Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vijon betejën e tij, ndonëse deri më tani e pasuksesshme, për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar. E konsideruar prej tij si “dopolavoro” dhe “ndërtesë tallashi”, godina e teatrit ekziston sot vetëm falë një grupi artistësh dhe aktivistësh që me protestat e tyre arritën të ndalnin planin për shkatërrimin. Edhe një pjesë e mediave kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e godinës.
Por qëndrimi i sotëm i kryebashkiakut Veliaj për godinën e teatrit, nuk ka qenë i njejtë kur bënte rolin e opozitarit me organizatën ‘Mjaft’.
Është Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që ripublikon një deklaratë të Erion Veliajt në vitin 2007-të, kur me Majft-in zhvillonte një takim për teatrin dhe artistët. Në atë takim, Veliaj e konsideronte godinën e teatrit si “tempullin më të madh të artit shqiptar.”
“Është e papranushme që këta politikanë shqiptarë harxhojnë kaq shumë në fushatë elektorale, ndërkohë që nuk kujtohen të investojnë diçka minimale të padiskutueshme siç është ngrohja e tempullit më të madh të artit shqiptar, investim ky që në fund të fundit do të duhej të bëhej me lekët e taksapaguesve dhe jo me lekët e politikanëve”, shprehej Veliaj 12 vite më parë.
Edhe në atë periudhë, Edi Rama në pozitat e kryebashkiakut të Tiranës kërkonte shembjen e Teatrit Kombëtar, por Erion Veliaj nuk e mbështeste iniciativën, pasi nuk ishte ende pjesë e Partisë Socialiste. Sot, kur ka pasuar Ramën në krye të Tiranës dhe kërkon ta pasojë edhe në krye të PS-së, Veliaj e ka ndryshuar qëndrimin me 180 gradë, madje zgjedhjet e 30 qershorit, ku ai është sërish kandidat, i konsideron edhe si referendum për të miratuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Reagimi i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit
Hipokrizia e €rion Veliajt dhe e Hervin Çulit e ekspozuar si kurrë më parë!
Në vitin 2007, €rion Veliaj, dhe organizata MJAFT e drejtuar prej tij, zhvillonin një takim në Teatrin Kombëtar. Aty €rioni jo vetëm që nuk përdo fjalët “dopolavoro” dhe “ndërtesë tallashi” por e konsideron godinën si tempullin e artit dhe kulturës shqiptare. Jo vetëm që nuk flet për shembje, por flet qartë dhe konkretisht për nevojën për restaurimin e godinës me fondet publike, si detyrim i çdo politikani përgjegjës.
Të njëjtit mesazh i bashkohej dhe Hervin Çuli, i cili thoshte se ishte pisllëku politik që e kishte penguar artin dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi, të cilat meritonin më shumë.
Sot, 12 vjet më vonë, të dy janë luftëtarë të bindur për shkatërrimin e godinës dhe grabitjen e truallit publik.