PD dënon procedimet penale ndaj kryebashkiakëve: Veglat e Ramës në polici e prokurori do përgjigjen

E mërkurë, 26 June 2019 17:14

Partia Demokratike dënoi shantazhin që po u bëhet kryebashkiakëve demokratë duke i thirrur në polici dhe u hapur procedim penal për deklaratat që bëjnë pro zbatimit të dekretit të Presidentit të Republikës, dekret i botuar në fletore zyrtare. 

Sekretari i Pergjithshem i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, në një deklaratë për mediat foli për procedimet penale të dy kryebashkiakëve demokratë Fran Frrokaj dhe Agron Kapllanaj për pengim të zgjedhjeve dhe nxitje për dhunë.

Bardhi e cilësoi këtë këtë akt provokim të fortë, ndërkohë që theksoi se se do të jenë në këmbë së bashku me qytetarët dhe do të ndalin zgjedhjet e 30 Qershorit.

DEKLARATA E PLOTË:

Tentativës së dështuar për të kryer votime moniste dhe të paligjshme, Edi Rama po i shton edhe tentativën për të rikthyer në Shqipëri dënimin e kundërshtarëve politikë për agjitacion e propagandë.

Kushdo që nuk mendon si ai, kushdo që refuzon farsën kriminale dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, kushdo që nuk bëhet pjesë e grushtit të shtetit që po realizon, procedohet nga Policia dhe Prokuroria e tij e kriminalizuar me urdhër politik.

Procedimi penal i Kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe Kryetarit të Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj, pse ato mendojnë ndryshe nga Edi Rama dhe kanë deklaruar se do të zbatojnë Dekretin e Presidentit, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe një akt i fortë provokimi ndaj opozitës.

Partia Demokratike ka treguar deri më tani vetëpërmbajtje. Partia Demokratike ka treguar deri më tani përgjegjshmëri, për të ruajtur rendin kushtetues dhe stabilitetin demokratik të vendit. Partia Demokratike nuk ka rënë pre e provokimeve kriminale të Edi Ramës dhe banditëve të tij me unifromë. Por ne as nuk shantazhohemi, as nuk trembemi, as nuk tolerojmë dhe as nuk harrojmë.

Kryetarët e Bashkive që drejtohen nga opozita, janë në ushtrim të përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ata do të vazhdojnë t’i binden vetëm ligjit.

Asnjë presion nuk i tremb. Asnjë procedim nuk i ndal. Në 30 Qershor ligjërisht nuk ka zgjedhje. Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri është vetëm Edi Rama dhe banda e tij.

Aktet dhe veprimet kundër qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës, si këto kundër kryebashkiakëve Frrokaj dhe Kapllanaj, do të marrin përgjigjen e merituar.

Kushdo që po përdoret si vegël represioni ndaj opozitës, me apo pa uniform, do të përgjigjet ligjërisht dhe personalisht, për sulmin që po i bën opozitës dhe qytetarëve, për llogari të pushtetit kriminal të Edi Ramës.

Nuk do të ketë asnjë zgjidhje të krizës pa u pushuar të gjitha procedimet politike për pjesëmarrje në protestë apo për zbatimin e Dekretit të Presidentit, që bëjnë veglat e Edi Ramës ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës.

Ne jemi në këmbë, së bashku me qytetarët, për të ndaluar krimin elektoral të Edi Ramës në 30 Qershor! Shqiptarët janë të vendosur të mbrojnë demokracinë dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre!

Modifikuar më E mërkurë, 26 June 2019 17:29
Login to post comments