Shqipëria dhe Kosova po shkojnë drejt një lufte absurde tregtare dhe kjo për shkak të barrierave që nuk pranohen të hiqen nga Qeveria shqiptare. Madje, bizneset kosovare kanë paralajmëruar se do të mbyllin për një ditë kufirin midis dy shteteve, si shenjë proteste ndaj këtyre barrierave.
Por pavarësisht presionit që po bëhet gjithnjë e më i fortë nga Prishtina, kryeministri Edi Rama po tregohet indiferent, por jo vetëm ai, edhe ministrat e tjerë në Qeveri që kanë rol në këtë çështje.
Edhe Pandeli Majko, ministër i Diasporës, po qëndron në heshtje dhe nuk po denoncon më se kush fshihet pas këtyre pengesave. Në 2018-ën, ai denoncoi se ishin biznesmenët e fuqishëm që nuk pranonin që ky kufi të hapej, pasi do u cenoheshin interesat.
“Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi. Sikur ta vendoste në fokus të interesave ia kisha bërë hallall, por ngandonjëherë vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit që biznesi po i bën politikës është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”, ka deklaruar në janar të 2018-ës, ministri Majko në emisionin ‘Përballë’.
Në gusht të 2018-ës, Pandeli Majko do të deklaronte se në 1 janar të 2019-ës do të hiqej kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë një ceremonie në Skënderaj, Majko tha se ky premtim i ishte bërë nga kryeministri Rama.
Në janar kufiri midis dy shteteve nuk hap dhe afati u shty për në maj të këtij viti, por tashmë që edhe maji u mbyll, sërish kufiri është aty për qytetarët e të dyja shteteve.
Në Prishtinë flitet edhe një taksë të ngjashme ndaj Shqipërisë si ajo që është vendosur ndaj Serbisë, nëse kryeministri Rama nuk reagon për të hequr barrierat.
20 milionë euro janë rritur eksportet shqiptare në Kosovë, ndërsa ato të Kosovës në Shqipëri vetëm 1 milion euro. Bizneset kosovare akuzojnë se janë këto barriera që i penalizojnë në tregun shqiptar, ndërkohë që Shqipëria është dyta në rajon, pas Serbisë, për barrierat ekonomike që ka ndaj Kosovës.
Ndërkohë që ministri Majko është tërhequr shumë që pas qëndrimit kundër ndryshimit të kufijve, që rrëzoi nga detyra ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, lufta tregtare Prishtinë-Tiranë sa vjen dhe po thellohet, ndërsa ministrat e tjerë në Qeveri duken të pafuqishëm për t’i dhënë zgjidhje barrierave të Ramës për Kosovën./politiko.al