Meta: Qeveria po merr autoritete shtesë që nuk ia lejon Kushtetuta

Diel, 16 June 2019 21:43

Gjatë intervistës për Al Jazeera-n, presidenti i republikës Ilir Meta ka komentuar edhe sjelljen e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama sa i përket dekretit që shfuqizon 30 qershori si datë për zgjedhjet e pushtetit vendor.

Sipas kreut të shtetit, qeveria po përpiqet të marrë autoritete shtesë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Pjesë nga Intervista:

 

Duke u kthyer te çështja kushtetuese, argumentet kundër Jush të shprehura nga qeveria theksojnë se Ju nuk keni të drejtë të anuloni datën e zgjedhjeve...

Presidenti Meta: Nuk jam duke folur për spekulime politike. Unë ju sigurova se ky është një vendim kushtetues solid. I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju sigurojështë se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe duke iu referuar kuadrit kushtetues dhe ligjor, nga çasti i publikimit është detyrim i çdo institucioni, qoftë në pushtetin qendror apo vendor, ta zbatojnë këtë dekret.

Gazetari: Ne rregull, por duke folur politikisht, Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka ndërmend të ulet në dialog me opozitën për të gjetur një datë konsensuale për zgjedhjet dhe se opozita kishte mundësi të regjistrohej në proces zgjedhor, por vendosi të mos merrte pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, ai thotë se i qëndron vendimit të mëparshëm për datën e zgjedhjeve. Si mund të gjendet në zgjidhje në këtësituatë? A do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve vendore nëse do të mbahen?

Presidenti Meta: Pasi dekreti u firmos dhe hyri në fuqi, nuk ka më datë formale dhe ligjore për zgjedhjet më 30 qershor. Sa u përket pretendimeve të Kryeministrit Rama dua t’ju bëj me dije se precedenti i shtyrjes së zgjedhjeve vendore është krijuar për herë të parë në vitin 2006 dhe 2007, kur zoti Rama ishte udhëheqës i opozitës dhe kryebashkiaku i Tiranës. Ai kërkonte që një dokument shtesë të përfshihej në këtë proces teknik me kushtin që të merrte pjesë në zgjedhje. Pikërisht atëherë patëm precedentin e parë, që më pas do të përsëritej në disa raste të tjera.

Dua të them se kjo nuk është diçka e re. Sigurisht, nuk është diçka normale, sepse kur gjithçka shkon mirë nuk ka asnjë arsye për të marrë një vendim të tillë dhe unë shpresoj se Kryeministri ynë duhet të jetë më shumë i vetëdijshëm për këtë parim qeverisës, që qeveritë kanë mëtepër përgjegjësi për të gjithë vendin, jo vetëm për mbështetësit e vet apo militantët. Unë shpresoj që ato t’i marrin përsipër e t’i përmbushin këto përgjegjësi dhe të reflektojnë sa më shpejt në interesin më të mirë të vendit.

Gazetari: Ka dy interpretime krejtësisht të ndryshme të Kushtetutës, për të cilat Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendoste. Por meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse gjyqtarët po i nënshtrohen procesit të vetting-ut...

Presidenti Meta: Është vetëm një autoritet suprem që mund të gjykojë këtë dekret, që është Gjykata Kushtetuese, e që nuk është funksionale për momentin, siç e përmendet ju me të drejtë.Të gjithë e dinë se Presidenti i Republikës ka bërë çdo përpjekje prej kohësh për të shmangur një situatë të tillë, por kjo tani nuk ka më rëndësi. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është njëdekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim dhe jam i sigurt se kam bërë më të mirën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit midis qeverisë dhe opozitës, si edhe duke iu dhënë të dyja palëve mundësinë për t’u qetësuar, për të reflektuar dhe për t’u ulur sa më parë në dialog për interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve. Veçanërisht, në këto ditë para vendimit shumë të rëndësishëm që do të merret nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Modifikuar më Diel, 16 June 2019 21:50
Login to post comments