Nga Carloalberto Rossi
Reforma e drejtësisë, e brohoritur si zgjidhja e të gjitha të këqijave shqiptare, dhe vetingu—tashmë i kthyer në dukuri ngjitëse duke kaluar nga gjyqtarët dhe prokurorët tek policët, pastaj tek gardianët e burgjeve, më pas tek tokat në bregdet, dhe së shpejti në kategori të tjera shqiptare—po fillojnë të shfaqin natyrën e tyre të vërtetë dhe shkatërruese.
Zhvillimi më i fundit është deklarimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila deri tani ka hetuar me njëfarë suksesi trafikimin e drogës, se ajo nuk ka më kompetencë ligjore mbi shumë raste nën hetim për trafikim të drogës. Për këtë arsye, ajo ia ka dorëzuar këto hetime prokurorive të rretheve.
Exit.al në mënyrë të vazhdueshme ka paralajmëruar se kjo dukuri do të ndodhte, por asnjë zë vendas apo ndërkombëtar nuk e pa me vend të reagonte për alarmin tonë.
Fakti është se në kuadër të reformës aq shumë të lëvduar në drejtësi, u ndryshua Kodi i Procedurës Penale—përmes njërit prej shtatë ligjeve të famshme, të cilët u miratuan pa opozitën, në shkelje të hapur të konsensusit politik të premtuar me garancinë e ndërkombëtarëve. Përmes këtyre ndryshimeve u vendos që të gjitha krimet që nuk përbëjnë korrupsion apo që nuk janë kryer nga grupe të strukturuara kriminale, do të jenë kompetencë e prokurorive të rretheve.
Ndërkohë, një superprokurë e pavarur kombëtare, SPAK-u, dhe një njesi e posaçme hetimore, BKH-ja, do të hetojnë korrupsionin—përjashto rastet e shëprdorimit të detyrës—dhe krimet e kryera nga grupe kriminale.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda—e cila prej më shumë se 10 vjetësh ka qenë duke mësuar me stërmundim si të menaxhojë përgjimet mjedisore, porositë për hetime dhe prova nga vendet e tjera, bashkëpunimin në hetime ndërkombëtare, ekstradimet, shkëmbimet e të dhënave të hetimit me prokuroritë e huaja e kështu me radhë—do të shkrihet në kuadër të reformë në drejtësi, e cila hyri në fuqi përpara se të mund të krijoheshin institucionet e reja dhe të domosdoshme që ajo vetë parashikon.
Si pasojë e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, prokuroritë e rretheve kanë sot “kompetencë territoriale” automatike mbi trafikun e drogës—edhe pse ato nuk kanë as personelin dhe as aftësinë e nevojshme profesionale për të hetuar narkotrafikun. Kjo ndodh për shkak të faktit sepse shpesh trafikimi nuk klasifikohet si aktivitet i një grupi të struktururar kriminal—përcaktimi i grupit kriminal në Kodin Penal dhe sqaruar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese kërkon kryerjen e një vepre penale nga tre ose më shumë persona, një ose më shumë herë, në në bashkëpunim të qëllimshëm me njëri tjetrin.
Jurisprudenca e reformuar shqiptare ka gjykuar se trafiku i drogës mund të hetohet dhe luftohet nga zyrat e prokurorive të rretheve, shumë prej të cilave nuk kanë as një një dyzinë rastesh në vit, dhe ato jo gjithmonë të mbrojtura me sukses në gjykatë. Me shumë gjasa, tani e tutje, pothuajse të gjitha rastet e trafikut të drogës do të hetohen prej këtyre prokurorive të rretheve, duke patur parasysh se se si avokatët edhe gjykatësit arrijnë lehtësisht të hedhin poshtë pretendimin se krimi nën shqyrtim është përsëritur më parë, duke shmangur, kështu, hetimin e rastit nën cilësimin e grupit kriminal.
Shëmbulli më i dukshëm është dosja e 613 kilogramëve kokainë të trafikuar nga Kolumbia, të fshehura brenda një kontenjeri me banane dhe të sekuestruara në Maminas, disa javë më parë.
Është e qartë se trafikimi i një sasie të tillë të jahstëzakonshme kokaine—sipas policisë shqiptare me vlerë rreth 180 milionë dollarë—kërkon, përveç mbrojtjes politike, edhe një grup të konsoliduar financuesish dhe rrjetesh shpërndarëse. Për këtë arsye, duhet të ishte e lehtë që të argumentohej se të akuzuarit e kanë kryer krimin si grup i strukturuar kriminal, por realiteti është shumë ndryshe.
Në fakt, deri tani ,për këtë çështje rezultojnë të hetuar vetëm pronari dhe administratori i kompanisë që porositi bananet dhe një shofer i mjerë i caktuar për të marrë kontenjerin në Portin e Durrësit dhe për ta dërguar atë në magazinën e kompanisë në Maminas, i cili, me shumë gjasa, për fatin e tij të keq, është përfshirë rastësisht në këtë histori.
Në këto kushte, nuk plotësohet një nga dy elementët e domosdoshëm për ta klasifikuar rastin e kokainës së Maminasit vepër e një grupi të strukturuar kriminal. Duhet theksuar, gjithashtu se edhe kushti tjetër—kryerjes së të njejtit krim më shumë se një herë—do të plotësohej vetëm nëse verifikohej se ka patur një tjetër kontenjer me drogë të trafikuar nga të njejtët persona. Nuk ka rëndësi se droga ishte paketuar dhe etiketuar me kode sipas destinacionit në shumë vende të ndryshme të europës. Nuk ka rëndësi fakti që i njëjti importues ishte sinjalizuar edhe më parë për një krim të ngjashëm të kryer në Amerikën e Jugut, por që dosja e të cilit nuk mbërriti asnjëherë në Shqipëri, që do të thotë se zyrtarisht ai nuk ka kryer më parë asnjë krim.
Kështu dosja e 615 kilogramëve kokainë u transferua në Prokurorinë e Durrësit që, pëveçse nuk ka bërë apo nuk ka marrë ndonjëherë ndonjë porosi ndërkombëtare dhe që drejtohet nga një prokurore tashmë e përfolur, e cila është e komanduar përkohësisht nga një Prokurore e Përgjithshme po e Përkohshme e vendosur politikisht dhe në mënyrë antikushtetuese.
Dosja e kokainës së bananeve shpejt do të harrohet, e humbur në një pellg paaftësie dhe të mungesës së vullnetit, por për gëzimin e atyre personazheve të shumtë, një pjesë shumë afër apo brenda politikës, të cilët kanë kanë financuar, menaxhuar dhe mbrojtur blerjen dhe transportin e kësaj droge.
Ajo që në fakt do të humbë çdo besueshmëri është një reformë e helmuar që në fillim nga vullneti i shpallur i qeverisjes socialiste për të imponuar atë me dhunën e shumicës, e mbështetur dëshpërimisht nga një “grup i strukturuar diplomatik”, i cili sot dukshëm po delegjitimohet e turpërohet për ditë në sytë publikë, por që arriti që, përmes autoreferencës absolute, të imponojë dhe të mbrojë para mbarë botës jo vetëm një reformë të gabuar, por edhe një grup kriminal në pushtet, i cili e valëviti reformën në drejtësi si topuz kundër opozitës, edhe ajo jo krejt e pafajshme.
Tani përmasat e kësaj fatkeqësie janë para syve të kujtdo që do të shohë—drejtësia shqiptare është thelbësisht e bllokuar dhe shumë më pak e besueshme se më parë, shumë procese nuk mund të mbyllen për vite të tëra për shkak të rikthimeve të vazhdueshme.
Por nëse deri dje, të paktën, mund të shpresohej në ndërhyrjen e ndonjë organizmi ndërkombëtar, të ndonjë ambasade, të ndonjë qeverie vërtetë mike, sot në sytë e popullit shqiptar, i cili e njeh shumë mirë natyrën e vërtetë të udhëheqësve të tij, të gjitha ambasadat duken ose me dashje përtace ose bashkëpunëtore të narkotrafikantëve, dhe sikurse to, ndoshta, edhe qeveritë e tyre vazhdojnë të bëjnë sikur nuk dinë asgjë.
I vetmi ngushullim, ose më saktë e vetmja alibi është që shqiptarët duan gjithmonë e më shumë të shkojnë në Evropë ose në Amerikë, por tani Amerika, Evropa dhe të gjithë anëtarët e saj, nuk janë më varka për shpëtimin kolektiv, janë vetëm destinacioni për shpëtimin individual. Njësoj si për afrikanët, sirianët dhe afganët. Exit.al