Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se protesta e sotme e opozitës së bashkuar do jetë masive dhe spektakolare.
Ai i bëri apel Policisë së Shtetit të mos provokojë qytetarët, pasi në të kundërt, situata do të dalë jashtë kontrollit. Demokrati akuzoi kryeministrin, Edi Rama, ndërsa shtoi se ai çdo ditë provokon shqiptarët përmes një gjuhë të pakontrolluar.
“E gjithë Tirana do të jetë në rrugë dhe rrugët do të gumëzhijnë nga njerëzit që nuk pajtohen me krimin. Pra, e mbushur me njerëz që duan të jenë si evropianët e tjerë. Protesta do të jetë madhështore. Çdo protestë e opozitës ka qenë paqësore. Policia ka nxitur dhunë dhe ka provokuar. Retorika e kryekriminelit vijon të provokojë qytetarët dhe ato kanë arritur në një pikë vlimi dhe nuk do të durojnë më.
Unë shpresoj të mos ketë asnjë incidet. Policia të mos i provokojë protestuesit. Ai burgos njerëz të PD në Prrenjas dhe në Librazhd. Sot jemi kthyer në diktaturë. Ne iu bëjmë thirrje qytetarët të protestojnë paqësisht dhe të bëjnë thirrje për një Shqipëri si e gjithë Europa”-tha mes tjerash, Endri Hasa.