Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi ka reaguar pas vendimit për shtyrjen e negociatave të Shqipërisë për në muajin tetor.
Përmes një statusi në ‘Facebook’, Bardhi shprehet se Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv.
Sipas Bardhit, shtyrja e vendimit për herë të tretë radhazi nuk ka asgjë pozitive dhe nëse ai do të vazhdojë të qendrojë në krye të vendit, dera e Europës do të jetë e mbyllur për shqiptarët.
Bardhi shton se kur Shqipëria të hyjë në rrugën e duhur, Rama nuk do të jetë më kryeministër.
Statusi i plotë:
Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv, duke thyer edhe rekordin e një viti më parë, kur gënjeu shqiptarët se negociatat u hapën.
Shtyrja e vendimit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave me Shqipërinë për të tretën herë me rradhë, nuk ka asgjë pozitive. Edi Rama e di shumë mirë se, nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të vendit, dera e Europës për shqiptarët, do të qendrojë e mbyllur.
Europianët nuk pranojnë në familjen e tyre një hajdut votash si Edi Rama, një hajdut taksash si Edi Rama, një hajdut pasurish kombëtare si Edi Rama.
Me zgjedhje të vjedhura në pakt me krimin dhe me korrupsion të frikshëm si ky i qeverisë së Edi Ramës, vendi ynë do të mbetet i izoluar, i fundit për nga ekonomia, i fundit për nga zhvillimi.
I vetmi lajm i mirë në këtë histori 6 vjeçare mashtrimesh dhe vjedhjesh të Edi Ramës, është se në tetor, kur Europa të vendosë për ne, ai nuk do të jetë më kryeministër dhe Shqipëria do të ketë hyrë në rrugën e duhur për nisjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar hapin e parë për Shqipërinë si gjithë Europa - zgjedhjet e lira e të ndershme.