Zëvendësministri i brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar qytetarët që do të marrin pjesë në protestë se do të ndiqen penalisht nëse do të përplasen me policinë.
Edhe pse kreu i opozitës Lulzim Basha, deklaroi një ditë më parë se protesta nuk do të jetë e dhunshme dhe qytetarët do të protestojnë kundër rrëzimit, zëvendësi i Lleshajt kërkon të nxisë dhunë ndërsa frikëson qytetarët që të mos marrin pjesë në protestë.
Deklarata e Lamellarit:
Përdorimi i gazit lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Ai është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik, në përballjet me turmat e dhunshme. Përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi Policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj, nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti.
Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi edhe për disa minuta i qytetarëve, të papërfshirë në tubim, nga gazi lotsjellës.
Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm.
Të gjithë autorët, pa dallim, do të përballen me Forcën e Ligjit.