohet përsëri Departamentit të Financës dhe të Kontabilitetit për zbatimin e detyrimit të tyre të drejtpërdrejtë ligjor.
– Ndërkohë, është konstatuar se në mënyrë të paligjshme në shkelje të nenit 64, pika 1, të ligjit nr. 80/2015, nga ana e Fakultetit të Ekonomisë është bërë shpallja për 14 vende të lira pune për personel akademik në Buletinin nr. 38, datë 24.09.2018 të Agjencisë së Prokurimit Publik. Pas konstatimit të këtij fakti, me shkresën nr. 4379, datë 28.09.2018 i është kërkuar sqarim Fakultetit të Ekonomisë dhe, për dijeni, departamenteve në lidhje me këtë veprim, që vjen hapur në kundërshtim me nenin 64, pika 1, pasi janë shpallur vende të lira pune pa u përcjellë dhe pa u miratuar më parë kriteret nga ana e Rektorit.
– Gjithashtu, është konstatuar se në mënyrë të paligjshme në shkelje të nenit 64, pika 1 të ligjit nr. 80/2015, po nga ana e Fakultetit të Ekonomisë, është bërë shpallja për 24 vende të lira pune për personel akademik në Buletinin nr. 41, datë 15.10.2018 të Agjencisë së Prokurimit Publik. Edhe pas konstatimit të këtij fakti, me shkresën nr. 4858, datë 24.10.2018 i është kërkuar sqarim Fakultetit të Ekonomisë dhe departamenteve në lidhje me këtë veprim, që vjen hapur në kundërshtim me nenin 64, pika 1, pasi janë shpallur vende të lira pune pa u përcjellë dhe pa u miratuar më parë kriteret nga ana e Rektorit.
– Nga ana e Fakultetit të Ekonomisë me shkresën nr. 1266/13, datë 30.10.2018, janë përcjellë shkresat e pesë autoriteteve drejtuese të njësive bazë (përjashtuar Departamentin e Kontabilitetit) datë 29.10.2018 drejtuar Rektorit ku shprehen se kriteret për vende pune të ndryshme janë të njëjta dhe janë të miratuara që në vitin 2016-2017 për vendet e lira të shpallura që në ato vite.
– Theksoj se kriteret e punësimit të miratuara për vitin 2016-2017, janë përmbyllur në Departamentin e Ekonomisë, në Departamentin e Statistik-Informatikës së zbatuar dhe në Departamentin e Financës. Në këto kushte, është vlerësuar absurde të pretendosh që të përdorësh të njëjtat kritere për punësim, pasi kriteret miratohen rast pas rasti, sipas nevojave konkrete të njësisë bazë të departamentit.
– Me shkresat nr.4858/2, nr. 4858/6, datë 08.11.2018 Rektori u ka kërkuar përsëri Departamenteve të Fakultetit të Ekonomisë që të respektojnë detyrimin ligjor për përcaktimin dhe përcjelljen për miratim të kritereve për vendet e punës përkatëse.
– Ndërkohë Fakulteti i Drejtësisë, me shkresën nr.880/1, datë 28.09.2018, ka pretenduar se kriteret janë përcjellë që në vitin 2017. Me shkresën e Rektorit nr. 4378/1, datë 05.10.2018 drejtuar Fakultetit të Drejtësisë dhe, për dijeni, tri njësive bazë (departamenteve) të këtij Fakulteti u është rikërkuar edhe një herë përcaktimi i kritereve të punësimit të personelit akademik me kohë të plotë, bazuar në nevojat e njësive bazë. Në vijim, me shkresën nr. 880/6, datë 18.10.2018 Fakulteti i Drejtësisë ka përcjellë kriteret. Pas verifikimit të kritereve, këto të fundit janë miratuar me Vendimin nr. 169, datë 25.10. 2018 të Rektorit dhe me shkresën nr. 4378/4, datë 25.10.2018 është bërë njoftimi për 26 vende të lira pune në Agjencinë e Prokurimit Publik.
– Në asnjë rast, kriteret e përcaktuara nga njësitë bazë (departamentet) të Fakultetit të Drejtësisë, nuk janë ndryshuar nga Rektori, sikurse citon grupi i punës. Përkundrazi, në cilësinë e autoritetit drejtues, i cili miraton kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për personel akademik (neni 64, pika 1 e ligjit nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”), kriteret e punësimit vetëm janë saktësuar sipas kërkesave të nenit 59, pika 4 të këtij ligji dhe është përcaktuar kriteri i notës mesatare vetëm për personelin akademik të kategorisë “Asistent-Lektor”.
– Pas verifikimit të kritereve, këto të fundit janë miratuar me Vendimin nr. 167, datë 22.10.2018 të Rektorit dhe me shkresën nr. 4272/4, datë 24.10.2018 është bërë njoftimi për vendet e lira të punës në Agjencinë e Prokurimit Publik.
– Në respektim të procedurës dhe kërkesave të parashikuar nga ligji dhe në komunikim shkresor, janë verifikuar dhe miratuar kriteret e punësimit dhe është bërë shpallja dhe njoftimi për vendet e lira të punës në Agjencinë e Prokurimit Publik, Filialin e Universitetit të Tiranës në Sarandë, Institutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kjo konfirmon faktin se në respektim rekomandimit nr.5, Rektori ka ushtruar kompetencën që i njeh neni 64, pika 1 e ligjit 80/2015, duke kërkuar me shkresën nr.3938, datë 03.09.2018, përcjelljen e kritereve të përcaktuara nga njësitë bazë përkatëse, bazuar në nevojat e këtyre të fundit.
– Në disa raste kanë qenë disa autoritete drejtuese, pra disa dekanë dhe disa përgjegjës të departamenteve, të cilët nuk kanë përcjellë kriteret sipas detyrimeve ligjore; për më tepër, që përcaktimi i kategorisë të personelit akademik, është kërkuar edhe në raportin e grupit të punës.
– Pas periudhës prill-maj 2017 e në vijim, vetëm Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, në bashkëpunim me përgjegjësit e departamenteve, nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore për përcaktimin e kategorisë së personelit akademik që do të punësohej, duke penguar në këtë mënyrë, miratimin e kritereve dhe rekrutimin e personelit akademik. Për këtë me shkresë nr.2152 prot., datë 23.04.2019, i jam drejtuar organit të Prokurorisë.
– Aktet dhe shkresat e mësipërme, i janë përcjellë prej meje grupit të punës që ka ushtruar kontrollin, por nuk janë vlerësuar aspak prej tij, por në mënyrë të njëanshme dhe të qëllimshme, ka tjetërsuar faktet dhe të vërtetën.
Në mbështetje të këtyre pretendimeve, Rektori i UT-së, ka paraqitur bashkëlidhur ankesës së tij një material voluminoz shkresor ku pasqyrohet dokumentacioni përkatës i komunikimit, i mbajtur nga Rektori me drejtuesit e institucioneve në plotësim të rekomandimit nr.5,.
– Në lidhje me rekomandimin nr.6, sipas të cilit “duhet rishikuar marrëdhënia e punës e zotit Çlirim Duro, i cili ushtron dy detyra me kohë të plotë brenda institucionit”, ndonëse e kemi sqaruar Ministren dhe grupin e punës, konfirmojmë se ngarkimi i personelit akademik edhe me detyra të tjera që lidhen me administrimin e procesit mësimor, me kurrikulat, me programet mësimore, etj., këto nuk janë funksione administrative sikurse është trajtuar në këtë pikë të rekomandimeve, por, përkundrazi, konsiderohet kontribut për institucionin, si një nga drejtimet e veprimtarisë së personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, në zbatim të pikës 2/c të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) nr.329 datë 12.04.2017 “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”.
– Ajo që përmendet në raport për ndalimin e rasteve të dy punësimit me kohë të plotë në Universitetin e Tiranës, ka të bëjë vetëm me rastin e Prof. Asoc. Dr. Çlirim Duro, i cili është komanduar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në muajin shtator 2016. Më pas, siç edhe shkruhet në raport, Prof. Asoc. Dr. Çlirim Duro, pas një procedure konkursi publik, është emëruar personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Historisë të Fakultetit të Histori-Filologjisë me Vendimin nr.56, datë 10.04.2017 të Rektorit. Për këtë arsye, sipas raportit, kjo bie ndesh me pikën 16 të VKM-së nr.329, datë 12.04.2017 “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”.
Në lidhje me këtë çështje, Rektori UT-së, Mynyr Koni, rikonfirmon se pas emërimit si personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Historisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, zoti Çlirim Duro nuk ka pasur më kontratë pune si drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në Rektorat dhe si rrjedhim, as nuk është paguar për këtë punë.
Për të provuar këtë fakt, Rektori Koni ka paraqitur shkresën e Rektorit nr.1594, datë 14.04.2017, drejtuar Drejtorisë së Financës dhe Buxhetit në Rektorat.
– Rektori i UT vijon sqarimin e tij se, “Dy punësimi” i zotit Çlirim Duro nuk është aspak i vërtetë, sikurse pretendohet nga grupi i punës, sepse ai ka vetëm një kontratë pune me UT-në si personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Historisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dhe për punën që bën si Drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në Rektorat, nuk paguhet. Në zbatim të pikës 2/c të VKM-së nr.329, datë 12.04.2017 “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”, puna që kryhen në Rektorat si drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në Rektorat, është një nga drejtimet e punës së tij (kontribut institucional).
– Në lidhje me këtë çështje Rektori Koni, i bën me dije Presidentit se duke vlerësuar rëndësinë akademike të kësaj drejtorie, gjithmonë në këtë pozicion pune, kanë qenë të komanduar personel akademik (p.sh. në vitet 2008-2013 në këtë detyrë ka qenë i komanduar prof. dr. Xheladin Çeka, personel akademik në Fakultetin e Mjekësisë, etj.)
– Në lidhje me rekomandimin nr.8, sipas të cilit: “Të ndërpritet menjëherë praktika e komandimit në detyrë të personelit akademik, pa u provuar nevoja e jashtëzakonshme e institucionit për lëvizje të kësaj natyre. Nevoja institucionale për emërime të përkohshme duhet të lindë nga njësia bazë; konfirmohet nga njësia kryesore dhe miratohet nga Rektori i UT-së. Në këtë kuptim, nga ana e Rektorit të UT duhet të rishikohen menjëherë të gjitha kontratat e përkohshme të lidhura nga ana e tij. Në statutin e institucionit duhet të ketë një rregullim të hollësishëm dhe për këtë aspekt”, të cilin grupi i punës e ka konsideruar si rekomandim të paplotësuar, Rektori i UT, pretendon se ky fakt nuk qëndron.
– Rektori i UT sqaron se, Universiteti i Tiranës ka pasur vetëm një rast punësimi të personelit akademik me praktikë komandimi në Filialin e UT-së Sarandë dhe ku nevoja e justifikuar e punësimit është kërkuar nga Filiali i Universitetit Sarandë. Megjithatë, në vlerësim të rekomandimit është publikuar ky pozicion pune dhe, më pas, është plotësuar nëpërmjet konkurrimit publik.
– Në lidhje me rekomandimin nr.11, sipas të cilit “Rektori të shpallë të pavlefshëm aktin e nxjerrë në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 47 të ligjit nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” në mënyrë të menjëhershme”, grupi i punës, pas verifikimit të rekomandimeve e ka konsideruar të pazbatuar. Mbi këtë rekomandim Rektori Koni, argumenton se zbatimi i tij nuk është pranuar me arsyetimin se… Bordi i Administrimit nuk ka asnjë kompetencë të njohur nga nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, për të disponuar me akte për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të nxjerra nga Rektori, siç ka ndodhur në rastin konkret. Sipas ligjit të arsimit të lartë 80/2015, Rektori dhe Bordi i Administrimit i kanë kompetencat të mirë përcaktuara, përkatësisht në nenin 39 dhe në nenin 49 të tij. Në asnjë prej tyre, Bordi i Administrimit nuk ka kompetencë të shpallë të pavlefshme aktet e nxjerra nga Rektori.
Referuar fakteve të arsyetuara dhe provave që shoqërojnë ankesën e përcjellë, Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, evidenton faktin se jo vetëm që ka pranuar dhe ka bashkëpunuar për zbatimin e rekomandimeve, por edhe ka zbatuar pjesën më të madhe të rekomandimeve; ndërkohë që për rekomandimet që vinin në kundërshtim me ligjin, ka paraqitur argumentet ligjore përkatëse nëpërmjet shkresave nr.846/11 prot., datë 07.09.2018 dhe nr.846/14 prot., datë 8.11.2018 që Rektori i UT-së, zoti Mynyr Koni i ka drejtuar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zonjës Lindita Nikolla, për të cilat nuk ka marrë përgjigje .
– Përpos parashtrimeve të mësipërme, Rektori i UT-së, z.Mynyr Koni, bën me dije Presidentin e Republikës se ndaj grupit të punës të ngritur me Urdhrin nr.77, datë 16.02.2018 të Ministrit të Arsimit, i cili ka hartuar raportin dhe ku është mbështetur pezullimi nga detyra e Rektorit të UT-së, ai ka paraqitur kallëzimin penal nr.1787 prot., datë 16.04.2018 pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Për këtë z.Mynyr Koni ka paraqitur kopje të kallëzimit penal nr.1787, datë 16.04.2018.
– Gjithashtu, zoti Rektori i UT z.Mynyr Koni konfirmon se në vitin 2017 ka bërë kallëzim penal edhe ndaj ish-Kancelarit dhe Administratorit të UT-së, fakt ky që konfirmohet me shkresën nr.2152 prot., datë 23.04.2019 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë se ky organ ka regjistruar çështjen penale 8052, për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (shpërdorimi i detyrës) të bërë nga ana e Rektorit të UT-së, në ngarkim të ish-Kancelarit dhe Administratorit të UT-së dhe po hetohet nga Prokurori NT. Gjithashtu, në këtë shkresë organi Prokurorisë konfirmon se për kallëzimin e bërë nga Rektori Universitetit të Tiranës në shkurt të vitit 2019, ky organ ka regjistruar procedimin penal nr.3208/2019, në ngarkim të organeve drejtuese të Fakultetit të Ekonomisë, çështje kjo që po hetohet nga Prokurori A.Q.
– Rektori i UT-së, zoti Mynyr Koni, në pretendimet e paraqitura informon Presidentin e Republikës se një nga pasojat e rënda që ka sjellë ky raport është edhe mbështetja e subjekteve nën hetim për shkak të kallëzimeve të shumta penale të bëra nga institucioni i Rektorit që prej muajit shkurt të vitit 2017 e në vazhdim, në lidhje me veprimet abuzive në shpërdorim të detyrës të ish-Kancelarit, dhe të Administratorit të UT-së, të mbështetur në veprimtarinë e tyre nga Bordi i Administrimit dhe të Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë.
– Rektori i UT-së, zoti Mynyr Koni, ka parashtruar në pretendimet e tij me shkrim se gjatë periudhës që ushtron mandatin e tij, ka pasur një komunikim të vazhdueshëm zyrtar shkresor me Bordin e Administrimit, ku ka ngritur shumë pretendime, por dhe ka paraqitur kërkesa të ndryshme për marrjen e masave nga ana e Bordit në funksion të mirë organizimit të punës në Universitetin e Tiranës.
– Rektori, thekson se jo vetëm që gjithçka që ka ngritur nuk është zgjidhur, por për shkresat e tij Bordi i Administrimit nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare, gjë e cila tregon për një mungesë të theksuar serioziteti nga ana e atij Bordit të Administrimit dhe Administratorit, apo papërgjegjshmëri në kryerjen e detyrës, çka ka sjellë dhe mos përmbushje të detyrave dhe kompetencave që i njeh ligji këtij organi (Bordit), si:
Mos realizimin e investimeve në Universitetin e Tiranës, sidomos infrastrukturës së tij;
Pengim në realizimin e projekteve ndërkombëtare;
Pengesa në organizimin e ditëve të informimit për maturantët në UT etj.
Në mbështetje të këtij pretendimi Rektori i UT-së, ka paraqitur përpara Presidentit të Republikës kopje të 20 (njëzetë) shkresave zyrtare që Rektori i UT-së i ka përcjellë Bordit të Administrimit.
Për më tepër Rektori pretendon se, ky propozim i MASR-së, ishte i pritshëm prej tij, pasi që nga çasti i marrjes së detyrës si Rektor i Universitetit të Tiranës, ka qenë një rrugëtim i vështirë dhe më është dashur të përballem me situata dhe ngjarje aspak të këndshme as për mua, dhe as familjen time, si dhe tepër fyese për personin tim.
Rektori Koni, parashtron në ankesën e tij se sulmet e vazhdueshme në media që nga muaji shkurt 2018 e në vazhdim, pa asnjë arsye dhe fakt, të Kryeministrit dhe tashmë të Ministres të Arsimit, nuk janë gjë tjetër, veçse përfundimi i një skenari të shkruar, ideuar, instrumentuar dhe drejtuar nga vetë qeveria.
Për gjithë sa ka parashtruar dhe cituar në ankesën e tij Rektori i Universitetit të Tiranës, ka paraqitur dokumentacionin shoqërues me të cilin provon pretendimet e tij.
III. Vlerësimi i Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës, në mbështetje të kuadrit kushtetues, ligjor dhe nënligjor që rregullon organizimin dhe veprimtarinë në institucionet e arsimit të lartë, shqyrtoi propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke bërë një vlerësim të thellë dhe krahasues të propozimit të Ministrit të Arsimit me pretendimet, argumentet dhe provat e paraqitura nga Rektori i Universitetit të Tiranës z.Mynyr Koni, duke konsideruar parësor interesin publik, si dhe garantimin e autonomisë dhe lirisë akademike në institucionet e arsimit të lartë. Presidenti i Republikës, pas shqyrtimit të çështjes konstaton dhe vlerëson si më poshtë:
i. Për legjitimimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë në propozimin për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe qëndrimin e tij në këtë proces.
Ligji nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, është akti kryesor rregullues që përcakton rolin e shtetit në arsimin e lartë, si dhe rregullat e krijimit, organizimit, drejtimit, administrimit dhe financimit të institucioneve të arsimit të lartë.
Sipas parashikimeve të nenit 5 të këtij ligji, shteti ushtron funksione rregulluese dhe krijuese të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe nëpërmjet organeve e strukturave të tij, ka përgjegjësinë që të garantojë autonominë e lirinë akademike të institucioneve të arsimit të lartë, të financojë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, por njëkohësisht edhe të përcaktojë e monitorojë standardet brenda këtij sistemi, duke vlerësuar cilësinë dhe funksionimin e tij.
Sipas dispozitave të ligjit nr.80/2015, një rol shumë i rëndësishëm dhe kryesor i është dhënë ministrisë përgjegjëse për arsimin, si institucioni që realizon programin e qeverisë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kompetencat kryesore të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, janë të përcaktuara në nenin 7 të ligjit nr.80/2015, ku në pikën 2, germa “e”, Ministria kontrollon pajtueshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, ndërkohë që në nenin 116, pika 2 parashikohet se kontrolli dhe auditimi i jashtëm në institucionet e arsimit të lartë kryhen nga kontrollues të brendshëm ose të jashtëm, të përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për arsimin sipas listës së përditësuar çdo vit nga Ministria e Financave.
Në rastin konkret ky proces është filluar nga Ministri i Arsimit me nxjerrjen e urdhrit nr.77, datë 16.02.2018 “Për ngritjen e grupit të punës për kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Universitetit të Tiranës me aktet ligjore e nënligjore në fuqi” dhe urdhrin nr. 715, datë 25.10.2018 “Për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve sipas raportit nr. 8359 prot., datë 31.07.2018 në Universitetin e Tiranës”.
Nëpërmjet këtyre urdhrave, Ministri i Arsimit ka ngritur një grup pune, pra një organ ad-hoc, i cili ka pasur detyra të përcaktuara dhe një afat kohor për ti raportuar autoritetit epror, pra Ministrit, rezultatet, gjetjet dhe konstatimet në këto kontrolle.
Në përfundim të kontrollit grupi i punës ka hartuar raportin e kontrollit nr.8359 prot., datë 31.07.2018 ku ka evidentuar shkeljet e pretenduara dhe, në përfundim, janë lënë edhe 14 rekomandime për t’u zbatuar sipas afateve të përcaktuara për secilën nga strukturat drejtuese të Universitetit të Tiranës.
Në vijim Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka nxjerrë urdhrin nr.715, datë 25.10.2018 “Për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve sipas raportit nr. 8359 prot., datë 31.07.2018 në Universitetin e Tiranës”. Sipas pikës 2 të këtij urdhri, grupi i punës duhet të paraqiste, brenda datës 11.11.2018, një raport pranë Ministrit të Arsimit, për zbatimin e secilit rekomandim.
Nga shqyrtimi i këtij raporti, konstatohet se grupi i punës, i ngritur me urdhrin nr.715, datë 25.10.2018, ka përmbyllur funksionet e tij në datën 04.12.2018 nëpërmjet raportit të hartuar drejtuar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Konstatohet se kjo detyrë është përmbushur përtej afatit të parashikuar në pikën 2 të urdhrit të ministrit, i cili ishte data 11.11.2018.
Në këtë raport që ishte akti, ku u verifikuan të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, konstatohet se, Ministri i Arsimit, si autoriteti që do të duhej të mbante një qëndrim të shprehur dhe orientues për Universitetin e Tiranës, nuk ka mbajtur një qëndrim se cili ishte vendimi i tij, apo cila do të ishte procedura vijuese në mënyrë që çdo gjetje apo konstatim të vlerësohej sipas kërkesave të ligjit.
Nga praktika e administruar, konstatohet se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me shkresën nr.11215/1 prot., datë 07.12.2018, ka bërë vetëm përcjelljen e këtij raporti pranë Universitetit të Tiranës, pa shprehur qëndrimin e tij. Qëndrimi i Ministrit të Arsimit, ishte i nevojshëm dhe i detyrueshëm, pasi ai është autoriteti epror i grupit të punës, ndaj gjetjeve dhe konstatimeve të të cilit Rektori i Universitetit të Tiranës kishte paraqitur në vijimësi pretendime dhe kundërshtime përgjatë gjithë periudhës qoftë gjatë periudhës kontrolluese fillestare, ashtu dhe të verifikimit të plotësimit të rekomandimeve.
Presidenti i Republikës, konstaton se të dy raportet e grupit të punës si raporti nr.8359/1 prot., datë 31.07.2018, ashtu edhe raporti i datës 04.12.2018, nuk reflektojnë asnjë qëndrim të shprehur të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e për më tepër këto akte nuk përmbajnë as nënshkrimin e këtij autoriteti (Ministrit).
Përcjellja procedurale e këtyre raporteve pa qëndrim të autoritetit që ka urdhëruar kontrollin, krijon bindjen se këto rekomandime të grupeve të punës janë përcjellë nga Ministri i Arsimit me qëllim përmirësimin e vazhduar të punës nga autoritetet e Universitetit të Tiranës.
Aktet e nxjerra nga Ministri i Arsimit si urdhri nr.77, datë 16.02.2018 dhe urdhri nr.715, datë 25.10.2018 parashikojnë si detyrim që grupi i punës në përfundim të procedurave të paraqesë pranë Ministrit të Arsimit raportet përkatëse, të cilat do t’i shërbenin ministrit për të mbajtur një qëndrim përfundimtar mbi gjetjet dhe konstatimet.
Presidenti i Republikës, vlerëson se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me dërgimin e raportit të grupit të punës me shkresën nr.11213/1 prot., datë 07.12.2018, duket se e ka përmbyllur çështjen e procesit mbi kontrollin e ushtruar sipas urdhrave të tij.
Për më tepër, konstatohet se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk është shprehur për vlerësimin e kundërshtimeve të Rektorit të Universitetit të Tiranës mbi disa çështje, gjetje apo vlerësime të grupit të punës që ai i ka paraqitur gjatë ushtrimit të kontrollit, por edhe pas zbardhjes së raporteve përfundimtare, për të cilat ai ka vlerësuar se bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Me këtë zgjedhje për të mos u shprehur duket se Ministri i Arsimit, në rastin konkret, ka vlerësuar të mbajë një qëndrim asnjanës, në mënyrë që Universiteti i Tiranës, të vijojë punën për të përmirësuar dhe plotësuar në vijimësi kuadrin rregullues, funksionimin e organeve drejtuese akademike dhe administrative, si dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për të përmbushur edhe çështjet e tjera me qëllim përmirësimin e veprimtarisë dhe misionit të tij.
Në ndryshim tërësor të qëndrimit të mbajtur nga ish-Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë në muajin dhjetor 2018, rezulton se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në muajin prill 2019, ndërmerr një tjetër angazhim për të rivlerësuar edhe një herë qëndrimin mbi plotësimin e rekomandimeve të lëna nga grupi i punës në raportin e datës 31.07.2018 dhe konstatimeve në raportin e datës 04.12.2018.
Konkretisht, i njëjti grup pune i përcaktuar me urdhrin nr.715, datë 25.10.2018 “Për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve sipas raportit nr.8359 prot., datë 31.07.2018 në Universitetin e Tiranës” dhe që kishte hartuar një herë raportin e datës 04.12.2018, riaktivizohet sërish, duke hartuar tashmë një relacion me emërtimin “Mbi shkeljet e konstatuara në UT gjatë ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, bazuar në raportet dhe rekomandimet e grupit të punës që ka ushtruar kontrolle në këtë institucion”.
Por, konstatohet se riaktivizimi i grupi të punës dhe veprimtaria e tij është përtej afateve, procedurave dhe objektit në shkelje të urdhrit të ministrit nr.715, datë 25.10.2018. Sipas akteve të administruara, nuk rezulton asnjë urdhër tjetër i ministrit që të riaktivizonte këtë grup pune me qëllim rivlerësimin e çështjes.
Grupi i punës, i ngritur me urdhrin e Ministrit të Arsimit nr.77, datë 16.02.2018 dhe nr.715, datë 25.10.2018, si një strukturë e përkohshme e kishte përmbyllur objektin e punës së tij më datë 04.12.2018, me paraqitjen ndaj Ministrit të Arsimit, të raportit me vlerësimet e tij mbi gjendjen e plotësimit të rekomandimeve nga organet drejtuese të Universitetit të Tiranës.
Sa më sipër, konstatohet se ky proces pune, i përfunduar në muajin dhjetor 2018, tashmë rifillon edhe një herë në muajin prill 2019, por këtë herë, pa ndonjë akt të Ministrit të Arsimit, që të urdhëronte realizimin e një detyre të tillë.
Pra provohet qartë se, riaktivizimi vetiu i grupit të punës që e kishte përmbyllur funksionin e tij, prej më se 4 muajve, tregon se ky grup pune ka vepruar përtej kompetencave të tij, jashtë afatit të përcaktuar të veprimtarisë dhe i diktuar nga autoriteti i Ministrit të Arsimit për arritjen e një qëllimi të caktuar që do të finalizohej me propozimin për shkarkim të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni.
Kjo qasje subjektive dhe arbitrare provohet edhe nga fakti se ky relacion i ri, i hartuar vetiu dhe pa ndonjë kërkesë zyrtare të ministrit, që në titull dhe në përmbajtjen e tij, nuk trajton evidentimin e përgjegjësisë për gjithë organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, por vetëm përgjegjësitë në adresë të Rektorit të Universitetit të Tiranës, si organi i vetëm drejtues që ka shfaqur problematikë.
Ky relacion i ri i grupit të punës, është miratuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr. 4158/1 prot., datë 12.04.2019. Sipas këtij relacioni është evidentuar se nga 14 rekomandime të lëna nga grupi i punës, autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës kanë përmbushur dhe reflektuar vetëm 8 rekomandime, që do të trajtohen më poshtë në këtë vlerësim. Në relacionin nr. 4158/1 prot., datë 12.04.2019 të Ministrisë së Arsimit, vlerësohet për herë të parë se gjetjet dhe konstatimet e grupit të punës dhe mos përmbushja e rekomandimeve përbën shkelje të rëndë të ligjit nga Rektori i Universitetit të Tiranës.
Bazuar në relacionin nr.4158/1 prot., datë 12.04.2019, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me shkresë nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, i ka propozuar Presidentit të Republikës, shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni, për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi. Ky propozim është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019.
Në lidhje me të drejtën e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të propozuar shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Presidenti i Republikës evidenton se kjo është një e drejtë që parashikohet nga pika 10, e nenit 39 të ligjit, në të cilën parashikohet se: “Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje”.
Sipas dispozitës së mësipërme, Ministri Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në të drejtën e tij ligjore që të propozojë një nismë të tillë, sipas vlerësimit të bërë prej tij. Njëkohësisht, është në kompetencën e Presidentit të Republikës që të verifikojë dhe vlerësojë jo vetëm faktin nëse ky propozim është i mbështetur në ligj dhe në prova, por dhe procedurën që është ndjekur për paraqitjen e tij. Kushtetuta i ka dhënë një rol të veçantë Presidentit të Republikës që, në këtë proces, nuk mund të jetë kurrsesi formal për t’u shprehur me një akt mbi propozimin e paraqitur.
Në cilësinë e Kreut të Shtetit, Presidenti i Republikës, si një institucion asnjanës dhe mbi palët, ka për detyrë që të verifikojë edhe nëse mekanizmat ligjorë dhe kushtetues kanë funksionuar siç duhet, në mënyrë që të mos cenohen parimet kushtetuese.
Konkretisht, në nenin 57, pika 7 të Kushtetutës, parashikohet se autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj. Pikërisht për ruajtjen dhe balancimin e duhur mbi këtë çështje Kushtetuta, në nenin 92/g të saj, ka përcaktuar si kompetencë të Presidentit edhe emërimin e rektorëve të universiteteve sipas ligjit. Në këtë frymë, ligji nr. 80/2015 në nenin 39, pika 8, 10 ka përcaktuar se është po Presidenti i Republikës autoriteti i vetëm kushtetues që mund të marrë një vendim përfundimtar të shprehur me dekret për shkarkimin ose jo të Rektorit të Universitetit të Tiranës, duke pranuar, apo duke rrëzuar propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin.
Kushtetutë-bërësi i ka dhënë Presidentit të Republikës kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë me propozim të Ministrit të Arsimit, pikërisht për të garantuar zbatimin e parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllim shmangien e ndikimit të ekzekutivit në këto institucione, në mënyrë që, të garantohet sa më mirë qoftë autonomia dhe liria akademike në institucionet e arsimit të lartë, por dhe neutraliteti politik i tyre.
Presidenti i Republikës evidenton se Ministri i Arsimit, në ndërmarrjen e këtij propozimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është konsultuar apo nuk ka komunikuar paraprakisht me Presidentin e Republikës. Konsultimi dhe diskutimi paraprak mbi këto propozime nuk është një detyrim i shprehur në ligjin nr.80/2015, por Presidenti i Republikës vlerëson se në këto çështje me rëndësi të lartë shtetërore dhe publike, autoritetet kushtetuese, që në rastin konkret janë Ministri i Arsimit dhe Presidenti, përgjatë ushtrimit të kompetencave të tyre, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që ndërmarrja e nismave të kësaj natyre të jetë në përputhje me kriteret ligjore, në kohën e duhur dhe në funksion të përmirësimit të funksionimit të institucioneve të arsimit të larë dhe garantimit të pavarësisë së tyre akademike.
Për më tepër, Presidenti i Republikës, vlerëson se përpara propozimit për shkarkim, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duhej të kishte realizuar një takim paraprak me Rektorin e Universitetit të Tiranës, me qëllim që të kishte dëgjuar pretendimet apo sqarimet e tij, përpara vendimmarrjes ekstreme të propozimit për shkarkimin e tij. Nga të dhënat dhe shpjegimet e dhëna në takimin e realizuar me Ministrin e Arsimit, por dhe me Rektorin e Universitetit të Tiranës, rezulton se ndërmjet Ministrit të Arsimit dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është realizuar asnjë takim, por ka pasur vetëm një komunikim telefonik të datës 13 prill 2019, disa minuta më parë se Ministri i Arsimit, të bënte publik vendimmarrjen e tij për pezullimin e rektorit dhe propozimin e shkarkimit të tij.
Ministri i Arsimit, ka nënshkruar urdhrin e pezullimit dhe propozimin për shkarkim në datë 12 prill 2019 dhe, për të bërë ditur publikisht këtë vendimmarrje të tij, Ministri i Arsimit më datë 13.04.2019, ditë e shtunë, ka mbajtur një deklaratë për mediat, ndërkohë që, propozimi shkresor zyrtar nuk ishte paraqitur përpara autoritetit të Presidentit të Republikës, pasi ky propozim është dorëzuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, ditën e hënë, më 15 prill 2019, administruar me nr.1169 prot., datë 15.04.2019. Ndërkohë, që edhe vetë Rektoratit të Universitetit të Tiranës, që do të duhej të zbatonte urdhrin nr.223, datë 12.04.2019 të MASR-së, “Për pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës”, praktika zyrtare i është përcjellë me shkresë nr.4158/3, prot., datë 15.04.2019.
Pikërisht kjo ka sjellë si pasojë që Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, të mos realizojë as të drejtën e tij për t’u njoftuar mbi aktet administrative, në ngarkim të tij, duke cenuar kështu edhe parimin kushtetues për një proces të rregullt ligjor.
E drejta e individit për një proces të rregullt ligjor është një e drejtë kushtetuese dhe përfshin edhe atë me karakter disiplinor administrativ. Në këtë kuptim, Ministri i Arsimit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij ishte i detyruar për t’i vendosur paraprakisht në dispozicion Rektorit të Universitetit të Tiranës, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi. Pra përpara së të ndërmerrte propozimin për shkarkim, Ministri, kishte për detyrë që ta njoftonte Rektorin e Universitetit për aktet në ngarkim të tij dhe konkretisht me Relacionin nr. 4158/1 prot., datë 12.04.2019, në mënyrë që të respektonte të drejtën e tij për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, nëpërmjet dhënies së sqarimeve përkatëse.
Bërja publike në mënyrë mediatike e vendimmarrjes nga Ministri i Arsimit, pa njoftuar më parë autoritetet që do ta zbatojnë dhe do ta shqyrtojnë atë, respektivisht Rektoratin e UT-së dhe Presidentin e Republikës, tregon se autoriteti politik vendimmarrës në këtë rast, ka shfaqur hapur ushtrimin e pushtetit të tij, jo për të përmbushur procedurën e ligjshme, por një qëllim politik të mediatizimit të kësaj vendimmarrjeje.
ii. Për urdhrin nr.223, datë 12.04.2019 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për pezullimin nga detyra të Rektorit të UT-së.
Siç është parashtruar në hyrje të këtij akti, së bashku me propozimin për shkarkim, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me shkresën nr. 4158/2 prot., datë 12.04.2019, ka vendosur në dijeni Presidentin e Republikës, se me urdhrin nr.223, datë 12.04.2019, ministri ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotin Mynyr Koni. Për këtë është vendosur në dispozicion edhe një kopje e këtij akti. Nga shqyrtimi i tij, rezulton se sipas pikës 1 dhe 2 të urdhrit, ministri ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotin Mynyr Koni, me motivacionin “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës”, bazuar në rekomandimet e grupeve të punës, mbi bazën e kontrolleve të ushtruara në Universitetin e Tiranës.
Në lidhje me këtë pjesë të vendimmarrjes, Presidenti konstaton se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka vepruar në përmbushje të qëllimit të tij, dhe e ka mbështetur atë në nenin 39, pika 10 të ligjit nr.80/2015, në të cilën parashikohet se në rast se Ministri i Arsimit ndërmerr nismë propozuese për shkarkimin rektorit, atëherë ai mund të vendosë pezullimin e tij, gjendje kjo që mund të zgjasë vetëm për 30 ditë, kohë që ligji ia ka lënë Presidentit të Republikës, për t’u shprehur ose jo mbi propozimin e bërë.
Por Ministri i Arsimit, në rastin e nxjerrjes së urdhrit nr.223, datë 12.04.2019 ka shkuar përtej kësaj logjike ligjore, pasi në pikën 3 të këtij akti, Ministri i Arsimit ka urdhëruar: “Caktohet zoti Bernard Dosti me detyrë Zëvendës rektor në Universitetin e Tiranës që të zëvendësojë rektorin e pezulluar, deri në përfundimin e çështjes me vendim të formës së prerë”.
Kjo vendimmarrje e Ministrit të Arsimit është në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parashikimet kushtetuese dhe me vetë ligjin nr.80/2015, i cili nuk parashikon asnjë të drejtë të Ministrit të Arsimit, që të komandojë apo të caktojë një Zëvendës rektor, që të ushtrojë në këtë rast kompetencat e rektorit.
Neni 39, pika 10 e ligjit nr.80/2015, parashikon se “Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorindhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.”
Pra kjo dispozitë nuk parashikon se cili është autoriteti që vendos mbi komandimin apo caktimin e një zëvendësuesi për të realizuar detyrat e rektorit kur ai pezullohet. Kjo mungesë e parashikimit në këtë nen të ligjit, nuk mund t’i japë të drejtë Ministrit të Arsimit, pra një funksionari politik që të komandojë në detyrën e rektorit një funksionar tjetër me një afat të pacaktuar.
Në rast se Ministri i Arsimit, ka zgjedhur të përdorë për analogji, por pa e cituar parashikimet e pikës 9, të ligjit nr.80/2015, kjo është një zgjedhje tejet e gabuar, pasi kjo dispozitë nuk rregullon veprimet e Ministrisë së Arsimit mbi organet e zgjedhura me votë, por rregullimin e situatave tranzitore për organet drejtuese të emëruara paraprakisht në rastet e institucioneve të arsimit të lartë të sapokrijuara.
Ministri i Arsimit nëpërmjet pikës 3, të Urdhrit nr.223, datë 12.04.2019, ka cenuar rëndë parimet e vendosura në nenin 57, pika 7 të Kushtetutës ku parashikohet se autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj, si dhe parashikimet e nenit 5, pika 3 ku citohet se institucionet e arsimit të lartë ruajnë neutralitet politik.
Për më tepër, ky veprim i Ministrit të Arsimit, përveç se nuk është parashikuar në asnjë dispozitë të ligjit, bie ndesh me parashikimet e nenit 92/g të Kushtetutës, si dhe të pikës 8, të nenit 39 të ligjit nr.80/2015, që përcaktojnë qartë se Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm që emëron dhe dekreton rektorët e universiteteve të institucioneve të arsimit të lartë, sipas ligjit.
Në rastin konkret, referuar përmbajtjes së dispozitës së nenit 39, pika 10, të ligjit nr. 80/2015 Ministri i Arsimit, së bashku me propozimin për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës pranë Presidentit të Republikës dhe pezullimin e tij, kishte për detyrë që t’i parashtronte Presidentit që, në rast se do të pranohej propozimi për shkarkimin e Rektorit të UT-së, atëherë kandidatura e propozuar prej Ministrit të Arsimit për kryerjen e përkohshme të funksioneve të rektorit do të ishte një nga zëvendës rektoret, i cili mund të fillonte ushtrimin e funksioneve të komanduara, vetëm pasi të merrte vullnetin e Presidentit të Republikës, të shprehur me dekret për caktimin e përkohshëm në këtë detyrë, deri në realizimin e procesit zgjedhor të Rektorit të ri të Universitetit të Tiranës.
Për këto arsye, pika 3, e urdhrit nr.223, datë 12.04.2019 të Ministrit të Arsimit, është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, pasi për këtë pjesë, ky akt është nxjerrë nga një organ publik që ligji nuk ia njeh këtë të drejtë dhe për më tepër, ai bie në kundërshtim të hapur dhe flagrant me kërkesat e Kushtetutës dhe ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë…”.
Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 108 – 111 të Kodit të Procedurave Administrative, ka për detyrë dhe konstaton pavlefshmërinë absolute të pikës 3 të urdhrit nr.223, datë 12.04.2019.
iii. Për themelin e çështjes parashtruar në relacionin nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019 të Ministrit të Arsimit, si dhe përmbushjes së rekomandimeve të lëna nga grupi i punës.
Sipas relacionit nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, akt ky mbi të cilin mbështetet propozimi i Ministrit të Arsimit për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, pretendohet se nga 14 rekomandime të lëna nga grupi i punës, autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës kanë përmbushur dhe reflektuar vetëm 8 rekomandime. Rekomandimet, për të cilat pretendohet se nuk janë zbatuar, paraqiten si më poshtë:
7. Rekomandimi nr.3. Brenda muajit shtator 2018, Administratori i Universitetit të Tiranës ka përgjegjësinë institucionale të vendosë në funksion të plotë sistemin informatik të Universitetit të Tiranës, në zbatim të rregullores “Për funksionimin e sistemit informatik në UT”. (Grupi punës vlerëson se rekomandimi nuk mund të zbatohet deri në çastin e heqjes së sekuestros nga organet e zbatimit të ligjit, Prokuroria. Sekuestro është vendosur nga Prokuroria dhe Gjykata me vendim nr.215, datë 11.09.2018).
Në relacionin e datës 12.04.2019, për këtë çështje, grupi i punës dhe Ministri i Arsimit ngarkojnë me përgjegjësi Rektorin e Universitetit të Tiranës, zotin Mynyr Koni, duke e vlerësuar këtë si shkelje të rëndë të pikës 3, të nenit 101 dhe nenit 102 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Ky pretendim i Ministrit të Arsimit dhe grupit të punës, nuk qëndron dhe është i pambështetur në ligj dhe prova. Nëse krahasohet përmbajta e vet rekomandimit, e paraqitur në të dy aktet dhe, konkretisht, në raportin e kontrollit të grupit të punës të datës 31.07.2018, raportin e grupit të punës të datës 04.12.2018, me relacionin e fundit të datës 12.04.2019, rezulton se ka ndryshime në qëndrimin e grupit të punës, për sa i takon pjesës ku evidentohet përgjegjësia për mos përmbushjen e këtij rekomandimi.
Konkretisht, në të dy aktet e para të kontrollit të datës 31.07.2018 dhe 04.12.2018, grupi punës evidenton se për plotësimin e rekomandimit nr.3, për vendosjen në gjendje pune të sistemit informatik të Universitetit të Tiranës kjo është një detyrë dhe përgjegjësi e Administratorit të UT-së.
Ky qëndrim është i njëjtë edhe në pjesën hyrëse (faqen 2) të raportit nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, por në mënyrë të pajustifikuar në faqen 5 të këtij dokumenti ku pasqyrohet se kush është përgjegjës për këtë çështje, Ministri i Arsimit dhe grupi i punës, ndryshojnë në mënyrë të papritur qëndrimin e tyre, duke bërë përgjegjës për këtë çështje Rektorin e Universitetit.
Ky tjetërsim i papritur i qëndrimit të Ministrit të Arsimit dhe grupit të punës, që vihet re lehtësisht, është i pambështetur në prova dhe në asnjë dispozitë ligjore. Ky tjetërsim i qëndrimit zyrtar, duke i ngarkuar rektorit Koni, një përgjegjësi të paqenë jo vetëm që është i pa drejtë, por është keqpërdorur edhe mediatikisht me qëllim që publikut të gjerë t’i përcillet një informacion i rremë, në mënyrë që e gjithë përgjegjësia e mosfunksionimit të sistemit informatik të Universitetit të Tiranës, publikisht t’i transferohet Rektorit të Universitetit të Tiranës.
Një fakt i tillë është i pavërtetë, pasi as grupi i punës dhe as Ministri i Arsimit, nuk i kanë kërkuar ndonjëherë Rektorit të UT, përgjatë gjithë periudhës së kontrollit të përmbushë këtë rekomandim.
Nga informacioni dhe aktet e administruara të përcjella nga Rektori i Universitetit të Tiranës në këtë proces, rezulton se ai, në mbështetje të nenit 52 pika 1/ë, të ligjit nr. 80/2015, i ka drejtuar ish-Kancelarit dhe Administratorit, shkresa zyrtare ku ka kërkuar marrjen e masave për rivënien në punë të sistemit informatik.
Për më tepër, grupi i punës, në të gjitha aktet e mbajtura prej tij, si në raportin e kontrollit të datës 31.07.2018, raportin e datës 04.12.2018 dhe së fundmi, në relacionin e datës 12.04.2019, citon se, ky rekomandim nuk mund të zbatohej deri në heqjen e sekuestros së vendosur nga gjykata me kërkesë të organit të Prokurorisë.
8. Rekomandimi nr.4. Rektori dhe Administratori, brenda muajit shtator 2018, të marrin masa urgjente për vendosjen në funksion të plotë të zyrës së arkiv-protokollit, si zyrë që i shërben gjithë institucionit. Ky rekomandim nuk është plotësuar nga rektori që ka në varësi këtë sektor. Rektori nuk ka lejuar që Administratori të ketë lejueshmëri në zyrën e protokoll-arkivit duke mos lejuar protokollimin e shkresave të administratorit pa miratimin e tij. Në raportin e datës 12.04.2019, grupi i punës dhe Ministri i Arsimit, vlerësojnë se mosveprimi nga ana e Rektorit të UT-së, për vendosjen në funksion të plotë të zyrës së protokoll-arkivit, përbën shkelje shumë të rëndë të ligjit nr. 9154 “Për arkivat”.
Nga shqyrtimi i akteve të përcjella nga Rektori i UT-së, zoti Mynyr Koni dhe sqarimeve me shkrim të dhëna prej tij, rezulton se pas miratimit nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë të udhëzimit nr. 27, datë 29.12.2017 “Për strukturat e brendshme akademike dhe administrative në institucionet publike të arsimit të lartë”, Rektori i UT-së ka nxjerrë urdhrin nr.5, datë 15.02.2018 “Për administrimin e dokumenteve në Rektoratin e UT-së”, nga përmbajtja e të cilit rezulton se është normuar procedura e përdorimit të vulës dhe e regjistrimit të shkresave të Administratorit dhe Bordit të Administrimit, sipas kompetencave. Përmbajtja e këtij urdhri të Rektorit të UT-së, kopje e të cilit është vënë në dispozicion edhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, nuk rezulton te jetë kundërshtuar, apo të jetë lënë si detyrë për përmirësimin e tij nga grupi i punës qoftë në rekomandimet e datës 31.07.2018, dhe as në raportin e datës 04.12.2018.
Në këtë mënyrë, pretendimi i Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i shfaqur në relacionin nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, se rektori nuk ka vepruar për të përmbushur këtë rekomandim, nuk qëndron.
9. Rekomandimi nr.5. Rektori i UT-së, brenda muajit shtator 2018, të miratojë kriteret dhe procedurat e rekrutimit të personelit akademik, sikurse kanë vendosur njësitë kryesore të UT-së. Grupi punës konstatoi se jo të gjitha njoftimet janë për pozicionet vakante janë shpallur. Për më tepër Rektori ka ndryshuar dhe ka shpallur kritere të ndryshme nga ato të propozuara nga njësia bazë. Grupi i punës konstaton se problematika vijon të qëndrojë. Gjithashtu, në relacionin e datës 12.04.2019 ka vlerësuar se mosveprimi nga ana e Rektorit të UT-së, zoti Mynyr Koni, për miratimin e kritereve dhe procedurave për rekrutimin e personelit akademik, konsiderohet shkelje shumë e rëndë e pikës 1, të nenit 64 dhe nenit 102 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Në lidhje me këtë pretendim të Ministrit të Arsimit, Rektori i Universitetit ka parashtruar përpara Presidentit të Republikës dhe ka paraqitur provat shkresore që tregojnë se ai ka marrë masat e nevojshme për përmbushjen e këtij rekomandimi. Siç rezulton nga aktet e paraqitura Rektori me shkresën nr. 3938, datë 03.09.2018, në zbatim të rekomandimeve u ka kërkuar të gjitha njësive kryesore dhe njësive të tjera në përbërje të UT-së, të përcjellin kriteret e përcaktuara nga njësitë bazë përkatëse, bazuar në nevojat e këtyre të fundit, duke përcaktuar saktë numrin dhe kategorinë e personelit akademik që do të punësohej me qëllim plotësimin e vendeve vakante në çdo njësi bazë, sipas parashikimeve ligjore në fuqi, para fillimit të vitit akademik 2018-2019. Në përgjigje të kësaj kërkese të Rektorit, ky i fundit pretendon se nuk i është përcjellë asnjë praktikë për miratim të kritereve nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, nga Fakulteti i Shkencave Sociale dhe nga Instituti i Studimeve Evropiane i UT-së.
Rektori në pretendimet e tij, përpara Presidentit të Republikës, dhe të evidentuara në këtë dokument shqyrtues (lexo më sipër në pjesën II të këtij dokumenti), ka parashtruar disa fakte dhe të dhëna që kanë të bëjnë me një problematikë të theksuar që institucioni i Rektorit të UT-së ka pasur, apo ka konstatuar në Fakultetin e Ekonomisë, për sa i takon shpalljes së vendeve të punës nga ky fakultet, pa u miratuar më parë nga Rektori i Universitetit të Tiranës. Këto fakte të pretenduara nga Rektori i UT-së, meritojnë vëmendje dhe kërkojnë një vlerësim nga Ministria e Arsimit.
Për gjitha sa ka parashtruar Rektori i UT, ai i ka shoqëruar pretendimet e tij me kopje të komunikimeve shkresore të mbajtura në këtë drejtim.
Nëpërmjet këtyre dokumenteve të paraqitur dhe pohimeve të tij, rezulton se Rektori ti UT-së ka qenë aktiv dhe ka treguar gatishmëri në përmbushjen e këtij rekomandimi të Ministrisë së Arsimit dhe pretendimi se Rektori nuk ka vepruar në këtë drejtim, nuk qëndron dhe është rrjedhojë e një vlerësimi jo të thelluar.
Për më tepër, konstatohet se referenca ligjore e nenit 102 të ligjit nr. 80/2015, e cituar në relacion dhe e pretenduar se është shkelur nga Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk përkon aspak me gjetjen konkrete, të trajtuar në këtë rekomandim.
10. Rekomandimi nr.6. Të merren masa të menjëhershme nga ana e Rektorit dhe Administratorit të UT-së që asnjë personel akademik apo administrativ të mos ushtrojë dy funksione me kohë të plotë për dy detyra të ndryshme. Ky rregullim duhet të gjej përcaktim në Statutin e Institucionit, për të mos lejuar abuzime në marrëdhëniet e punës së personalit akademik apo administrativ qoftë ai. Në këtë dritë duhet rishikuar marrëdhënia e punës e z. Çlirim Duro i cili ushtron dy detyra me kohë të plotë brenda institucionit. Në relacionin e datës 12.04.2019, grupi i punës dhe Ministri i Arsimit kanë vlerësuar se veprimi apo mosveprimi nga ana e Rektorit të UT-së, zoti Mynyr Koni, lidhur me moslejimin e dy punësimit me kohë të plotë brenda institucionit të personelit akademik, konsiderohet shkelje shumë e rëndë e pikës 2, të nenit 64 dhe nenit 102 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Nga shqyrtimi i shpjegimeve të Rektorit, rezulton se ky rekomandim është plotësuar. Siç Rektori shpjegon në qëndrimin e tij, ky rekomandim trajton dhe ka dalë vetëm për një rast i cili, nëse vlerësohet siç duhet, nuk ka të bëjë aspak me dy punësimin me kohë të plotë në të njëjtin institucion të të njëjtit anëtar të stafit akademik. Konkretisht, ky rast përfshin vetëm Prof. Asoc. Dr. Çlirim Duro, i cili në muajin shtator 2016 është komanduar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve. Më pas, Prof. Asoc. Dr. Çlirim Duro, pas një procedure konkursi publik, është emëruar personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Historisë të Fakultetit të Histori-Filologjisë me vendimin nr.56, datë 10.04.2017 të Rektorit.
Në lidhje me këtë çështje, Rektori UT-së, Mynyr Koni, rikonfirmon se pas emërimit si personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Historisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, zoti Çlirim Duro nuk ka pasur më kontratë pune si drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në Rektorat dhe, si rrjedhim, as nuk është paguar për këtë punë.
Për të provuar këtë fakt, Rektori Koni ka paraqitur shkresën e Rektorit nr.1594, datë 14.04.2017, drejtuar Drejtorisë së Financës dhe Buxhetit në Rektorat. Konstatohet shkresa e Rektorit të Universitetit të Tiranës, është nxjerrë menjëherë pas miratimit të VKM-së nr.329, datë 12.04.2017 “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”, duke vlerësuar kështu zbatimin me përpikëri të këtij akti nënligjor dhe duke e mbështetur vendimmarrjen e tij pikërisht tek ky akt, të cilit i referohet edhe grupi i punës në kontrollin e ushtruar.
Konkretisht pretendohet se Rektori i UT, ka shkelur pikën 16, të kësaj VKM-je, ku citohet shprehimisht se: “Personeli akademik, me kohë të plotë apo të pjesshme, nuk mund të ushtrojë asnjë funksion administrimi në institucionin e arsimit të lartë ku është punësuar, me përjashtim të zgjedhjes anëtar në Bordin e Administrimit.
Ndërkohë Rektori i UT, pretendon se mbajtja prej z.Çlirim Duro si pjesë e personelit akademik edhe e detyrës së Drejtorit të Komanduar të Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në UT, nuk ndalohet nga VKM nr. 329/2017, por është e mbështetur pikërisht në pikën 2/c, të saj ku citohet se; “Personeli akademik gëzon liri akademike në këto drejtime të veprimtarisë së tij, c) në kontributin institucional.
Në këtë mënyrë, referuar fakteve të mësipërme, në situatën e sqaruar nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Presidenti i Republikës, vlerëson se rekomandimi i mësipërm konsiderohet i përmbushur dhe pretendimi i Ministrit të Arsimit, nuk mund të konsiderohet kurrsesi një shkelje e rëndë e ligjit, pasi z.Çlirim Duro sipas akteve të administruara nuk rezulton të jetë i trajtuar financiarisht njëkohësisht për të dy funksionet njëherazi, ashtu si kundër për ti dhënë hapësirë dhe mundësi që personeli akademik të ushtrojë i pangarkuar funksionet e tij, është detyrë e organeve drejtuese të UT, që të plotësojnë të gjitha pozicionet e lira pranë strukturave të tyre në përputhje me kërkesat e ligjit.
Për më tepër, edhe në këtë rast konstatohet se referenca ligjore e nenit 102, të ligjit nr. 80/2015, e cituar në relacion dhe e pretenduar se është shkelur nga Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk përkon aspak me gjetjen konkrete, të trajtuar në këtë rekomandim.
11. Rekomandimi nr.8. Të ndërpritet menjëherë praktika e komandimit në detyrë e personelit akademik, pa u provuar nevoja e jashtëzakonshme e institucionit për lëvizje të kësaj natyre. Nevoja institucionale për emërime të përkohshme duhet të lind nga njësia bazë, konfirmohet nga njësia kryesore dhe miratohet nga Rektori. Rektori duhet të rishikojë menjëherë të gjitha kontratat e përkohshme të lidhura nga ana e tij. Në relacionin e datës 12.04.2019, grupi i punës dhe Ministri i Arsimit e vlerësojnë rekomandimin e plotësuar nga Rektori i Universitetit të Tiranës. Kjo është vlerësuar dhe parashikuar si normë edhe në Statutin e Universitetit të Tiranës, miratuar nga Senati Akademik në muajin shtator 2018. Por në pjesën përmbyllëse të Relacionit, faqe 5, komandimi në detyrë e personelit akademik nga ana e Rektorit të UT-së konsiderohet shkelje shumë e rëndë të neneve 64 dhe 66 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Nga shqyrtimi i raportit të datës 04.12.2018, rezulton se grupi i punës, e ka vlerësuar këtë rekomandim të përmbushur dhe, në këtë mënyrë parashikimi i bërë në faqen 5 të relacionit 4158 /1 prot., datë 12.04.2018, që e konsideron këtë çështje si shkelje e rëndë, duket haptazi përtej logjikës ligjore.
Megjithatë e gjejmë më vend, të sjellim në kujtesë parashtrimet e Rektorit Koni: Universiteti i Tiranës ka pasur vetëm një rast punësimi të personelit akademik me praktikë komandimi në Filialin e UT-së Sarandë, ku nevoja e justifikuar e punësimit është kërkuar nga Filiali i Universitetit Sarandë, duke zbatuar kështu kërkesat e ligjit. Gjithashtu, Rektori pohon se në përmbushje te rekomandimit ky pozicion është publikuar dhe më pas është plotësuar nëpërmjet procedurës së hapur të konkurrimit publik.
12. Rekomandimi nr.11. Rektori të shpallë të pavlefshëm aktin e nxjerrë në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 47 të ligjit 80/2015. Rektori ka nxjerrë disa vendime për komandime në pozicione pune në rektorat dhe njësi kryesore në tejkalim të kompetencave të tij akademike dhe protokollare. Në këtë relacion të datës 12.04.2019, grupi i punës e vlerëson rekomandimin të paplotësuar nga Rektori i Universitetit të Tiranës, pasi ai nuk ka shpallur asnjë akt të pavlefshëm, ndaj konsiderohet si një shkelje shumë e rëndë e ligjit nr.44/2015 “Kodi Procedurave Administrative” dhe ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Në lidhje me këtë rekomandim, Rektori i Universitetit të Tiranës, me shkresat nr.846/11 prot., datë 07.09.2018, nr.846/14 prot., datë 08.11.2018, me lëndë “Mbi zbatimin e rekomandimeve në UT”, ka informuar Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për plotësimin e rekomandimeve prej tij.
Njëkohësisht, Rektori me këto akte ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme, plotësimin e dy rekomandimeve dhe, konkretisht, rekomandimeve nr.11 dhe nr.12, që Rektori pretendon se nuk mund t’i përmbushë, pasi ato bien në kundërshtim me aktet ligjore. Qëndrimi i Rektorit mbi këtë çështje evidentohet edhe në shkresën nr.846/17, datë 27.12.2018, nëpërmjet të cilës ai ka kthyer përgjigje mbi raportin e grupit të punës, “Mbi zbatimin e rekomandimeve”.
Në këtë situatë, ku Rektori i Universitetit të Tiranës, në mënyrë të vazhdueshme ka mbajtur një qëndrim që nuk mund të zbatojë rekomandimet nr.11 dhe nr.12, pasi ato janë në kundërshtim me ligjin dhe kur pala tjetër, grupi i punës dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, kërkojnë me insistim që Rektori UT-së të nxjerrë akt administrativ për të konstatuar pavlefshmërisë absolute të disa akteve që njëra palë pretendon se janë nxjerrë në përputhje me ligjin, ndërsa pala tjetër pretendon se janë nxjerrë në kapërcim të ligjit, Presidenti i Republikës, vlerëson se palët duhet t’i ishin drejtuar gjykatës kompetente për të zgjidhur këtë konflikt dhe nëse ende nuk e kanë bërë, ato mund t’i drejtohen aktualisht.
iv. Mbi situatën e parashikimeve të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Rezulton se ligji nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 22 korrik 2015, është shqyrtuar nga Presidenti i Republikës, i cili me Dekretin nr.9206, datë 14.08.2018 ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Rezulton se Dekreti i Presidentit është shqyrtuar nga Kuvendi, i cili me vendimin nr.84/2015, datë 17.9.2015, ka vendosur rrëzimin e dekretit dhe për pasojë ligji nr.80/2015, është botuar në Fletoren Zyrtare nr.164, datë 21 shtator 2015 dhe ka hyrë në fuqi më datë 5 tetor 2015.
Një pjesë e konstatimeve të Kreut të Shtetit mbi përmbajtjen dhe parashikimet e këtij ligji kanë qenë objektive, pasi pikërisht disa prej problematikave që Presidenti ka cituar në Dekretin e tij, janë shfaqur gjatë zbatimit të ligjit në praktikë, që evidentohen edhe në këtë proces.
Nëse studiohet me vëmendje neni 39, pika 10, i ligjit nr.80/2015, kjo dispozitë parashikon se: “në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, ……, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji.”.
Ligji nr.80/2015, nuk përcakton në asnjë dispozitë të tij, se cilat veprime apo mosveprime të organeve drejtuese konkretisht të Rektorit të Universitetit që përbëjnë “shkelje të rëndë” në kuptim të ligjit, mbi të cilat mund të ndërmerret nisma për të propozuar shkarkimin e tij.
Parashikimet e nenit 39 nuk qartësojnë për asnjë çast se cilat janë ato raste të shkeljeve të rënda, kush veprim do të konsiderohet i tillë dhe cili është ai mekanizëm konkret institucional, i pavarur politikisht, me të cilin ministri përgjegjës për arsimin, konsultohet, shqyrton dhe, në përfundim, vendos ndërmarrjen e nismës ekstreme për të propozuar tek Presidenti i Republikës shkarkimin e Rektorit të Universitetit, funksionar ky, që sipas Kushtetutës, emërohet nga Presidenti i Republikës, por që zgjidhet përmes votës nga asambletë e personelit akademik.
Pikërisht kjo paqartësi që paraqet neni 39, pika 10, i ligjit nr.80/2015, rezulton se ka krijuar edhe në këtë rast, terren të përshtatshëm që autoriteti politik i ministrit, bazuar në një dispozitë të veçuar të ligjit nr.80/2015 (neni 7, pika 2/e) të nxjerrë urdhrin nr.77, datë 16.02.2018 dhe urdhrin nr.715, datë 25.10.2018, duke krijuar një strukturë të posaçme “ad-hoc”, me përbërje tërësore nga punonjës të Ministrisë së Arsimit, për të kontrolluar pajtueshmërinë e veprimtarisë së Universitetit të Tiranës me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Në vijim, kjo strukturë e posaçme (ad-hoc), pas mbylljes dhe dërgimit të Raportit përfundimtar të datës 04.12.2018, rezulton se është shfrytëzuar sërish nga Ministri i Arsimit, për të hartuar një relacion drejtuar atij, me qëllim vlerësimin e nivelit të shkeljeve të pretenduara, në cilësinë e “shkeljes së rëndë”, për të ligjëruar kështu nismën dhe për të plotësuar, në fakt, atë që ligji nr.80/2015, nuk e parashikon shprehimisht.
Megjithatë në këtë shqyrtim, për të realizuar një shqyrtim objektiv dhe të balancuar të rastit, duke krahasuar dhe vlerësuar pretendimet e të dy palëve, Presidenti i Republikës, i është referuar standardit më të lartë të vendosur nga Gjykata Kushtetuese në këtë drejtim.
Në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, kryesisht në vendimet e saj që kanë shqyrtuar çështje të procedurave të shkarkimit nga detyra të organeve të zgjedhur të pushtetit vendor (shiko vendimet nr.67/2016, nr.15/2011, 22/2008, 25/2000, 50/2000) është mbajtur qëndrimi se;
“Shkarkimi i organeve të zgjedhura është një masë ekstreme e procedurave të kontrollit dhe ajo duhet të merret pas një vlerësimi të kujdesshëm të disa elementeve të zhvilluara edhe në jurisprudencën e kësaj Gjykate, sipas së cilave kuptimi i saktë dhe i drejtë i konceptit “shkelje e rëndë e ligjit” vlerësohet në tërësinë e tij nga disa faktorë, të cilët kanë të bëjnë me rëndësinë e ligjit të shkelur, pasojat e ardhura nga shkelja e tij, kohëzgjatjen e këtyre pasojave si dhe vetë qëndrimin subjektiv që mban personi konkret ndaj shkeljes së kryer”.
Referuar këtij qëndrimi, të Gjykatës Kushtetuese, nga vlerësimi i të gjithë faktorëve në dispozicion, vlerësohet se në rastin konkret nuk ekzistojnë kushtet që të pranohet propozimi i Ministrit të Arsimit, për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, mbështetur në argumentin se ai ka kryer shkelje të rënda të ligjit, sipas nenit 39, pika 10 të ligjit nr.80/2015.
Përpos sa më sipër, Presidenti i Republikës, e fton Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që të bëjë një analizë shteruese të problematikave që kanë lindur nga zbatimi i ligjit të ri nr.80/2015 “Për arsimin e lartë…”, dhe nëpërmjet Këshillit të Ministrave t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë, një nismë legjislative për plotësimin e gjithë hapësirave të ligjit, korrigjimin apo qartësimin e dispozitave të caktuara të tij.
v. Mbi situatën e miratimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” .
Përpos paqartësive që paraqesin dispozita të caktuara të ligjit nr.80/2015, Presidenti i Republikës, gjatë këtij shqyrtimi konstaton se ka pasur shumë vonesa, deri në nivelin e pakujdesisë dhe neglizhencës së theksuar në miratimin e akteve nënligjore nga ana e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ligji nr.80/2015, ka parashikuar detyrime të qarta për Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, që për të vënë në jetë reformën në arsimin e lartë, kanë detyrimin që të nxjerrin aktet e nevojshme nënligjore. Konkretisht, në nenin 141 të ligjit nr.80/2015, parashikohet shprehimisht: “Aktet nënligjore në zbatim të nenit 4, pika 4; nenit 5, pika 1, shkronja “e”; nenit 8, pika 3; nenit 9, pikat 2,4 dhe 6; nenit 10, pika 1, shkronja “c”; nenit 11, pikat 3 dhe 4; nenit 12, pikat 4 dhe 8; nenit 14, pika 10; nenit 15, pika 7; nenit 28, pika 5; nenit 29, pika 3; nenit 30, pikat 3 dhe 7; nenit 32, pika 2; nenit 35, pika 6; nenit 60, pika 3; nenit 71, pika 2; nenit 75, pika 3, shkronja “b”; nenit 79, pika 7; nenit 82, pika 3; nenit 87, pika 3; nenit 91, pika 5; nenit 92, pika 6; nenit 96, pika 2; nenit 98, pika 1, shkronja “d”; nenit 100, pika 4; nenit 101, pika 2; nenit 105, pika 2; nenit 106, pika 8; nenit 112, pikat 5 dhe 6; nenit 114, pika 3; nenit 115, pika 2; nenit 120, pika 7; nenit 125 dhe nenit 136, miratohen brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.
Gjithashtu, përveç kësaj dispozite, ligji nr.80/2015 parashikon edhe në dispozita të veçanta të tij, detyrimin për nxjerrjen e akteve nënligjore brenda një afati të caktuar.
Nga shqyrtimi i gjendjes së nxjerrjes së akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr.80/2015, Presidenti i Republikës, konstaton me keqardhje se një pjesë e mirë e akteve nënligjore që ligji përcakton si detyrim për t’u nxjerrë, qoftë vendime të Këshillit të Ministrave apo udhëzime të ministrit përgjegjës për arsimin, ende nuk janë miratuar/nxjerrë edhe pse ka kaluar tashmë mbi 42-muaj, nga hyrja në fuqi e ligjit nr.80/2015. Ndërkohë, nëse i referohemi akteve nënligjore të miratuara deri tani, rezulton se qoftë vendimet e Këshillit të Ministrave, urdhrat dhe udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, janë nxjerrë përtej afatit 9-mujor të parashikuara nga neni 141 i ligjit nr.80/2015.
Konstatohet se të gjitha aktet nënligjore janë nxjerrë, përtej afatit 9-mujor ku disa prej tyre, janë miratuar me një kohë vonese në 28, 25, 19, 17, 16, 10 muaj, pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Kjo gjendje është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Këshillit të Ministrave, të cilët me pakujdesinë dhe neglizhencën e tyre, kanë sjellë për pasojë që dhe qëllimi i vetë ligjit nr.80/2015 të mos përmbushet në kohën e kërkuar.
Kjo ka sjellë jo vetëm shkelje të parashikimeve të vetë ligjit, por dhe një paqartësi në organizimin dhe funksionimin e strukturave akademike dhe administrative, duke krijuar terren për interpretime të ndryshme në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive nga strukturat drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, por dhe nga strukturat mbikëqyrëse, të cilët të gjithë kanë operuar në një terren pa një kuadër rregullues të fortë për zbatim.
Një rast tipik, është udhëzimi i Ministrit të Arsimit Sportit dhe Rinisë nr. 27, datë 29.12.2017 “Për strukturat e brendshme akademike dhe administrative në institucionet publike të arsimit të lartë”, udhëzim i botuar në Fletoren Zyrtare nr.242, datë 10 janar 2018. Udhëzimi ka dalë 27 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për të pasur një kuptim të njëjtë të ligjit, Ministria e Arsimit, duhej të kujdesej që udhëzimi të dilte sa më parë dhe mundësisht të shoqëronte hyrjen në fuqi të ligjit, në mënyrë që asnjë strukturë drejtuese qoftë akademike, qoftë administrative të mos interpretonte ndryshe ligjin apo të kishte mundësinë t’i referohej për zbatim akteve të vjetra nënligjore, të cilat nuk ishin në harmoni me ligjin e ri nr.80/2015.
Në këto kushte, Ministria e Arsimit, ka përgjegjësinë e saj të drejtpërdrejtë në mosnxjerrjen në kohën e duhur të aktit nënligjor “Për strukturat e brendshme akademike dhe administrative në institucionet publike të arsimit të lartë”, gjë e cila ka ndikuar edhe në rastin konkret në zbatim të pa unifikuar të ligjit nga strukturat akademike dhe administrative, duke prodhuar konflikt midis tyre.
Pikërisht vonesa në nxjerrjen e këtij akti nënligjor nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e bën të papranueshëm edhe për këtë arsye propozimin e tij për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, mbi pretendimin se ka tejkaluar kompetencat në drejtim edhe të administrimit të Universitetit të Tiranës, kjo sepse situata e paqartë ligjore është krijuar nga mosveprimi i vetë propozuesit.
Mosnxjerrja e akteve nënligjore në kohë ka krijuar terren që në institucionet e arsimit të lartë, pra edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, të krijohen situata që prodhojnë konflikte midis strukturave akademike dhe administrative, si në rastin konkret që kanë prodhuar kallëzime penale në organin e Prokurorisë, padi gjyqësore në Gjykatën Administrative, dhe situata ndeshjeje të drejtpërdrejta me përplasje midis autoriteteve drejtuese akademike dhe administrative ku palët i janë referuar dhe e kanë interpretuar, një herë, drejtpërdrejt ligjin nr.80/2015 dhe, herë tjetër, aktet e vjetra nënligjore.
Këtë mundësi për të zbatuar aktet nënligjore të vjetra e jepte neni 142, pika 2 i ligjit nr. 80/2015, në të cilën parashikohej se, “Aktet nënligjore, të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien ndesh me të, do të zbatohen derisa nuk janë miratuar aktet e nënligjore të parashikuara në nenin 139 të këtij ligji”.
Në këtë situatë të rrëmujshme rregulluese, çdo pretendim se përgjegjës për shkeljet e ligjit nr.80/2015 apo akteve nënligjore është vetëm Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk është aspak objektiv. Propozimi duket sikur kërkon ta faturojë gjithë përgjegjësinë për gjendjen e sistemit arsimor tek Rektori i Universitetit, gjë e cila nuk është e drejtë në situatën e krijuar.
Çdo autoritet brenda strukturave drejtuese të institucionit të arsimit të lartë, duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tij në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, por në rastin konkret, kur gjatë gjithë mandatit të ushtruar prej tij, ka ekzistuar një situatë kaotike rregulluese, propozimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës nuk është i drejtë dhe, për këtë arsye, ky propozim nuk mund të pranohet nga Presidenti i Republikës.
Në këtë gjendje, i vetmi organ që mund t’i zgjidhë këto çështje ngelet gjykata, pasi ndërhyrja e Presidentit të Republikës, për t’i dhënë të drejtë njërës apo tjetrës palë mbi këtë çështje, do ta rëndonte edhe më tepër këtë situatë.
vi. Për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet Rektorit të UT-së, Bordit të Administrimit dhe Ministrisë së Arsimit.
Në relacionin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr.4158/1 prot., datë 12.04.2019, por dhe gjatë diskutimit që Presidenti i Republikës, realizoi me të, Ministri ngriti pretendimin se nga ana e rektorit nuk ka pasur një frymë bashkëpunimi, ndërmjet tij dhe strukturave të tjera drejtuese, kryesisht Bordit të Administrimit të Universitetit, si dhe Ministrisë së Arsimit në plotësimin e rekomandimeve të lëna. Nga shqyrtimi i pretendimeve dhe dokumentacionit shoqërues të përcjellë nga Rektori i UT-së, zoti Mynyr Koni, rezulton se midis strukturave drejtuese të Universitetit të Tiranës, nuk ka ekzistuar një situatë bashkëpunuese, por gjithmonë strukturat kanë pasur konflikte midis tyre.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se Rektori i Universitetit të Tiranës, ka pasur një komunikim të vazhdueshëm zyrtar shkresor me Bordin e Administrimit, duke i paraqitur atij kërkesa dhe shqetësime të ndryshme me qëllim bashkëpunimin me Bordin e Administrimit për përmbushjen e misionit të përbashkët. Për këtë Rektori i UT-së ka paraqitur përpara Presidentit, kopje të 20 shkresave që i janë përcjellë Bordit të Administrimit. Konkretisht: nr.466/5 prot., datë 24.03.2017; nr.2568/2 prot., datë 21.06.2017; nr.750 prot., datë 13.02.2018; nr.435/11 prot., datë 13.02.2018; nr.1047 prot., datë 01.03.2018; nr.1237/7 prot., datë 29.03.2018; nr.1237/9 prot., datë 10.04.2018; nr.1997 prot., datë 26.04.2018; nr.1237/11 prot., datë 02.05.2018; nr.2303 prot., datë 17.05.2018; nr.2027/8 prot., datë 24.05.2018; nr.2585/7 prot., datë 29.05.2018; nr.3145 prot., datë 25.06.2018; nr.3494/5 prot., datë 24.08.2018; nr.4643 prot., datë 11.10.2018; nr.5047 prot., datë 06.11.2018; nr.5339/3 prot., datë 11.12.2018; nr.5653/2 prot., datë 31.12.2018; nr.237/3 prot., datë 21.01.2019.
Rektori pretendon se, për asnjë kërkesë që ka paraqitur, nuk ka marrë një përgjigje nga Bordi i Administrimit.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së këtyre akteve, dërguar Bordit të Administrimit, por dhe nga intensiteti kohor i këtij komunikimi, provohet se Rektori i Universitetit të Tiranës, ka qenë aktiv dhe ka kërkuar gjithmonë mbështetje apo ndërhyrje nga Bordi i Administrimit.
Në këtë mënyrë pretendimi i Ministrisë së Arsimit, i deklaruar edhe në takimin me Presidentin e Republikës, se Bordi i Administrimit, ka përmbushur çdo kërkesë dhe Rektori nuk ka paraqitur çështje për trajtim, pranë tij, jo vetëm që nuk qëndron, por është një deklarim i rremë, përballë autoritetit më të lartë të shtetit, siç është Presidenti i Republikës.
Përpos këtyre të dhënave që janë paraqitur rishtazi, vlen të theksohet se Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, me shkresat nr. 4445 prot., datë 20.10.2017, nr.1863 prot., datë 19.04.2018, si dhe nr. 660/1 prot., datë 13.02.2019, ka vënë në dijeni Presidentin e Republikës, mbi disa situata jo normale dhe që nuk kanë ndodhur më parë, në të cilën ndodhej Universiteti i Tiranës.
Nëpërmjet shkresës nr. 4445 prot., datë 20.10.2017, Rektori ka ngritur shqetësimet e tij se ndeshet me situata bllokimi nga pikëpamja ekonomiko-financiare dhe administrative nga veprimet arbitrare dhe si rezultat i keqadministrimit institucional dhe shkeljeve flagrante të Kancelarit për të cilat ai ka informuar se ka vënë në dijeni në mënyrë të përsëritur Ministrin e Arsimit dhe që deri në atë moment nuk ka marrë përgjigje, duke e lënë situatën pa zgjidhje.
Gjithashtu, me shkresën nr.1863 prot., datë 19.04.2018, Rektori Koni, i ka përcjellë një tjetër shqetësim Presidentit të Republikës ku ai rithekson se situata në Universitetin e Tiranës ngelet e njëjtë dhe ende pa zgjidhje. Për këtë Rektori bën përgjegjës Administratorin e Universitetit të Tiranës që, sipas tij, rezulton të jetë një person me mbështetje politike dhe që po vepron në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, me shkresë nr.660/1 prot., datë 13.02.2019, Rektori i Universitetit të Tiranës, me shumë shqetësim, ka vlerësuar të informojë Presidentin e Republikës mbi një tjetër situatë të papërsëritur më parë, të krijuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Në këtë shkresë Rektori Koni, informon Presidentin e Republikës për një presion të vazhdueshëm që ushtrohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave që prej muajit gusht 2017, deri në çastin e paraqitjes së kësaj shkrese.
Rektori Koni, informon se pas kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Rektori është gjobitur nga ky institucion disa herë me gjobë, të cilat e kanë detyruar këtë të fundit t’i drejtohet rrugës gjyqësore. Nga aktet e përcjella, rezulton se me vendimin nr.3169, datë 12.07.2018 dhe vendimin nr.4323, datë 26.11.2018 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, janë shfuqizuar 4 aktet administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ndëshkimin me gjobë të Rektorit të Universitetit të Tiranës.
Më tej, në këtë shkresë Rektori informon Presidentin se Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave ka ngritur personalisht një kërkesë padi, për shqyrtimin e konfliktit për shfuqizimin e aktit administrativ, që nuk e ka konsideruar Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave si kandidaturë të përshtatshme për Pedagog të Jashtëm pranë Universitetit të Tiranës (Fakultetin e Histori-Filologjisë). Në këto kushte, Rektori Koni, i vlerëson këto kontrolle të njëpasnjëshme të realizuara prej Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, si kontrolle tendencioze dhe në konflikt të pastër interesi me Rektoratin e Universitetit të Tiranës, për qëllime personale dhe përtej interesit publik.
Nëpërmjet këtij informacioni, del në pah një tjetër problematikë e theksuar në Universitetin e Tiranës dhe, që në thelb, vënë në dukje gjendjen aspak normale, në të cilën strukturat drejtuese të këtij institucioni kanë funksionuar. Ky keqfunksionim dhe këto situata tashmë kanë prodhuar çështje gjyqësore apo çështje penale, që aktualisht janë në shqyrtim apo në hetim.
Për sa i takon pretendimit të Ministrisë së Arsimit se Rektori nuk ka shfaqur bashkëpunim, për më tepër, nuk pranon të zbatojë rekomandimet, referuar dokumentacionit të siguruar, rezulton se Rektori i UT-së, i është drejtuar në mënyrë të vazhduar me shkresë zyrtare Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë ku ka informuar, apo kërkuar ndërhyrjen dhe mbështetjen e autoritetit të Ministrit për çështje të caktuara apo problematika që ai ka hasur gjatë veprimtarisë së tij.
Për sa i takon procesit të ushtrimit të kontrollit, siç citon dhe Rektori Koni në pretendimet e tij, ai ka paraqitur pranë autoritetit përkatës dhe grupit të punës të gjitha kundërshtimet e tij në lidhje me projekt raportin e kontrollit, ndërkohë që pas zyrtarizimit të raportit të kontrollit më datë 31.07.2018, ai ka bërë përpjekje për realizimin e rekomandimeve të dhëna.
Nëse i referohemi shkresave nr.846/11 prot., datë 07.09.2018, nr.846/14 prot., datë 08.11.2018, nr. 846/17 prot., datë 27.12.2018 me lëndë “Mbi zbatimin e rekomandimeve në UT”, që Rektori Koni, i drejton Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, konstatohet se nëpërmjet këtyre shkresave Rektori i UT-së ka informuar Ministrin e Arsimit, mbi plotësimin e shumicës së rekomandimeve prej tij, por duke kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme plotësimin e dy rekomandimeve dhe, konkretisht, rekomandimit nr.11 e 12, që Rektori pretendon se nuk mund t’i përmbushë dhe nuk është dakord me to, pasi ato bien në kundërshtim me aktet ligjore.
Qëndrimi i Rektorit mbi këtë çështje vihet në dukje në shkresën nr.846/17, datë 27.12.2018, nëpërmjet të cilës ai ka kthyer përgjigje mbi raportin e grupit të punës “Mbi zbatimin e rekomandimeve”. Përveç të tjerave, në këtë shkresë Rektori, ka denoncuar rëndë veprimtarinë e grupit të punës, dhe qëndrimet e mbajtura prej tij, si qëndrime të njëanshme, që kanë mbrojtur hapur veprime të paligjshme të Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës. Në këtë shkresë, Rektori ka kërkuar vënien përpara përgjegjësisë së anëtarëve të grupit të punës.
Në këtë situatë, Presidenti i Republikës, vlerëson se siç është theksuar edhe më lart palët nëse nuk kanë dakordësi për çështje të caktuara, duhet t’i drejtohen gjykatës kompetente për të zgjidhur këtë konflikt.
vii. Mbi proceset penale dhe gjyqësore të filluara nga autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës.
Referuar akteve dhe informacionit të administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës, rezulton se Rektori i UT-së, ka paraqitur kallëzimin penal nr.1787 prot., datë 16.04.2018 pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim ndaj të gjithë anëtarëve të grupit të punës të ngritur me urdhrin nr.77, datë 16.02.2018 të Ministrit të Arsimit, i cili ka hartuar raportin dhe, më pas, relacionin ku është mbështetur pezullimi nga detyra e Rektorit të UT-së dhe propozohet shkarkimi i tij, çështje kjo ende në hetim.
Gjithashtu, ripohohet se në vitin 2017 ka bërë kallëzim penal edhe ndaj ish-Kancelarit dhe Administratorit të UT-së, fakt ky që vërtetohet me shkresën nr.2152 prot., datë 23.04.2019 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë se ky organ ka regjistruar çështjen penale 8052, për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (shpërdorimi i detyrës) të bërë nga ana e Rektorit të UT-së, në ngarkim të ish-Kancelarit dhe Administratorit të UT-së dhe po hetohet nga Prokurori N.T. Më tej, për kallëzimin e bërë nga Rektori Universitetit të Tiranës në shkurt të vitit 2019, ky organ ka regjistruar procedimin penal nr.3208/2019, në ngarkim të organit drejtues të Fakultetit të Ekonomisë, çështje kjo që po hetohet nga Prokurori A.Q.
Referuar këtyre të dhënave, është e pritshme që organi i Prokurorisë brenda afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, duhet të përfundojë hetimet apo verifikimet mbi kallëzimet e paraqitura, dhe të dalë me një vendim për të proceduar me dërgimin e çështjes në gjyq dhe vijimin e procedimit penal të personave të kallëzuar apo pushimin e akuzave për çështjet dhe faktet penale, për të cilat është parashtruar ky kallëzim.
Pikërisht rezultatet e hetimeve penale dhe të dhënat që mund të zbulohen nga këto procese, mund të ndikojnë në vënien në pah të provave apo rrethanave që mbështesin pretendimet qoftë të Rektorit të Universitetit të Tiranës apo të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Pikërisht kjo përbën një shkak tjetër që propozimi i Ministrit të Arsimit, për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, në situatën ligjore dhe faktike të parashtruar më sipër, nuk mund të pranohet.
E nderuar zonja Ministre,
Për sa u parashtrua më sipër, referuar mënyrës sesi vullneti i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Rinisë është formuar mbi këtë çështje, si dhe duke vlerësuar në tërësi rrethanat, provat dhe bazën ligjore që rregullon gjithë veprimtarinë në institucionet e arsimit të lartë, Presidenti i Republikës, mbështetur në nenin 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, ligjit nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, si dhe nenit 39, pika 8, 10, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, ka arritur në konkluzionin se: propozimi i Ministrit të Arsimit, Sportit, dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra e Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni, nuk është bindës dhe, për këtë arsye, nuk mund të pranohet.
Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr.9, datë 19.03.2008, ka evidentuar se meqenëse arsimi i lartë është një shërbim publik, me ligj mund t’u jepen organeve të pushtetit ekzekutiv kompetenca kontrolluese mbi universitetet, por këto kompetenca duhet të jenë të balancuara dhe proporcionale, në mënyrë që ushtrimi i tyre të mos cenojë autonominë e institucioneve të arsimit të lartë që është thelbi i vetëqeverisjes, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve të ndërsjella.
Presidenti i Republikës, vlerëson se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, pasi ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente.

Vijon…