Ambasadori Bernd Borchardt, i konvertuar në një rilindas si Rama dhe Balla, po vazhdon me lojën e tij pro qeverisë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i ka bërë thirrje ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë Bernd Borchardt, që të reflektojë dhe të mos mbështesë lëvizjen, sipas tij antikushtetuese të kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar zgjedhje në 30 Qershor. Nard Ndoka thotë se është momenti që kreu i OSBE të ngrihet në lartësinë e detyrës që mban, dhe të mos bëhet palë me aventurat e Edi Ramës.
“Z.Ambasador, a të vjen turp?! Ambasadori i OSBE-së nuk njeh dhe nuk respekton Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë! Ambasadori i OSBE-së nuk bën thirrje për ndërprerjen e punës në KZAZ, pasi zgjedhjet ligjërisht nuk do të mbahen më 30 Qershor. Ambasadori bën thirrje për vazhdimin e punës, injoron protestat qytetare, provokon opozitën, fyen Presidentin e Republikës me veprimet dhe deklarimet e tij publike.
Ambasadori nuk flet, kur mediat ndërkombëtare flasin për krimin elektoral në Shqipëri, përkundrazi gjen momentin dhe i fut ndonjë xhufkë për të tërhequr vëmendjen. Ambasadori nuk flet, kur Policia e Shtetit godet qytetarët shqiptarë me gaz helmues, kur ata protestojnë për lirinë e tyre, përkundrazi i bën thirrje qytetarëve që të përmbahen. Ambasadori, as nuk skuqet, as nuk zverdhet, as nuk i vjen turp, që institucioni që përfaqëson është bërë palë në aventurën politike të Edi Ramës.
Zoti Ambasador, përmendu, kthjellohu, reflekto, drejtohu politikës shqiptare, drejtohu Kryeministrit, Liderit të Opozitës, respekto institucionin e Presidentit të Republikës. Ne akoma kemi besim tek Ju dhe institucioni që ju përfaqësoni në Shqipëri, në OSBE! Po ju presim!” shkruan ai.