Thirrja për zgjedhje të parakohshme, Ramës i vjen edhe nga brenda parlamentit

E Enjte, 20 June 2019 12:33

Deputeti i opozitës në Kuvend, Lefter Maliqi, i ka cilësuar një turp dhe skandal përgjimet e reja të “Bild”, duke u shprehur se maja e Ajsbergut të krimit elektoral doli hapur në blerje votash. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Maliqi deklaroi se “peshqit e mëdhenj” ndodhen në Kuvend, ndërsa burgjet, sipas tij, janë mbushur me njerëz të varfër.

Më tej, ai sulmoi dhe kryeministrin Edi Rama, teksa u shpreh se pas përgjimeve të “Bild”, po sillet si një vrasës e kriminel. Këtu, Maliqi kujtoi kohën kur ishte drejtor i Burgjeve, teksa deklaroi se ka arrestuar shumë vrasës e kriminelë, të cilët silleshin sikur nuk kishin bërë asgjë.

“Nuk di nga ta fillosh, nga përgjimet, drejtuesit e policisë që janë të politizuar, nga prokurorët, nga pazaret e deputetëve dhe bandave. Bëni një listë të drejtorëve të përgjithshëm, që janë të gjithë të Rilindjes dhe janë të kapur. Ka më turp e skandal që maja e ajsbergut të këtij krimi elektoral doli hapur, sesi blihen votat. Vetëm ish-ambasadori amerikan ngriti zërin dhe disa banda janë sot brenda.

Peshqit e mëdhenj janë këtu në Kuvend. Po të bëni një vizitë në burgje, burra dhe gra të futur në burg për energji elektrike, janë mbushur burgjet me njerëz për vjedhje e pak drogë, ndërkohë që bandat e vrasësit me pagesë janë jashtë. Vrasjet e mëdha, si e Santos që ka zënë pluhur, e shumë vrasje të tjera janë në drejtim të paditur.

Unë të dashur qytetarë jam me ju, për një revoltë, për të rrëzuar sistemin e ngritur që më 2008. Kam ndaluar e arrestuar shumë kriminelë, si ish-drejtues policie, dhe silleshin sikur nuk kishin bërë krime e vrasje. Kështu sillet edhe Rama, pas përgjimeve të “Bild”. Duhet të ngrihemi, të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ka ardhur momenti i një ngritje të fuqishme”, deklaroi Maliqi.

Login to post comments