Nga Nga Agim Nesho
Presidenti Meta bëri aktin e fundit për të shpëtuar shtetin. Një veprim patriotik, i përgjegjshëm dhe largpamës për të treguar çfarë i duhet Shqipërisë në këto momente të një krizë të thellë politike për të vazhduar integrimin e saj drejt perëndimit.
Ishtë një akt politik i një burri shteti për të shmanguar përplasjen civile dhe shkatërrimin e institucioneve dhe kthyer Shqipërinë drejt kaosit politik. Në qoftë se Presidenti Meta nuk do të ngrihej mbi interesat partiake dhe do të mbështeste opozitën e bashkuar, atëherë do të qëndronte i heshtur duke i lënë rrugë një lëvizjeje demokratike për të mbrojtur vlerat e sistemit dhe rikthimin e demokracisë funksionale.
Lubonja ka të drejtë kur thotë se e keqja zhduket me revolucion për të mos u kthyer më kurrë.
Akti i Presidentit dëshmon përgjegjësinë ndaj vendit, interesave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një akt patriotik për zgjidhjen e krizës, jo zgjidhjen e problemit. Por akti i Presidentit, në vend që të konsiderohej si një akt në shërbim të vendit, u godit me egërsi nga maxhoranca, që nuk do të humbasë avantazhet e ndërtimit të një pushteti autoritar dhe një shteti të kapur, ku krimi dhe korrupsioni kanë prishur edhe fasadën e një shteti demokratik.
Në një vend ku të gjitha institucionet janë të kapura nga pushteti, ku mungon Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, zgjidhja e propozuar është një zgjidhje politike për t’u dhënë mundësi palëve për të reflektuar dhe gjetur një zgjidhje institucionale. Por duket se gjërat kanë shkuar thellë dhe interesat okulte të një pushteti ta kapur nga oligarkët, nga interesat e drogës dhe krimit të organizuar, kërkojnë të mbajnë me çdo kusht pushtetin. Në vend të Gjykatës Kushtetuese përdoren organe të tjera si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të hedhur poshtë dekretin presidencial??! Qëkur një organ për administrimin e zgjedhjeve merr tagrin e vlerësimit të dekreteve të Presidentit?
Rezoluta kundër Presidentit, në një Parlament fasadë dhe me anëtarë të vënë në rresht, është veprim i fundit antidemokratik i një pushteti të korruptuar. Veprimi për shkarkimin e Presidentit është një akt i paprecedent në demokracitë perëndimore, aq më shumë kur ky i fundit kërkon një zgjidhje në interes të shtetit. Racionaliteti në këtë vend ka humbur me kohë dhe partitë feudale klanore shqiptare mund ta çojnë vendin drejt përplasjes dhe së keqes.
Ajo që do të kuptohet nga ky moment është përpjekja e Presidentit Meta për mos ardhur në pushtet një diktator. Nëse nuk dëgjohet dhe respektohet vendimi i Presidentit, atëherë fjalën duhet ta ketë populli.
*Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB