“Shqipëria etiketohet si shtet mafioz, në duar gangsterësh” nuk është një akuzë politike nga opozita, por një konstatim i prestigjiozes mediatike më të shitur në BE, gazetës Bild. Ajo është gazeta me tirazhin më të madh në Gjermani.
Shqipëria është vendi që krimi nuk e ka më problem të eliminojë kundërshtarin. Mjafton pak lek dhe gjendet shpejt një vrasës me pagesë. Shumica e vrasjeve të ndodhura kohët e fundit, në Shkodër, Elbasan, Tiranë apo tritolet që vendosen masivisht në Vlorë, Krujë, etj, janë shprehje e lehtësisë për të vrarë sot. Policia shkon në vendngjarje vetëm për të mbledhur gëzhojat dhe si një agjenci funerale për të larguar trupat e viktimave. Vrasësit gjithmonë i largohen në drejtim të paditur.
Po çfarë dhe kush na solli në këtë situatë? Sigurisht kanabisi dhe kokaina. Ishte kryeministri Rama që urdhëroi mbjelljen në të gjithë territorin e kësaj droge që po vret sot. Këtë e vërtetojnë edhe mesazhet e koduara të Saimir Tahirit, ish ministrit që sa herë e ka lakun te fyti i thotë Ramës se do të hapë gojën e do të tregojë të vërtetën.
Raporti i publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, pasqyron pikat e nxehta të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Ballkani vazhdon të radhitet si furnizuesi kryesor i kanabisit për Bashkimin Evropian dhe Shqipëria përmendet si vendi kryesor i prodhimit, megjithë një rënie të konsiderueshme të kultivimit që nga gjysma e vitit 2017, si dhe një rritje domethënëse të konfiskimit. Ndër pikat kufitare dhe portet hyrëse nëpërmjet të cilave zhvillohen aktivitete të shumëllojshme kriminale radhiten Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Saranda, ndërkohë që zonat përreth Kurbinit dhe Lezhës përshkruhen si zona të nxehta të krimit të organizuar. Aktiviteti kryesor i grupeve të përqendruara në kryeqytetin Tiranë është në funksion të aktiviteteve në vende të tjera, si në Hollandë, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Gjermani, Itali, Kosovë dhe Mbretëri e Bashkuar, ndërkohë që lidhjet kriminale shtrihen në Turqi dhe Amerikën Latine. Zona të tjera të nxehta janë Elbasani dhe Fieri.
Rama nuk ndërtoi një rrugë, nuk ndërmori një iniciativë ekonomike, nuk ndërmori një reformë që qëllimin e vetëm të kishte interesin e shqiptarëve, përkundrazi. Synimi i Ramës ishte dhe është droga, krimi dhe pasurimi i vetes.
Por me çfarë garancie ai i ka hyrë këtij risku që në të gjithë botën çdokush si fund do të kishte burgun e përjetshëm. Sigurisht që dënimin ta jep drejtësia, dhe Rama këtë drejtësi e ka me vete. Në krye të organeve të reja të drejtësisë ka vendosur kunetër, miq, njerëz të blerë apo edhe kriminelë. Për sa kohë Rama shpreson se reforma e ashtuquajtur nuk zgjedh dot organe të pavarura në Drejtësi, droga dhe krimi do të jenë armët e vetme të qeverisjes së këtij sekti rilindës. /Redaksionale