Sali Skura, shefi i Komisariatit 5 në kohën e përgjimeve të dosjes “184” të vjedhjes së votave në Dibër e në vijim, rezulton se ka bërë përpjekje policore për bllokimin e qytetarëve që jetonin përkohësisht në Kamëz për të votuar në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016.
Në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, Sali Skura është përgjuar duke i raportuar një zyrtari të lartë të Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi, i cili, siç duket, ishte “koordinator” i Partisë Socialiste për vjedhjen/tjetërsimin e votave në Dibër.
Nga disa verifikime të kryera nga “Boldnews.al” rezulton se Sali Skura është kunati (burri i motrës) së një prej prokurorëve të dosjes hetimore “184” (dhe asaj me nr. 339), Vladimir Mara.
Pikërisht, ky detaj shpjegon shumë gjëra se përse dosja “184” qëndron prej më shumë se një viti në dorën e Vladimir Marës dhe kolegut të tij, Dritan Prenci, të cilët, me urdhër të shefes së tyre, Donika Prela, kanë bllokuar hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Pak ditë më parë, prokurorët e dosjes “339” dhe “184”, ndër të cilët edhe Vladimir Mara, nxorën urdhërin për mos-publikimin e akteve hetimore, pas daljes së përgjimeve në gazetën “Bild” e më tej në median shqiptare.