Dy muaj pas miratimit në qeveri është publikuar këtë të hënë në Fletoren Zyrtare vendimi që autorizon ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private që do të ketë në objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.
E kthyer në një nga çështjet më të debatuara që prej fillimit të vitit të shkuar dhe kundërshtuar fort nga shoqëria civile, projekti synon që të ngrejë nga e para një projekt të ri duke shembur Teatrin Kombëtar. Por çfarë thotë vendimi i qeverisë i miratuar në datë 4 prill 2019 por që sipas pikës së fundit të tij merr fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe që deri tani nuk ishte bërë publik (Në listën e vendimeve të qeverisë të publikuara në 4 prill nuk gjendet ky vendim).
Së pari, nënvizon se qëllim i tij është krijimi i komisionit për realizimin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.
Së dyti, përcaktimin e kritereve kualifikuese e vlerësuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe të godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Kjo do të thotë se qeveria nuk është tërhequr nga projekti i Teatrit, por vetëm ka reflektuar kërkesën e bërë nga Bashkimi Europian që procedura të ishte me një garë transparente, duke qenë se më herët një projektligj i ngjashëm sanksiononte se operatori privat ishte Fusha sh.p.k. Autoritet Kontraktor në gjithë procedurat duket se do të jetë Bashkia e Tiranës.
Brenda pesë ditëve ministrat e Kulturës, Financave dhe Ekonomisë dërgojnë pranë Bashkisë së Tiranës emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision. Kryetari i komisionit thërret mbledhjen e parë brenda 5 (pesë) ditëve nga dërgimi i emrave të anëtarëve. Çdo institucion apo ent shtetëror, sipas kërkesës së komisionit, është i detyruar që brenda 3 (tri) ditëve nga kërkesa të vendosë në dispozicion të komisionit ekspertizën e kërkuar, nëpërmjet dërgimit të ekspertëve apo dhënien e saj me shkrim.
Vendimi jep disa detaje për kriteret vlerësuese që duhet të plotësojnë palët private. Kështu së pari ccdo palë private që kalon fazën kualifikuese, në përputhje me dokumentacionin e paraqitur sipas përcaktimeve të kreut IV, të këtij vendimi, vlerësohet nga komisioni sipas kritereve të mëposhtme:a) kriterit teknik (me 70 pikë);b) kriterit ekonomik (me 30 pikë).2. Komponentët e kriterit teknik, me një total prej 70 pikësh, zbërthehen, si më poshtë vijon:a) Projekt ideja e zhvillimit të zonës (60 pikë), ku vlerësohen këto nënelemente:i.masterplani, zgjidhja e ofruar (pesha 20 %);ii.arkitektura e Teatrit Kombëtar (pesha 40 %);iii.organizimi i brendshëm (pesha 40 %).b) Niveli (në %) i gëzimit të të drejtave mbi pronën, referuar sipërfaqes totale të pronës private që preket nga projekti (5 pikë);c) Koha e realizimit të ndërtimit(5 pikë).3. Komponentët e kriterit ekonomik, me një total prej 30 pikësh, i referohen ofertës për projektimin, ndërtimin, mobilimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin, dhe zbërthehen, si më poshtë vijon:a) çmim kosto teatri për m2, sipas kostos së projektit të propozuar (10 pikë);b) sasia (në %) e propozuar për m2pjesë takuese që do të përfitohet nga pala shtet (20 pikë).4. Çdo palë private renditet nga komisioni sipas kritereve të sipërpërmendura vlerësuese. Numri total i pikëve është 100.
Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në fillim të këtij viti 2018 kur artistëve ju prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar por që pas tij do të ishin edhe të paktën katër kulla. Kjo do të sillte përplasje të ashpër madje edhe artistët do të ndaheshin në dy kampe ndërkohë që varianti i kullave përfundoi në shtatë.
Përmasat publike që mori shqetësimi lidhur me Teatrin Kombëtar bënë që Kryeministri Edi Rama të deklaronte se nuk do të kishte kulla por edhe nëse do të kishte kjo nuk ishte diçka e keqe. Projekti më i diskutuar ende nuk ka marrë fazën finale ndërkohë që do të jetë kontrata ajo që do të zbardhë mënyrën sesi është konceptuar gjithçka.