Kryeministër, çdo udhëtim mbaron një ditë

E mërkurë, 19 June 2019 15:55

AGRON GJEKMARKAJ 

Udhëtimet logjike gjithmonë e kanë një fund. Njeriu i gjorë lodhet e kërkon prehje. Trupi lyp paqe e shpirti do gjumë edhe kur pikat e shiut nuk bien në lumë. Por maksimat dhe përcaktimet nuk vlejnë për marrëzinë. Qeveria e Edi Ramës është në këtë zonë. Ajo e ka kaluar ozonin e për qejfin e vetë ecën pa këqyrur poshtë çfarë ndodh në Shqipërinë që duam e që kurrë nuk ia mbërrin.

Shqipëria që kemi ka sot dy institucione themelore, vullnetin dhe mëshirën e Edi Ramës. Mbi to kolovitet krejt jeta e një shoqërie të trazuar. Nëse ai nga gjumi ngrihet prishaqejf, nami i zi bëhet për këtë milet. Kujt t’ia vërë syrin e rras në burg pa një e pa dy. Por kur buzëqeshja ia beh, krejt si ngjyrë ylberi hapet qielli i shpresës. Të tjera garanci as nuk ka, as mos kërkoni. Institucionet e tjera i ka vra Zoti me dorë të vetë. Çfarë ka mbetur prej drejtësisë e sidomos Policia janë një me pushtetin.

Opozita prej muajsh është jashtë sistemit. Mandatet ka djegur në shenjë proteste. Në zgjedhje lokale nuk hyn. E kush ka kurajë t’i thotë pas përgjimeve që lemerisen botën e qytetëruar dhe shqiptarët e testuar në durim që të marrë pjesë në to. Maxhoranca kërkon të shkarkojë Presidentin e Republikës, sepse ndien nevojën shpirtërore për të dekoruar heronjtë e Shijakut dhe të Dibrës. Meta këtë s’e bëka. Ndaj duhet një tjetër. Në ditën më të keqe kur nga Gjermania vinte mandata e tabloidit “Bild”, ku gjithë llumi e haleja politike e morale e kësaj qeverie vërshonte mbi ne, Prokuroria  merrte të pandehur e kërcënonte liderin e opozitës. Lojë e madhe me zjarrin. Lulzim Basha pëlqehet apo urrehet është tjetër punë, por përfaqëson gjysmën e këtij vendi si domethënie politike. Guximi për ta shantazhuar është në të njëjtën kohe guxim që shantazhon paqen sociale. Njerëzit nuk mbrojnë Bashën, por liritë e tyre përmes simbolikes së tij.

Pra, sot, në Shqipëri ka vetëm një institucion. Ai quhet Edi Rama. Hiqmi i tij është balsam, është horizont, është ardhmëri. Analiza mbi përgjimet e së hënës nga pikëpamja tekstuale të çon në të tilla përfundime. Personazhi, i cili telefonohet nga Kryeministri apo nga ministrat e deputetët e PS-së, di vetë si ta përkthejë besimin që i jepet. Kërcënime, shitblerje vote, pshurrje mbi dinjitetin e qytetarëve, rreshtim të administratës civile e plot të tjera ndodhi.

Publikime të tilla do të rrëzonin çdo qeveri europiane, menjëherë. Po këtu, mes nesh, sipas traditës, Kryeministri hedh valle në gojë të ujkut. Po ecet drejt datës 30 qershor me guxim të marrësh, ndërkohë që shenjat e para të mospranimit të kësaj date u duken dje në Tropojë, Shkodër, Lezhë etj. Shqipëria po rrezikon të ndahet më dysh e të thyhet në mes. Edi Rama duhet ta dijë se çdo udhëtim e ka një fund, edhe pushteti, edhe sundimi, edhe fitimi, çdo eksplorim në një çast përmbyllet.

Sa keq kur kjo nuk kuptohet apo pranohet nga gjykimi i lirë i individit udhëheqës. Vetëm marrëzia nuk kontrollohet. Atë e ndalin të tjerët dhe rrethanat me pasoja të paparashikueshme për të gjithë. Rama ka ende kohë për të dëshmuar që është nën ndikimin e logjikës. Vërtet Che Guevara thoshte të jetosh nuk është e rëndësishme, por të udhëtosh po, por jo në kurriz të së ardhmes e së tashmes të një populli mjaft fatkeq për rrethana historike. Ndalu Kryeministër, çdo udhëtim e ka një fund e kjo nuk është patetike, thjesht eksperiencë shekujsh.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

Login to post comments