Nga Alfred Lela/
Një serial përgjimesh, i denjë për Netflix, u publikua sot nga gazeta gjermane BILD. Bisedat e titruara në anglisht janë ‘zbardhur’ nga mediat shqiptare, edhe pse nuk do të nevojitej në këtë rast: gjuha është e qartë. Sa ç’është i tillë edhe qëllimi i atyre që thuhen, por edhe atyre që nënkuptohen (të cilat në fakt janë pak).
Reagimet e para (të pritshme?) kanë mbërritur nga të dy palët edhe pse, ndoshta politikanët e opozitës është më mirë të heshtin për 24 orë. Çfarë nevoje ka të komentosh gjëra që nuk kanë nevojë as për koment dhe as për përkthim apo interpretim?
Por nuk është se prish punë nëse opozitarët, të kapur në rrjetën e pamëshirshme të asaj që quhet hakmarrje, dalin e thonë fjalën e tyre: rivendikimi u takon sespse prej dy vjetësh mbi ta kanë rënë një lumë përqeshjesh. Kundërshtarët e tyre politikë dhe analistët e majtë nëpër studio e shihnin si jashtë imagjinate që të manipulohej apo të vidhej një sasi e tillë votash, pra 4 mijë të tillë, sa ç’ishte diferenca mes dy kampeve politike në zgjedhjet e ndërmjetme të Dibrës.
Duke mbajtur në mendje se 300 vota plus kishte marrë socialisti që po linte zyrën ‘me brekë nëpër këmbë’, pasi u kap duke u munduar ‘të fuste në shtrat’ një adoleshente në këmbim të një vendi pune.
I hatashëm, një madhështi marrëzie, ka qenë reagimi i personazheve kryesorë të serialit të Dibrës. Ata do të kishin dy zgjedhje brenda normales: ose të heshtnin fillimisht derisa të formulonin një qëndrim zyrtar solid, ose të flisnin, por duke ia filluar me një lloj pendese. Nuk e bënë këtë, as kryeministri Rama, as Pjerin Ndreu, të cilët shpallën se nuk kishte asgjë anormale në ato që kishin thënë vetë dhe dëgjuar po vetë.
Një palë e tretë, e heshtur deri më tash, vuvët, do t’i quante Ismail Kadareja, ambasadorët, kanë heshtur si fija e barit. Nuk ka ardhur as një gëk nga seria e parë e përgjimeve dhe, ende (as nuk pritet) nga seriali 16-sh i publikuar sot.
Zotërinjtë dhe zonjat që përfaqësojnë demokracitë perëndimore duhej të flisnin. Zgjedhjet dhe të gjitha problemet që lidhen me to, janë ndikuese të drejtpërdrejta në përfaqësim dhe përfaqësimi është thelbi i procesit demokratik. Rrjedhimisht ato janë ku e ku më të rëndësishme se LGBT, kulinaria, turizmi dhe parada të tjera të të drejtave të njeriut. Ata vijnë nga qytetërime ku detyrimet dhe të drejtat nuk ndahen. Pse këtu është ndryshe?
Si mundet të heshtin për këtë katrahurë dhe ‘të hanë mikrofonë’ çdo ditë për çështje që meritojnë të gjithë respektin, por janë jashtë kontekstit akut të vendit? Nuk u kërkohet të kuptojnë antropologjinë dhe kulurën lokale, por t’i mbushin me logjikë hendeqet mes problematikave në një vend si Shqipëria. Nëse nuk e i kuptojnë këto hendeqe, janë poshtë detyrës që mbajnë, dhe ky është problem i shteteve që përfaqësojnë. Nëse i kuptojnë fare mirë dhe i shpërfillin, ky është problemi i shqiptarëve, të cilët bash këtë të hënë të 17 qershorit, duhet të fillojnë t’i shpërfillin.
Në mbyllje, si mundet të rrinë gojëkyçur për 30 qershorin kur, dy qershorë të shkuar, me duar ‘shtetërore’ është gatuar ajo ‘Vaterlo elektorale’ skenari i së cilës jepet qartë në përgjimet e publikuara nga BILD?
Zonja dhe zotërinj ambasadorë: nëse i dëgjuat dialogjet e zyrtarëve shqiptarë Keshi dhe Krashi, duhet ta keni kuptuar se z.Rama, të vetmet zgjedhje që mund të bëjë janë cash&crash.
Nëse në filmin e vjetër amerikan Tango& Cash, dy policët janë ushtarët të së mirës kundër së keqes, në serialin e BILD, Keshi & Krashi janë në krahun e kundërt.
Ju në cilin krah qëndroni? / Politiko.al/