Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për përplasjet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Ai thotë se është përshëndetur edhe me të gjatë shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, duke theksuar se nuk ka pasur rast të sqarohet me të për mosmarrëveshjet pas Samitit të Berlinit.
“Unë i përshëndeta publikisht edhe kryeministrin Rama dhe presidentin Meta, është mirë që kanë ardhur. Nuk kam pasur rast të sqarohem. Unë e pata ftuar edhe në hapjen e Autostradës “Arbën Xhaferi”, ai më pati premtuar që do të vijë, por nuk erdhi, pastaj nuk kam pasur rast”, ka thënë ai. Ai tha se etiketimet që ia kanë bërë njëri-tjetrit në distancë, nuk duhen marrë si të tilla.
“Etiketimet nuk duhet me i marrë si të tilla. Unë mund t’ia konfirmoj opinionit që kam shprehur respekt dhe mbështetje për të majtën, por këto nuk i kam thënë në ndonjë axhendë. Unë e kam treguar një të vërtetë që ka ndodhur në Berlin, e që në mënyra të ndryshme e konfirmuan edhe vet”, deklaroi ai në “Interaktiv”.
Më tej, kreu i ekzekutivit foli për një samit të mëparshëm të organizuar në Durrës, kohë kur në krye të diplomacisë shqiptare ishte Ditmir Bushati.
Haradinaj thotë se në atë kohë, Bushati i kishte thënë se nuk mund të dalë e të kundërshtojë idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Ishte samiti i Durrësit dhe erdhi ministri Markovic, më vonë u bashkua komisionari Hahn dhe në një rast i thash Ditmir Bushatit, ‘i nderuar ministër, si ka mundësi që ju nuk e keni një qartësi në respektim të territoreve të Kosovës dhe si nuk dilni kundër lëvizjes me territore për Kosovën’, ai më tha që ‘unë e kam shef Edi Ramën dhe nga ai varet se sa do të jem në Qeveri’”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se nga këto përvoja e bëjnë që të ketë kujdes. Ai thotë se ishte angazhim direkt edhe i Thaçit edhe i Ramës që ai të reflektojë për shkak të autoriteteve të larta evropiane.