… Sot, që nesër të mos jetë vonë!

E mërkurë, 19 June 2019 19:50

Nga Halil Teodori

Situata politike në Shqipëri ka hyrë në një fazë kritike. Palët e përfshira sa vijnë dhe potencojnë frontet e përballjeve. Asnjë rreze shprese nuk ka për kompromis. Shteti, vijon të bëjë arrogantin, opozita, të pabindurin. Ideja e përplasjes civile, po gjen gjithnjë e më tepër terren për të marrë atribute pushteti.
Partia Socialiste, pozita nga ana e saj, vijon e qetë fushatën e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit, një qetësi kjo si paralajmërim i një diçkaje të padëshirueshme që mund të ndodh. Përpjekja që ajo bën për të injoruar realitetin e tensionuar, e penalizon moralisht dhe politikisht, duke e bërë fajtor për agravimin e mëtejshëm të gjendjes, në një cak të pakthyeshëm. Ajo po dëshmon dita-ditës, jo vetëm mungesën e vullnetit politik, për të kërkuar, gjetjen e një zgjidhjeje, për uljen në tryezën e bisedimeve, për arritjen e një dakordësie të pranueshme nga palët, por shfaq gjithnjë e më hapur tendecën për të injoruar realitetin dhe faktorin përfshirës të saj në vitalizimin normal të jetës politike. Shtimin e barrës së fajit në përfshirjen e pushtetit në shitblerjen e votave, gjë të cilën nuk e mohon askush, po rreket ta mbysë me arrogancë dhe megalomani, me veprime antiligjore dhe qëndrime thellësisht antidemokratike. Ajo jo vetëm po bën të pafajshmin, por nuk po nguron të bëjë me faj, fjalën e lirë dhe demokracinë e komunikimit, duke anatemuar media të veçanta dhe mbytur zëra reagues që po përpiqen të bëjnë gardianin e demokracisë.
Partia Socialiste duhet të jetë më e përfshirë dhe më e urtë, më bashkëpunuese dhe më e përulur, gjithë kjo luftë është, jo tamam kundër saj, se sa veseve dhe denigrimit që ajo i ka bërë funksionimit të politikës, të institucioneve, të medias, të përgjegjësisë që ka ndaj atij populli që e ka votbesuar.
Portestat e studentëve, të pasuara nga ato të fermerëve, të minatorëve, të naftënxjerrësve, të grupimeve shoqërore, të politikës, dhe përshkallëzimi i kësaj situate tejet të rënduar politike, me djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës dhe tensionimi i skajshëm i gjendjes, nuk është thjeshtë një panoramë e kërcënueshme për çdo qeverisje, është vetë e vërteta e gjendjes, në të cilën ndodhet vendi. Agravimi i konfliktit politik, çdo ditë e më tepër nuk duhet trajtuar si një nevojë për rotacion pushteti, se sa si një domosdoshmëri për ndryshimin e filozofisë së politikbërjes dhe trajtimit të marrëdhënieve më korrekte mes zgjedhësit dhe të zgjedhurve. Sot nuk flitet se protestat kërkojnë “ulu prift të hipi hoxha”, por po kërkojnë të ndryshojnë në themel politikën, shtetin, funksionimin e institucioneve dhe gjithë hallkat e tij.
Roli i Presidentit të Republikës, Ilir Meta nuk duhet injoruar, e aq më pak të tejkalohet çdo praktikë zbatimi politik, duke kërkuar largimin e tij, me pretekse të përfshirjes së tij në favorizimin e opozitës. Pse nuk duhet parë edhe nga PS roli i Metës, ashtu siç e shohin të gjitha ata që jetojnë dhe e gjejnë veten të përfshirë ne jetën politike shqiptare. Pse u dashka që të gjendet me doemos një preteks për të mbytur çdo zë dhe çdo veprim që nuk është pro pushtetit.
Ti bësh temena sot Ramës, PS-së dhe mbi të gjitha kësaj politike që kërkon të shuaj zjarrin me benzinë, është një inkriminim moral dhe politik i çdokujt që ka një pare mend në kokë, çdokujt që nuk do të kryej një veprim apo të shpreh një qëndrim, për të cilin duhet të pendohet dhe të ndihet nesër përgjegjës i asaj që mund të ndodhi.
Edhe ata që në një mënyrë apo në një tjetër janë të kapur nga pushteti, duhet të kërkojnë maturi dhe kthjelltësi, të reagojnë paanësisht dhe të shprehen pro interesave të normalitetit, të funksionimit të shtetit dhe respektit reciprok të palëve të përfshira në veprimtarinë politike. Edhe vetë kryeministri, Edi Rama nuk duhet të jetë entuzist për mbështetësit e tij sot, për ata që po e lejojnë, që ai të gabojë deri në fund, po tolerojnë fajet dhe përgjegjësitë politike që po merr ai mbi vete. Rama duhet të jetë më koshient për çfarë po ndodh dhe të kërkojë nga vetëdija e tij politike të jetë ai që zgjedhësit kanë votbesuar. Duhet të vlerësojë çdo cak të përkeqësimit të siatuatës politike në vend, duhet të mos injorojë alarmet që vijnë nga vende të BE, të cilat po kërkojnë gjithnjë e më me insistim të rikthejnë vizat për shqiptarët, pra, t’u heqin shqiptarëve të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Rama dhe ata të cilët kanë në dore mundësinë e ndryshimit të situatës, duhet të bëjnë çmos të konsiderojnë reagimet e faktorit ndërkombëtar, njëri prej të cilëve shtytja për një afat të papërcaktuar e mundësisë së çeljes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe jo të mjaftohen nga ndonjë deklarim të nxituar apo i ndikuar dhe aspak realist i ndonjë ambasade apo përfaqësie të huaj. Për të ardhur te përplasja e institucioneve, e cila po degradon, nga djegia e KZAZ-ve në rrethe, pengimi i zhvillimit normal të procesit përgatitor për zgjedhjet e 30 qershorit.
Partia Socialiste, Edi Rama, dhe gjithë aktorët primar politik, duhet të vetëdijesohen dhe të kërkojnë me domosdo një rol më të gjithëpranuar. Të shpëtojnë shtetin, demokracinë, ëndrrën evropiane dhe të drejtën e shqiptarëve, për të qenë dhe pranuar si të barabartë mes të barabartëve në arenën ndërkombëtare.
Situata në të cilën ndodhemi është e patolerueshme, madje mund të themi se është kritike, një situatë që mund të precipitojë nga momenti në moment. Një realitet që nuk përjashton çdo bartje rreziku. Sikur tre ditë më heret të ishim ulur në vitin 1997 nuk do kishte ndodhur destabilizimi i vendit.
Është fakt, jo vetëm opozita por i tërë populli në opinionin e qeverisë janë të braktisur. Kjo do të thotë se qeveria dhe shteti i korruptuar të vazhdojnë të mbajnë akoma vendin nën sundim. Në shekullin 21 dhe në një vend anëtar i NATO-s, aspirant për në BE, në një vend në zemër të Evropës, këto praktika diktatoriale, despotike, oligarkike, duhet të marrin fund, nëse nuk duam që të varrosim një herë e përgjithmonë demokracinë, atë që fituam me gjak, mund dhe sakrifica.
Qeveria shqiptare, Partia Socialiste, Edi Rama duhet të kuptoi se:
– Demokracia nënkupton rregulla, ku në qeverisje është populli, bindje ndaj ligjit dhe Kushtetutës së Republikë s së Shqipërisë . Në praktik është mozhariteti që drejton në bazë të Kushtetutës dhe mbron të drejtat e njerëzve. Ky term ka ardhur që nga lashtësia, dhe nënkupton rregulla që vihen nga njerëzit dhe që u shërbejnë po njerëzve. Shqipëria është Republikë Parlamentare, që do të thotë se populli zgjedh parlamentin, i cili emëron qeverinë që drjeton konform rregullave themeltare të shtetit.
Jo të gjithë dalin të kënaqur nga zgjedhjet, por demokracia kërkon që mazhoritet, i cili del nga zgjedhje të lira qeveris vendin. Do të thotë se pesëdhjetë + 1 e votuesve kanë të drejtën që të drejtojnë vendin për një mandat.
Sot në botë, përjashtuar ndonjë vend të veçantë, demokracia i referohet formës së qeverisjes. Me këtë dua të them, se në demokraci populli ka të drejtë të jetë në opozitë me qeverinë dhe mënyrën, se si qeveria drejton vendin në përputhje me kushtetutshmërinë.
Në demokraci sistemet njëpartiak janë të patolerushme. E them këtë sepse në politikën shqiptare shikohen shkarje të pa nevojshme. Dhe të gjitha këto i lidhim me opinion e disa diplomatëve evropian. Por ajo që është e rëndësishme është se vendi duhet të bëhet nga vetë ne shqiptarët. Evropa ka qenë dhe vazhdon të jetë dashakeqëse ndaj shqiptarëve, këtë duhet ta themi hapur. Por në të njëjtën kohë dhe ne jemi jashtë kornizave që kërkon koha.
Gjithashtu në demokracia kërkohet që të ruhet dinjiteti njerëzor dhe njëkohësisht bën apel që barazia të jetë për të gjithë dhe të mbrohet me ligj.
Vlerat e demokracisë e kanë origjinën që në lashtësi dhe për këtë një kontribut të pamohueshëm kanë dhënë shqiptarët e hershëm ose më mirë të themi Ilirët. Katërqind vjet para lindjes së Krishtit, ishin ilirët ata që kishin vendosur rregulla dhe ligje për drejtimin e komunitetit. Ishte Aristoteli dhe Patoni, të cilët dhanë idenë se si qeveria dhe parlamenti duhet të qeverisin me rrotacion. Sipas Aristotelit 300 vjet Para Krishtit kur vendi qeveriset vetëm nga një person shkon drejt degjenerimit dhe kthehet në diktaturë.
Roman Empire adaptet demokraci mixed, e cila funksionoi e shëndetshme dhe njëkohësisht bëri balancimin e asaj që dua ta quaj forca e popullit në vendimmarrje.
Në vendin tonë para viteve 1990 e drejta e popullit për të votu ishte e përcaktuar në kushtetutë por si rezultat i një sistemi diktator populli asnjëherë nuk arriti të marrë atë që duhej me ligj. Në fillim të viteve 1990 me zhvillimin e demokracisë, në vend u arrit një epokë e re e zhvillimeve demokratike, ku populli filloi të mendoj seriozisht për atë që i takonte. Zhvillimet demokratike të asaj periudha bënë që një pjesë e konsiderueshme e oligarkisë së re për interesa personale e kaluan vendin ne një anarki konstitucionale dhe proceset demokratike, u uzurpuan pa të drejtë nga një klasë e re e pa përgjegjshme. Kjo ka bërë që korrupsioni të jetë në nivelin më të lartë se asnjëherë tjetër në këta vite demokracie duke krijuar mendimin se ne demokraci jetohet e punohet pa rregulla.
Me ardhjen e pluralizmit politik u themelua Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila u bë parti e kritikës dhe protestave dhe i dha vendit atë që ishte e domosdoshme për zhvillim. Për një periudhë të gjatë kohe po bëhen gati tridhjetë vjet që nga viti 1990 shumë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit komunist si dhe ish-antarët e Partisë Punës, kanë qeverisur duke e goditur demokracinë në të gjitha drejtimet, si në qeverisje ashtu edhe në jetën e përditshme. Sot për sot vendi jonë nuk është në demokraci ashtu si e kërkon koha, kjo ka bërë që opozita të ngrihet në protesta për të dëbuar nga drejtimi ketë klasë politike të pa përgjegjshme dhe çuarjën e vendit drejt një stadi të ri demokracie me standarde bashkëkohore.
Godotja që i është bërë zhvillimeve demokratike nga Partia e Punës Shqipërisë dhe klasa politike ne këto vitet e fundit janë forma të stërholluara diktature, janë metoda të pastra të rikthimit të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.
Ne emër të demokracisë kanë folur shumë vetë, a nuk ishte Lenini që kaloi në diktator, po kështu Hitleri dhe Duçja bënë të njëjtën argument dhe vendet shkuan drejt anarkisë.
Demokracia është forma e qeverisjes së shtetit dhe jo një deng me reforma ekonomike e sociale, siç pretendojnë politikanët tanë të korruptuar. Demokracia është sistem që shumica vendos rregulla dhe garanton lirin e individit.
Situata politike çdo ditë po përshkallëzohet, gjendja po tensionohet si në vitin 1997. E gjitha ajo që ndodhi ne vitin 1997 ju faturua popullit, ndërsa politikanëve nuk u hyri asnjë gjemb në këmbë.
Pyetja bëhet se si mund të shkohet në zgjedhje pa opozitën?
Kush do ti njoh ata zgjedhje?
Sa nuk është vonë duhet te reflektojmë për të mirën e vendit nesër mendoj se është vonë. Të gjithë aktorët që kanë një mundësi për të shprehur vullnetin e tyre për gjetjen e zgjidhjeje, duhet të ulen, të urtësohen, të lënë mënjanë mëritë dhe inatet e vjetra, të pranojnë se janë për të gjetur zgjidhje, dhe jo për të mbytur çdo shans me zgjedhje që na shpien de fakto në diktaturë. Duhet domosdo të ndodhi një skizmë e thellë. Politika duhet të fillojë ndryshimin me shkëputjet që ajo ka me pushtetin e parasë, me oligarkët, me mafien. Atyre mund të mos u kushtojë asgjë viktimizimi i një populli të tërë, por nuk duhet të harrojnë se edhe ta një ditë ishin dhe do të jetë popull. Gjithmonë ka një zgjidhje, kur ka një vullnet të mirë politik dhe ata që kanë pranuar të jenë të zgjedhurit e sovranit, duhet të pranojnë të jenë, çfarë kushtetuetshmërie, atdhetari, nderi, kërkojnë.
Sot, që nesër të mos jetë vonë!

Login to post comments