Analiza në median amerikane: Edi Rama pengon integrimin e Shqipërisë në BE

Premte, 31 May 2019 20:47

A do ta ndalojë arrogancën e tij Edi Rama duke lejuar që populli i tij aq i vuajtur të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të arrijë fatin e tij evropian?

Shqipëria është një nga vendet më pro-perëndimore në gadishullin e Ballkanit. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, shqiptarët kanë synuar të integrohen plotësisht në Bashkësinë Evropiane, por politikat jashtëzakonisht të polarizuara dhe përçarëse kanë penguar dëshirën e tyre për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Mbështetja për Shqipërinë është rritur që nga rënia e regjimit komunist, por vitet e fundit, gjatë qeverisjes së Edi Ramës, vendi i vogël ballkanik ka ndërmarrë hapa regresivë drejt një ambicie të tillë.

“Kolumbia e Evropës”

Lajmet nga Shqipëria kanë pushtuar mediat botërore për gjashtë vitet e fundit, dhe fatkeqësisht, kanë qenë të këqija. Mediat e kanë quajtur Kolumbia e Evropës dhe pika hyrëse për trafikimin e drogës në Evropë. Më e rëndësishmja e të gjithave ishte përhapja e kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin shqiptar duke shërbyer si rruga kryesore për drogat e rënda të cilat arrijnë në vendet evropiane. Kjo solli shumë shqetësime për autoritetet italiane, greke, holandeze, britanike dhe të vendeve të tjera. Të ardhurat e kanabisit në Shqipëri gjatë periudhës 2013-2016 vlerësohen në miliarda euro duke konkurruar seriozisht PBB e vendit dhe paratë vazhdojnë të pastrohen përmes industrisë së ndërtimit në qytetet kryesore të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani dhe përmes mjeteve dhe mënyrave të tjera.

Përveç kësaj, pretendohet se kryeministri shqiptar është përfshirë në krimin e organizuar jo vetëm për të kontrolluar dhe manipuluar zgjedhjet, por edhe për të krijuar një rrjet të biznesit të paligjshëm dhe ndikimit politik. Shumë kriminelë të dyshuar dhe të certifikuar, me përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar dhe madje edhe të dyshuar për përdhunim, nën autoritetin e tij u emëruan si kryebashkiakë, deputetë ose në poste të tjera të larta qeveritare. Pas reagimit të ashpër dhe bojkotit nga opozita dhe presionit të madh nga SHBA dhe BE, parlamenti shqiptar miratoi një ligj për verifikimin dhe largimin nga parlamenti të shumë figurave të përfshira në tregëti të drogave dhe qenieve njerëzore. Ky ligj detyroi shumë kriminelë, ndihmës të kryeministrit Rama që të jenë jashtë parlamentit, por ata ende e mbështetën atë gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Aktualisht ekzistojnë dy dosje hetimore: 184 dhe 339, të cilat përfshijnë përgjime të ministrave, kryetarëve të bashkive dhe vetë Kryeministrit, lidhur me mashtrimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e mjeteve të paligjshme për të ndikuar në zgjedhje. Në një prej rasteve, më 11 shtator 2016, Rama telefonoi kreun e një komisioni rajonal zgjedhor për ta pyetur nëse zgjedhjet kishin shkuar siç ishte diskutuar. Ai u përgjigj: Po, shefi, çdo gjë shkoi mirë siç kemi diskutuar.

Prokurorët i kanë zvarritur këto raste për shkak të presionit dhe frikës. Por, opinioni publik është i shqetësuar dhe partitë e opozitës po protestojnë në rrugët e Tiranës, si dhe në qytetet përreth. Njerëzit po protestojnë në mijëra duke kërkuar një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përgjigjja e Ramës ka qenë brutale, duke urdhëruar policinë e shtetit të përdorë gazin e pakontrolluar në afërsi të shtëpive të banimit, arrestimin e dhjetëra protestuesve dhe manipulimin e medias.

 

Marrëdhëniet e Shqipërisë me BE dhe Evropën

 

Kriza po intensifikohet. Komisioni Evropian sapo ka dhënë në parim rekomandimin pozitiv për procesin e anëtarësimit në BE. Në mënyrë shumë burokratike KE ka dhënë një rekomandim pozitiv për tre vitet e fundit dhe po vepron njësoj duke luajtur taktikën e vjetër të karotës dhe shkopit, sepse pavarësisht nga rekomandimet pozitive të  KE, shtetet anëtare do të refuzojnë propozimin për hapjen e negociatave. Rama është në dijeni të situatës dhe me ndihmën e disa miqve personalë në BE shpreson të përdorë rekomandimet pozitive, pra karrotën nga KE, për përfitime politike dhe do akuzojë opozitën për shkopin që do të vijë nga shtetet e BE. Për shkak të papërgjeshmërisë së tij shkopi do bjerë vetëm mbi shqiptarët.

Më 12 prill 2019 Parlamenti i Holandës votoi për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë për shkak të rritjes së aktiviteteve kriminale shqiptare në Holandë, si dhe një rritje të azilkërkuesve që vijnë nga Shqipëria. Kjo mund të ketë një efekt domino. Vende të tjera mund të ndjekin këtë shembull dhe të ndërmarrin masa të njëjta.

Në rrethana të tilla nga jashtë dhe brenda, kryeministri shqiptar ka ofruar bisedime me udhëheqësit e opozitës, por ata duken të vendosur për të kërkuar dorëheqjen e tij. I gjithë vendi pret që ai të japë dorëheqjen në mënyrë që të hapë një rrugë të re për integrimin në BE. Niveli i korrupsionit nën qeverinë e tij ka arritur nivelin më të lartë të dekadave të fundit. Shqiptarët po përballen me vështirësi të mëdha dhe vendi kontrollohet nga mafia dhe krimi i organizuar.

Rama mban peng të ardhmen e Shqipërisë

Rama po përpiqet të reformojë sistemin gjyqësor me qëllim që ta uzurpojë dhe kontrollojë atë. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, duke lejuar kryeministrin të veprojë si një sundues suprem. Ai ka caktuar njerëzit e tij në drejtim të institucioneve të gjyqësorit dhe vetting-ut. Ai po e qëndis sistemin e drejtësisë sipas interesave të tij. Kryeministri pretendon se reforma në drejtësi është më e mira në botë por shqiptarët e dinë se është një eksperiment i rrezikshëm që i siguron atij gjithnjë e më shumë pushtet.

Sektorët kryesorë, siç janë arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale etj, kanë ngecur në vend, dhe janë në një rrëmujë të madhe. Të rinjtë po ikin nga vendi në një eksod të paprecedentë. Ekonomia është e dobët dhe shqiptarët janë më të varfër se kurrë. Duke qenë vendi më i varfër i dytë në Evropë, shpresa e vetme e Shqipërisë është integrimi në BE, por sundimi i kryeministrit Rama është pengesa kryesore e një aspirate të tillë.

Kanabis-land, Mafia-land, Korrupsioni-land, kanë qenë titujt e mediave botërore gjatë viteve të Ramës. Me largimin e tij, Shqipëria mund të ketë një shans për të rimarrë dhe për të ndjekur ëndrrën e saj evropiane.

Shqipëria gjendet në një kaos politik, institucional dhe social. Vendi është në prag të një konflikti civil. Zgjedhjet e 30 qershorit po afrohen. Partitë e opozitës kanë bojkotuar dhe nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Kryeministri është i vendosur të hyjë i vetëm në zgjedhje. Ai po aktron si i butë dhe i përkushtuar ndaj dialogut por është ende i angazhuar të hyjë i vetëm në zgjedhjet e ardhshme. Një vendim i pashembullt dhe diktatorial.

Dita e zgjedhjeve është përfundimi i afatit kohor për zgjidhjen e konfliktit ose për përshkallëzimin e tij në një konflikt civil. 30 Qershori i duket Ramës edhe më i lartë se muri kinez. Është një provë për të ardhmen e tij si kryeministër dhe për Partinë Socialiste mbi të cilën ai ka një kontroll autoritar. Është e qartë se nëse Rama përpiqet dhe merr pjesë i vetëm në zgjedhje kjo do të sjellë fundin e karrierës së tij politike, si dhe atë të çdo trashëgimie pozitive që mund të ketë Partia e tij Socialiste, dikur Partia Komuniste e Shqipërisë.

E ardhmja e vendit dhe integrimi evropian po shkojnë drejt rrënimit, vetëm nëse Kryeministri Rama reflekton dhe vepron si një burrë shteti dhe jo si një diktator. Nëse kryeministri vendos të injorojë opozitën në zgjedhjet e ardhshme vendi do bjerë në anarki. Dhuna dhe kaosi do përhapen teksa vetë Kryeministri do jetë mbi një avion drejt ndonjë shteti të huaj e duke e parë nga diku larg vendin e tij të digjet.Për ta ndaluar këtë skenarpartitë opozitare dhe mijëra shqiptarë kanë mbajtur disa protesta masive në rrugët e Tiranës e shumë të tilla priten sërish. A do ta ndalojë arrogancën e tij Edi Rama duke lejuar që populli i tij aq i vuajtur të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të arrijë fatin e tij evropian, apo një njeri i vetëm do ta mbajë të ardhmen e Shqipërisë nën vargoj, njësoj si gjysmë shekulli nën regjimin komunist?

Login to post comments