Lleshi kërcënoi me shkrirje të policive bashkiake/ Reagon Shoqata e Bashkive: Akt konfliktual dhe anti-kushtetues

E mërkurë, 19 June 2019 19:11

Qeveria ka vendosur që të shkrijë disa nga policitë bashkiake në bashki që drejtohen nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Vendimi absurd dhe i paprecedentë është bërë i ditur nga Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, i cili akuzoi policitë bashkiake se kanë dalë kundër misionit të tyre dhe janë kthyer në rrezik publik.

Lidhur me këtë gjë ka reaguar edhe shoqata e bashkive, e cila nëpërmjet një deklarate e quan deklaratën e ministrit si konfliktual dhe antikushtetues.
“Ky akt i paprecedentë është thellim i grushtit të shtetit nga Qeveria dhe një tentativë e qartë antikushtetuese për të uzurpuar kompetencat e Bashkive.

Mbi këtë akt do të njoftohen nga ana jonë, në mënyrë të menjëhershme, të gjitha organizatat ndërkombëtare, që sigurojnë autonominë vendore, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në deklaratë.

DEKLARATË E SHOQATËS SË BASHKIVE PËR QËNDRIMIN KONFLIKTUAL DHE ANTIKUSHTETUES TË MINISTRIT TË BRENDSHËM

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dënon dhunën e Policisë së Shtetit ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake në gjithë vendin, si dhe e konsideron si cënim të thellë të autonomisë vendore deklaratën e Ministrit të Brendshëm.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, urdhëruesi i veprimeve të paligjshme të Policisë së Shtetit, ndaj punonjësve të Bashkive, njoftoi se Qeveria do të shkrijë Policitë Bashkiake, të cilat janë krijuar me ligj dhe janë pjesë thelbësore e mundësimit të ushtrimit të detyrave nga organet e njësive të qeverisjes vendore.

Ky akt i paprecedentë është thellim i grushtit të shtetit nga Qeveria dhe një tentativë e qartë antikushtetuese për të uzurpuar kompetencat e Bashkive.

Mbi këtë akt do të njoftohen nga ana jonë, në mënyrë të menjëhershme, të gjitha organizatat ndërkombëtare, që sigurojnë autonominë vendore, brenda dhe jashtë vendit.

Në shkelje të ligjit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me njoftimin për shkrirjen e Policive Bashkiake, synon një tjetër konflikt institucional, kësaj here me qeverisjen vendore. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë gjen rastin t’i kujtojë Ministrit Lleshaj se në demokraci, institucionet autonome dhe të pavarura, nuk marrin urdhra nga Qeveria. Vendimi i njoftuar prej tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe, për pasojë, nuk do të njihet dhe nuk do të zbatohet nga Bashkitë.

Ndërhyrja brutale e Qeverisë ndaj autonomisë vendore është e papranueshme dhe e paprecedentë. Nxitja e konfliktit midis Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit është, gjithashtu, një veprim kriminal i papranueshëm. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë do të bëjë gjithçka për të garantuar që qytetarët të mos bien pre e provokimeve të Qeverisë, që synojnë dhe nxisin konflikt social dhe cënojnë stabilitetin demokratik të vendit.

Policët bashkiakë janë në detyrë dhe të vendosur të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre sipas ligjit.

Në përfundim, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama, të ndalë menjëherë agresionin qeveritar dhe policor mbi strukturat bashkiake, si dhe të urdhërojë ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve të bashkive tona, të cilët janë të vendosur të mbrojnë Kushtetutën dhe demokracinë. Asnjë terror dhe dhunë policore nuk mund të pengojë Kryetarët e Bashkive të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore.

Login to post comments