Lali Eri ka hedhur rrjetën, vetëm për një peshk: Quhet Edi Rama!

Tuesday, 25 June 2019 17:48

Nga Poli Hoxha -

Që Edi Rama është i fiksuar që tu vërë shpatullat i vetëm fushatave elektorale, këtë tashmë e ka vërtetuar.

E bëri gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 duke ushtruar mjeshtërinë e oratorisë nëpër sheshet e Shqipërisë dhe ja arriti që nëpërmjet batutave me tepsi dhe timon, ti vërë të gjithë në gjumë. Dremitnin opozita, shqiptarë e ndërkombëtarë, ndërkohë që mekanizmi kriminal i kurdisur një vit më herët në lokalet e Dibrës, po punonte vaj në të gjithë vendin.

Edhe kur shfaqet nga 3-4 herë në ditë, edhe kur të gjithë mendojnë se po pushon apo po merr ndonjë sy gjumë, Rama, është aktiv. Njësoj si koka e merimangës e cila nuk fle kurrë, por komandon këmbët që shtrijnë pa pushim fijet e rrjetës kudo.

Kështu, deri përpara pak kohësh. Ishte e vetmja mënyrë, për të qenë ai që ishte. Telefonata e tij me Keshin e Dibrës tregoi vetëm një mostër të asaj që ai bënte në vitet e tij të lavdishme, 24 në 24 orë.

Por tani, situata është krejtësisht tjetër. I çakërdisur në diskurs, mimikë e veshje, vetëm i rrethuar me forca speciale, gjithmonë nën himnin ‘Rama ik’ që i buxhet në kokë; gati sa nuk thërret; Më lini ta mbyll këtë histori, sepse po luaj vetëm për fatin tim personal e familjarë.

Për shumëkënd, në pamje të parë Edi Rama po funksiono edhe me rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit, njësoj si në fushatën e vitit 2017. Por këtë herë përveçse hallit personal që e ka të shkruar në ballë, brenda kampit të tij ka edhe diçka tjetër që po cedon fortë. Një mutacion ka shpërthyer.

Është i verbuar, idiot, apo po bën vetë sikur nuk e sheh?!

Asnjëra, por dhe të gjitha nga pak së bashku.

Nëse Edi Rama është i ndërgjegjshëm, se këtë herë po vërtitet nëpër Shqipëri me vetëm një qëllim; për të krijuar një alibi për fundin e tij politik, një individ tjetër i injektuar artificialisht prej atij vetë si virus në trupin e PS-së, po gjallon fuqishëm.

Mjafton të bësh një monitorim të shkurtër të ekraneve kryesore dhe do të vësh re fare lehtësisht se, Erion Veliaj, jo vetëm po e eklipson me shpejtësi ish-shefin e tij, por edhe po e vendos në një kontrast negativ të fortë.

Siç thamë më sipër Rama e ka të shkruar në ballë dhe dita-ditës gjithmonë e më pak po përpiqet që ta fshehë, se motivi i vetëm që e bën të mbajë gjallë fushatën nuk ka të bëjë më me pushtetin, por me fatin e tij personal. Se nuk po luan më si në vitin 2017 për të fituar gjithçka, por vetëm për të shpëtuar sa të mundet. Mbi të gjitha ka nevojë urgjente për të gjetur një ‘Deus ex machina’ me shpresën e fundit, se mund të dalë nga fusha e lojës (edhe pse kundërshtarët i ka përreth stadiumit), me këmbët e tija dhe jo me barelë.

Ka vetëm dy rrugë; të japë dorëheqjen përpara të dielës, ose të vazhdojë vrapin e çmendur drejt muri të 30 qershorit.

Këtë tashmë e dinë të gjithë brenda kupolës së Rilindjes, por edhe në atë PS që ka mbetur. Më në detaje e mbi të gjithë, e di Erion Veliaj.

Dhe ky i fundit e ka një plan i cili konsiston në shtegun e dytë, që i ka mbetur Ramës. Drejt tij po e shtyn, me çdo mënyrë dhe pa mëshirë.

Në funksion të këtij plani po shfaqet si një bombardues në çdo ekran, duke bërë sikur bën fushatë, për bashkinë e Tiranës. Por vini re!

Nëse Edi Rama në çdo veprimtari shoqërohet me dhjetëra e qindra policë për të bllokuar mijëra qytetarë që i zënë pusi kudo që lëviz, kjo nuk ndodh me Lali Erin. Rama nxiton që të mbarojë fjalimin e t`ja mbath sa më shpejt, sepse rreziku i turmave të mllefosura i rri gjithmonë përreth, Veliaj, e merr shtruar nëpër oborre shkollash e lëndina. I rrethuar me ‘punë të kryera’, lule, fëmijë, djem e vajza simpatike, pushton ekranet dhe e ka aq me nge, sa nis e rrëfen për ‘Shqipërinë e re socialiste’ pas 1 Korrikut.

E gjitha kjo në funksion të përhapjes së një perceptimi publik, të cilin Veliaj po e investon fortë veçanërisht brenda PS-së;

Lali Eri është ndryshe, është e ardhmja. Edhe ndërkombëtarët janë lodhur me konfliktualitetin që mbjell Edi Rama; ai e mbylli ciklin; mezi del edhe nga shtëpia, gjithmonë me varganë eskortash policie, nuk e duan më; nuk vazhdohet më kështu, po na merr në qafë; PS mund të qëndrojë edhe 2 vite në pushtet e më gjatë nëse ai hap rrugë...

Kjo është vetëm atmosfera, për të cilën një meritë të veçantë në komoditetin e fushatës së Veliajt, ka edhe opozita.

Por kryesorja është plani i vërtetë, që po vë në zbatim Lali Eri. Duket qartë që po e nxit ish-shefin e tij, që ta çojë vendin drejt një përplasje tragjike civile. Këtë e bën duke e mburrur Ramën, si një ‘burrë shteti’ që nuk tërhiqet. Këto i thotë publikisht, sepse prapa perdes pëshpërit në veshin e duhur, te njeriu i duhur pranë Ramës, se vetëm një katrahurë e një ‘tërmet’ civil mund ta shpëtojë nga gijotina jo vetëm politike, por edhe pasurore.

Kur ky i fundit ka faza kthjellimi; kur arrin e mendon se është mbi të gjitha kryeministër dhe fatura i mbetet nominalisht atij, nxiton si këto 24 orët e fundit dhe sponsorizon zëra mediatik që të thonë, se ai vetë do që të tërhiqet nga 30 qershori, por e kanë urdhëruar SHBA dhe kancelari të tjera në Europë që të mos tërhiqet.

Por Veliaj është bërë së fundmi më bombardues se Rama në media, edhe pse nuk ka EVTV në Facebook. Në fjalimet e radhës të transmetuara direkt e pa limit kohor nëpër të gjitha TV-të kryesore, sa vjen e shton dozat e provokimit ndaj opozitës dhe lidershipit të saj. Nuk kursen as qytetarët, të cilët nuk kanë ndërmend për çfarëdolloj arsyeje që të refuzojnë 30 qershorin. Janë të zakonshme shprehjet e tij që përkthehen si ftesë për luftë civile; ta shohin ‘ata’ kush do të fitojë, Edi Rama është burrë.

Në mënyrë malinje amplifikon vendosmërinë epike të qeverisë dhe mazhorancës, për të shkuar me çdo kusht (edhe nëse ka përplasje mes qytetarëve) në votimet e 30 qershorit, por për këtë të gjitha ‘meritat’ i ka vetëm një njeri; Edi Rama.

Dhe duket se po ja arrin qëllimit. Po përse e bën Lali Eri këtë, vetëm për bashkinë e Tiranës?!

Kushdo që e njeh mirë, e di që ai që nga koha kur ndihmoi sa mundi Ramën për ti zënë vendin Fatos Nanos në krye të PS-së, e ka pasur një ëndërr që po shndërron sot në këto kohë të trazuara në një plan të detajuar. Meqenëse nuk shquhet për bagazh dhe fantazi, po kopjon pak a shumë Edi Ramën në mënyrën se si hoqi qafe Nanon e më pas uzurpoi PS-në. Por kjo vetëm në metodologji; kryetar bashkie i Tiranës, grupazhe brenda partisë e qeverisë dhe me radhë...

Vetëm se kushtet dhe rrethanat sot janë shumë më ndryshe, ndaj edhe fati i Ramës nëse realizohet ky plan, nuk ka për të qenë si ai i Nanos që përfundoi në pjacë të Vienës.

Edhe nëse ka përplasje civile në 30 qershor, edhe nëse bëhen votime të qeta monopartiake, e sigurt është që Edi Rama ikën dhe Erion Veliaj del i fituar. Në variantin e parë drejt të cilit po shtyn me shpejtësi Veliaj, ikja e Ramës është më e shpejtë dhe më e tmerrshme. Në të dytin kemi, vetëm një zgjatje të agonisë. Sido që të shkojë, Lali Eri, kap bashkinë e partinë. Veç e veç, ose përnjëherësh si Rama dikur, nuk ka shumë rëndësi. Ai tashmë e ka hedhur rrjetën në gjol dhe të gjithë e dinë, se aty ka vetëm një peshk për tu kapur e tiganosur; Quhet Edi Rama!

Imagjinoni të shkretën PS, nga Rama në duart e Lali Erit!

Login to post comments