Nga Kastriot Dervishi.
Duke ndjekur përgjimet e djeshme, nuk ka se si të mos të të vijë keq nga niveli mediokër e partiak ku ka arritur policia jonë. Nga institucion i sigurisë, në vend që të rritet profesionalisht e të zbatojë vetëm ligjin, merret me votime e militantizëm politik.
Ministri i Brendshëm telefonon një shef komisariati dhe i flet për “rrugë institucionale” (!). Anëtari i komisionit të Sigurisë, i premton se ku do lëvizë e ku do emërohet shefi i Policisë. Asnjë deputet dhe as ministri nuk kanë tagër ligjor të emërojnë dhe shkarkojnë policë. Ministri i Brendshëm nuk është polic. Saimir Tahirit i dukej vetja polic dhe sillej si drejtor i përgjithshëm i Policisë.
Në tagrin e ministrit të Brendshëm janë vetëm propozimi për drejtorin e përgjithshëm dhe emërimi i zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të Policisë. Të gjithë emërimit e tjera në Polici i bën drejtori i përgjithshëm i Policisë. Mjafton kjo për të kuptuar derexhenë ku ka përfunduar ky shtet i telefonit dhe propagandës. Në bazë të nenit 4 të ligjit 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, policia është depolitizuar.
Sipas nenit 5/dh (parimet e ligjshmërisë) “paanshmëria politike” është kusht për çdo punonjës policie.
Sipas nenit 90 punonjësi i policisë ndalohet të jetë anëtar partie ose organizate politike, të marrë pjesë në fushatë, etj. Më e pakta që duhet të mësojmë sot nga njoftimet e Policisë (të mbushura përditë me lajme ordinere të parëndësishme), është pezullimi nga funksionet policore të agait polic të Dibrës. Pastaj duhet të veprohet me procedurat e përjashtimit nga policia dhe ndjekjes penale për shpërdorim detyre.
Nëse kjo nuk ndodh, e gjithë kupola e Policisë është përgjegjëse. Po ashtu DSIK duhet t’i heqë certifikatën e sigurisë, deputetëve të komisionit të sigurisë që për gjëra kaq të vogla shkelin ligjin. Lëre pastaj çfarë të bëjnë këta për çështje të tjera, të hedhin shtetin të gjithë në erë.