Si do jetë protesta e 2 qershorit? Përgjigjen drejtues të lartë të opozitës: Përballje!

E mërkurë, 29 May 2019 13:04

Redaksia e “Koha Jone” online iu drejtua me një pyetje të përbashkët disa prej pjestarëve të opozitës, pasi kryeministri Rama ka vendosur të hapë fushatën elektorale më 1 qershor, duke qenë i vetëm në votimet e datës 30 qershor. Ndërkohë Opozita ka lajmëruar protestën e saj më datë 2 qershor. Por sot Komisioni Europian (si dhe vitin e kaluar që nuk u realizua) dha verdiktin që t’i kërkojë shefave të shtetëve të BE që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke “harruar” krizën politike në Shqipëri.

Ky qëndrim i ka dhënë fuqi Edi Ramës, që pas këtij vendimi është shprehur se PS do të shkojë e vendosur drejt 30 qershorit, sepse opozita ka vdekur përfundimisht politikisht.

Ndaj kur nuk ka asnjë mjet tjetër për ta bindur Edi Ramën për gjetjen e një zgjidhje që vendi të mos shkojë në konflikt civil, e njëjta pyetje iu drejtua Mesila Dodës, Edi Palokës,  Luan Rama, Fatmir Mediut, Nard Ndokës, Agron Dukës.

Pyetja: Si mendoni se si duhet të jetë protesta e 2 qershorit; me parulla e lule dhe duke u shpërndarë në fund apo protestë përballje ku më pas të ngrihen çadra pafund nga sheshi “Nënë Tereza” deri te Lana në Bulevard?

Përgjigjen:

Mesila Doda, sekretare e Përgjithshme e PDIU: Protestë përballje e vazhdueshme e pa asnjë tërheqje. Nuk mundet më të vazhdojmë me protesta me parulla e lule. Në një vend europian e në një demokraci të konsoliduar kjo duhet të ishte mënyra e protestes, por kemi përballë një regjim autokratik e një demokraci që po shpërbëhet de facto e de jure. Vendi ndodhet në udhëkryq e në asnjë rast nuk mundet të sakrifikojmë demokracinë e pluralizmin në vend. Nëse ka njerëz që janë mësuar të ulin koken përballë dhunës e pushtetit ne duhet të zgjedhim t’i themi “JO” çdo regjimi autoritarist e kleptokratik.

Edi Paloka, nënkryetar i PD: Gjithë qëndrimet dhe mesazhet e Ramës, përfshi atë të dhënë nga vila e diktatorit, janë thirrje për luftë. Shqiptarët duhet t’i përgjigjen dhe do i përgjigjen. Ai harron që ka përballë njerëz që nuk kanë më asgjë për të humbur. Të shohim si do i dalin llogaritë, Ramës!

Luan Rama, nënkryetar i LSI: Forca e opozitës mbi të gjitha qëndron tek cilësia qytetare e protestës, e cila duke bërë të veten kauzën e lirisë për të zgjedhur e jo thjeshtë për të votuar, ka të legjitimuar rezistencën si mënyrë sjelljeje në të gjitha format e shfaqjes së rezistencës qytetare ndaj të keqes; me lule dhe me zemër, me parrulla dhe përballje! Vetëm nuk duhet harruar për asnjë moment; e keqja nuk ikën vetë, ajo duhet luftuar! Kete na e mëson përvoja botërore e luftës për liri dhe demokraci, këtë na e mëson edhe përvoja shqiptare e shekullit të kaluar!

Fatmir Mediu, kryetar i PR: Çdo mjet demokratik për të ruajtur pluralizmim politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Për të garantuar një qeverisje që i shërben interesit kombëtar, qeverisjes për njerëzit dhe jo për krimin dhe korrupsionin.

Nard Ndoka, kryetar i PDK: Opozita e Bashkuar duhet të mendojë seriozisht mbi rrezikun që kemi përballë, një mazhorancë e kapur dhe një kryeministër i çoroditur po e kthejnë vendin prapa në kohë dhe po asfiksojnë demokracinë e votës. Koha për të reaguar fort, shumë fort dhe me të gjitha mënyrat e mundëshme, për të penguar dhe larguar këtë bandë që ka kapur peng shtetin dhe vendin. Koha e protestave normale mendoj ka përfunduar, të gjithë janë sensibilizuar për rrezikun që i kanoset vendit; qytetarët janë të qartë dhe më të vendosur se kurrë; ndërkombetarët e kanë kuptuar, por nuk po orientohen për më tej, ndaj opozita ka një përgjegjësi kombëtare për ti dalë Zot vendit dhe demokracisë. Kur i Zoti i shtëpisë çmendet dhe tenton të mbysë njerëzit e shtëpisë, i takon dikujt të reagojë, të pengoje dhe të lidhë te “zotin e shtëpisë”!

Agron Duka, kryetar i PAA: Sikurse e kam theksuar edhe më parë, protesta jonë e fundit ishte një festival i vërtetë demokracie. Një demonstrim paqësor force, i cili do t’i shërbejë politikës në të ardhme si një etalon mbi mënyrën sesi duhet protestuar. Por, mbi të gjitha, do të ishte një mesazh, një kërkesë për ndryshim, që çdo qeveri do ta kishte kuptuar pa shumë vështirësi. Mirëpo nga momenti që kjo protestë trajtohet me indiferencë, apo tone tallëse nga mazhoranca, padyshim që nxitet një frustrim tek pjesëmarrësit të cilët nuk janë në protestë vetëm sepse thirren nga opozita, por sespse nuk pajtohen me këtë situatë të rëndë politike, ekonomike dhe sociale. Dhe kur ‘bullizmi’ institucionalizohet, është e vështirë të kontrollosh qytetarët e frustruar nga arroganca, nga keqqeverisja, korrupsioni dhe mungesa e shpresës që këto fenomene sjellin, e për pasojë mund të çojnë në reagime të pakontrolluara në protestën e ardhshme. Madje edhe të kërkojnë një formë më të qëndrueshme proteste, qoftë edhe me çadra, deri në zgjidhjen përfundimtare dhe daljen nga ky udhëkryq i rrezikshëm. Kohajonë

Login to post comments