Teksa studentët kanë paralajmëruar rikthimin e protestave si kundërpërgjigje ndaj injorimit që qeveria po u bën kërkesave të tyre, të bëra publike gjatë protestave masive të muajit dhjetor dhe janar, rrjeti publik televiz gjerman, ZDF, ka publikuar një reportazh të gjatë dedikuar rinisë dhe studentëve shqiptarë, një bashkëpunim mes Arte dhe ARD.
Reportazhi në fjalë është mjaft prekës dhe trajton problemin e madh të vendit: Largimin masiv të të rinjve.
“Nga fundi i komunizmit, Shqipëria ka humbur thuajse gjysmën e popullsisë. 4 milionë shqiptarë jetojnë jashtë. Në vend janë diku më pak se tre milionë. Përse ikin të rinjtë shqiptarë? Sepse ka korrupsion, mungesë pune, mungese e të ardhmes. Një në 2 shqiptare po mendon të largohet. Kjo po shkatërron bazën e shoqërisë, familjen,” thuhet ndër të tjera në reportazh.
Në qendër të reportazhit janë dy studentët, Erisa Zhupa dhe Enrik Shehu, si dhe pedagogu Ervin Goci.
Duke u ndalur tek protesta masive e studentëve në dhjetor, Enrik Shehu që ishte një prej organizatorëve thotë se do vazhdojnë të protestojnë më tej për të drejtat e tyre.
Sipas ZDF, qeveria nuk i mori seriozisht protestat në fillim, madje u tallën. Në reportazh thuhet se korrupsioni ka lulëzuar edhe nën qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se mes tij dhe studentëve ka pasur përplasje.
“E vërteta është se nuk jemi kënaqur me atë që arritëm nga protesta, por na kërcënuan me humbjen e vitit shkollor”, thotë Shehu.
Për ZDF, askush nga studentët nuk mund të përballojë humbjen e vitit shkollor, pasi kostot janë të larta.
Në reportazhin e mbushur me momente emocionuese, me lot prindërish që nuk duan të shohin fëmijët e tyre duke braktisur vendin, flitet edhe për betonizimin e Tiranës, për korrupsionin e përhapur në sektorin e ndërtimit dhe për protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Në fund të reportazhit thuhet se studentët janë të bindur se do vazhdojnë lëvizjen e tyre.
“Ata mendojnë se tani është koha e duhur për protesta,” thuhet në reportazhin e ZDF.
Kujtojmë se protesta e rradhës e studentëve do të zhvillohet më datë 22 maj, ora 12:00, para Ministrisë së Arsimit.