Sulmi i frontal i Ramës ndaj opozitës tregon rreziqet e shtetit njëpartiak

Premte, 14 June 2019 21:05

Megjithëse ka kaluar vetëm një javë nga publikimi i përgjimeve Dako-Avdylaj, duket sikur ka kaluar një shekull.

Kryeministri Rama, ditët e fundit, ka nisur një fushatë frontale sulmi ndaj kundërshtarëve politikë duke përdorur të gjitha mënyrat dhe mjetet e nevojshme për të diskredituar ose dobësuar besueshmërinë e tyre.

Një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve: Gazeta gjermane Bild publikoi një seri përgjimesh, në të cilat ishin të implikuar një sërë drejtuesish të lartë të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, përfshi kryebashkiakun e Durrësit dhe aleatin e ngushtë të Ramës, Vangjush Dako, që bashkëpunonin me bandat kriminale për të marrë vota në prag në zgjedhjeve parlamentare 2017.

Përgjimet janë pjesë e ‘dosjes Nr. 339‘, hetimi i së cilës është zvarritur nga urdhërat e prokurores së ngarkuar me detyrat e Prokurores së Përkohshme Arta Marku dhe drejtueses së komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.

Përgjimet e para nga dosja Nr. 339 u publikuan në media, fillimisht në janar 2019.

Dekreti i Presidentit Meta, i cili hyri në fuqi të hënën e shkuar, për anulimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale, i ka dhënë Kryeministrit Rama justifikimin e nevojshëm për të nisur një kundërsulm, duke përdorur të gjitha mjetet që aktualisht ka në dispozicion: qeverinë, administratën zgjedhore, parlamentin, dhe prokurorinë, dhe duke përfituar plotësisht nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Pas shpalljes nga Presidenti Meta të shtunën të vendimit të tij, qeveria filloi të qarkullojë menjëherë mes trupit diplomatik në Tiranë një interpretim ligjor në përpjekje për ta minuar Presidentin, ku argumentonte se dekreti ishte “absolutisht i pavlefshëm”.

Ky argumentim u përqafua menjëherë nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ): zëvendëskryetari Denar Biba e përsëriti fjalë për fjalë argumentin e Partisë Socialiste gjatë mbledhje së KQZ-së.

Si rezultat, administrata zgjedhore po vazhdon të përgatitet për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, sikur Presidenti të mos kishte nënshkruar asnjëherë asnjë dekret.

Në të njëjtën kohë, shumica parlamentare socialiste i propozoi Kuvendit një rezolutë, që përsëriti argumentin rreth “pavlefshmërisë absolute” të dekretit dhe mbështeti veprimet e KQZ-së për të mos e zbatuar dekretin, duke hapur rrugën për nisjen e mundshme të procedurave për shkarkimin e Presidentit Meta.

Duke ditur se për të shkarkuar Presidentin nevojitet 93 vota, miratimi i djeshëm i rezolutës në parlament kishte për qëllim të jepte një shfaqje force: 100 deputetë votuan pro rezolutës. Mes tyre ishin më shumë se 20 anëtarë të së ashtuquajturës “opozitë e re”, deputetë nga vendet e fundit të listave të kandidatëve të PD-së dhe LSI-së, që pranuan mandatet të joshur nga privilegji tërheqës i të pasurit imunitet nga procedimet penale.

Së fundmi, për ta mbyllur të gjithë fushatën e Ramës, prokuroria—e udhëhequr nga prokurorja e përkohshme e përgjithshme “e pavarur”, Arta Marku, e cili u zgjodh në mënyrë jokushtetuese vetëm me votat e shumicës socialiste—filloi hetimet kundër kreut të opozitës Lulzim Basha për dyshime për financime “ruse”.

Jo vetëm që e gjithë çështja është ndërtuar mbi informacione të pabaza, por një rast shumë më i qartë përfshinte Kryeministrin Edi Rama nuk është hetuar fare në Shqipëri, megjithëse bashkëpunëtorët e Ramës janë dënuar tashmë në Shtetet e Bashkuara.

Ky standard i dyfishtë, së bashku me bllokimin e hetimeve të dosjes Nr. 339, tregojnë qartë se sa shumë kontroll ushtron qeveria mbi prokurorinë, pavarësisht “sukseseve” të reformës në drejtësi që eurokratët po shpallin me të madhe në çdo cep të vendit.

Natyra e koordinuar e këtij kundërsulmi ndaj Presidentit, opozitës dhe demokracisë shqiptare provon pikërisht se Presidenti Meta mori vendimin e duhur për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Sepse për më tepër, përqendrimi i gjithë pushtetit vendor në duart e një partie të vetme, të udhëhequr nga një njeri i vetëm, do të ishte vërtet rrezik i madh për demokracinë.

Tani po shohim se çfarë është i aftë dhe i gatshëm të bëjë Kryeministri Rama në zemërimin e tij irracional për të mbrojtur veten dhe partinë e tij. Madje nuk kam asnjë dyshim për asnjë çast se ai do t’i mbyllte me kënaqësi në burg të gjithë kundërshtarët e tij politikë./Exit.al

Login to post comments