Samiti i Berlinit ka qenë i organizuar në koordinim të plotë ndërmjet Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një zyrtar gjerman i ka thënë Gazetës Express se ata për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Serbinë, kanë një komunikim dhe bashkëpunim konstant me Shtëpinë e Bardhë, duke hedhur poshtë pretendimet e Thaçit se në Berlin nuk kishte koordinim gjermano-amerikan.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është munduar që vazhdimisht ta zhvleftësojë atë që ka ndodhur në Samitin e Berlinit, që u mbajt muajin e kaluar, nën organizimin franko-gjerman. Sipas tij, gjithçka që ka ndodhur në kryeqendrën gjermane, nuk ishte në koordinim mes nikoqirëve dhe ShBA-së, ani pse këtë mund ta kishte kuptuar në Berlin në ditën e Samitit kur pala kosovare kishte shkuar për takim me Ambasadorin amerikan në kryeqytetin gjerman. Por, Thaçi atë ditë s’kishte bërë zë, “moskoordinimi” europiano-amerikan i ka rënë në mend disa ditë pas kthimit në atdhe për ta përdorur nëpër studio televizive.
Mirëpo këto pretendime të Hashim Thaçit janë demantuar sot nga Qeveria e kancelares, Angela Merkel, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express.
Ata thonë se Samiti i Berlinit ishte organizuar në bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke specifikuar se për çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor respektivisht Kosovën dhe Serbinë, kanë koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në.
“Kancelarja e Gjermanisë dhe presidenti i Francës, kanë ftuar krerët e shtetit dhe të Qeverisë së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë dhe Sllovenisë, dhe përfaqësuesen e lartë dhe zëvendës presidenten e Komisionit Evropian, Federika Mogherinin. Qeveria gjermane sigurisht që është në koordinim të ngushtë dhe konstant me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nivele dhe çështje të ndryshme, përfshirë këtu edhe situatën në Ballkanin Perëndimor” kanë thënë për Gazetën Express nga Zyra për Media e Qeverisë së kancelares, Angela Merkel.
Por ata nuk kanë pranuar të tregojnë detaje të hollësishme rreth bashkëpunimit gjermano-amerikan, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë rreth Kosovës dhe Serbisë.
“Megjithatë ju lutemi ta na kuptoni se nuk mund të japim më shumë detaje rreth këtij koordinimi”, thuhet në përgjigje.
Presidenti Thaçi, përveç që është munduar të zhvleftësojë atë që ka ndodhur në Berlin, ka thënë se nëse nuk do të përfshihen SHBA-të edhe në Samitin e Parisit, atëherë nga një takim i tillë nuk mund të pritet ndonjë rezultat, pasi sipas tij pa përfshirjen e SHBA-ve nuk mund të zgjidhet problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket Samitit të Parisit, në Qeverinë Gjermane thonë që për momentin nuk mund të japin detaje rreth organizimit.
“Në këtë kohë, ne nuk mund t’iu japim detaje rreth planeve për takimin në Paris”, përfundon përgjigja e zyrës për media të kancelares gjermane, dhënë për Express.
E se kishte koordinim në mes të Merkelit, Markonit e SHBA-së për organizmin e Samitit të Berlinit e thotë edhe ish-kryenegociatorja që ka udhëhequr me bisedimet Kosovë-Serbi për rreth 7 vjet, Edita Tahiri.
Tahiri në një intervistë për Gazetën Express, ka thënë se Hashim Thaçi, po manipulon, pasi që edhe vetë ai e di që për takimin në Berlin kishte koordinim mes Gjermanisë, Francës dhe SHBA-së.
Sipas saj, këto deklarime të Thaçit dhe kjo tendencë e tij për të paraqitur si diçka të parëndësishme atë që ka ndodhur në Berlin, vijnë për shkak se atje është groposur ideja e tij për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Arsyeja është e qartë. Të gjithë e kemi pa. Fakti që Samiti i Berlinit i fundosi këta politikanë shkurtpamës, siç është vetë Thaçi, Rama, Vucic e Mogherini, dhe ky dështim ishte një fitore për Kosovën. Këto deklarata që bëhen janë sa për të mbuluar dështimin, por s’kanë kurrfarë vlere. Këto janë deklarata manipulative, gjëja me e vendos në hije dështimin” thotë ajo duke rikujtuar se Samiti i Berlinit ishte historik për Kosovën”, ka thënë Tahiri të shtunën për Gazetën Express.
Ndërkohë përveç ish-ministres për Dialogun, Samitin e Berlinit e kanë parë si jashtëzakonisht të suksesshëm edhe shumë deputetë të Bundestagut gjerman.
Ata kanë thënë se janë të gëzuar që në Berlin mori fund një ide që do të mund të rikthente konfliktet e vjetra në Ballkan.
Samiti i Berlinit do të ketë si vazhdimësi Samitin që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti në Paris, e ku do të marrin pjesë vetëm përfaqësues të Kosovës, Serbisë, me ndërmjetësuesit Merkel dhe Mogherini.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë televizionit T7 një ditë pas Samitit të Berlinit.
“Nuk ka më dialog të Mogherinit. Tashmë është një format i ri i dialogut, që udhëhiqet nga kancelarja Merkel dhe presidenti Makron, kishte thënë Haradinaj.
Para udhëtimit në Paris me 1 korrik, Thaçi ka paralajmëruar se mund të ketë një vizitë për në Shtetet e Bashkuara, megjithatë nuk ka dhënë detaje për diçka të tillë./Besnik Veliu, GazetaExpress