Presidenca i është përgjigjur akuzave të bëra nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini në lidhje me mos shkarkimin e Mynyr Konit nga rektor i Universitetit të Tiranës.
Reagim i zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumente ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër.
Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentet ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.
Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre.
Pak më parë, reagoi edhe ministrja e Arsimit Besa Shahini.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Shahini shprehet e zhgënjyer nga vendimi, i cili sipas saj është në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit.
‘Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e rektorit Koni! Për mua është e pakonceptueshme që institucionet e larta shtetërore të marrin vendime të tilla, qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit!
Në rastin konkret, vendimi i Presidentit i bën dëm 26,000 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, të cilët për herë të parë pas disa vitesh në një ngërç absurd që e ka kthyer universitetin në shembullin e mosfunksionimit ligjor e demokratik, përjetuan një moment normaliteti ligjor dhe demokratik’, shkruhej ndër të tjera në deklaratën e Besa Shahinit.