Nga Curzio Malaparte, për fundin e Mussolinit (Fragment)
Ç’rëndësi kishte për mua në kishte gabuar, në kishte kryer krime të tmerrshme e idiote, në e kishte shpënë Italinë në katastrofë?
Nuk kishte rëndësi për mua as që e kishte bërë të qante time ëmë duke më burgosur e internuar.
Ajo që për mua kishte rëndësi ishte që qe një i mundur, që të gjithë e kishin mohuar, që e kishin varë si qen dhe e kishin varur për këmbësh, duke e mbuluar në pështyma e në shurrë mes ulërimave të egra të një turme të pamasë e cila deri pak ditë më parë e kishte duartrokitur, i kishte hedhur lule nga dritaret.
Ashtu e kisha parë të varur në strehën e distributorit të benzinës, në sheshin Loreto, mes asaj turme të pistë, turmë frikaçësh që e shante dhe ndynte me pështyma, ndërsa pompierët hera-herës, me pompa, e lanin nga pështymat dhe nga gjaku dhe nga të pëgërat që turma i hidhte përsipër, nëpër ajrin mbytës plot kutërbim pisllëku e vdekjeje.
Asnjë rëndësi nuk kishte për mua që ai paskësh gabuar, që e paskësh bërë mbarë Italinë gërmadhë, që e pati katandisur popullin italian në mjerimin më mizor. Më vinte keq për të gjithë italianët, por jo për atë turmë ndyrashe. Dhe, edhe sikur ajo turmë frikaçësh të qenkësh përbërë prej miliona e miliona italianësh, as do të doja t’i doja. Madje gati-gati do të kisha ndier kënaqësi të mendoja që ajo turmë kishte atë që meritonte. Nuk ishte turmë viktimash të pafajshme, por turmë bashkëfajtorësh.
Kurrfarë rëndësie nuk kishte për mua që ajo turmë i kishte shtëpitë të rrënuara, familjet të shkapërdara, dhe që ishte e uritur, sepse një turmë e tillë e kishte merituar. Të gjithë ishin bashkëfajtorë me të. Deri tek i fundit. Edhe ata që e kishin luftuar kishin qenë bashkëfajtorë me të deri në momentin e fatkeqësisë.
Kurrfarë rëndësie nuk kishte për mua se kishte qenë uria, frika, ankthi që e kishin shndërruar atë turmë njerëzish në hiena të poshtra e të egra. Cilado të ishte arsyeja që e kishte kthyer atë turmë në një lyshtër të pistë, që e kishte shtyrë të ndynte me pështyma dhe të pëgëra kufomën e tij, nuk më interesonte aspak.
Isha në këmbë në xhip, i bllokuar mes asaj turme kafshërore. Kamingu më shtrëngonte krahun. Unë fillova të villja. Ishte e vetmja gjë që mund të bëja. Zura të villja aty në xhip, ndërsa amerikani i mirë Kaming më shtrëngonte krahun: ishte i zbehtë si i vdekur dhe vetëm më shtrëngonte krahun”. / Curzio Malaparte: Muss. Il ritratto di un dittatore, Passigli Editori, 2017. Përshtati në shqip: Aurel Plasari