Ministri i Brendshëm i Italisë Matteo Salvini, ka rrëfyer ditën e sotme në një konferencë për mediat, se ka folur me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta për krizën politike.
Salvini shprehet gjatë deklaratës së tij, se kryeministri i Shqipërisë po bën zgjedhje vendore vetëm me partinë e tij.
Kam biseduar edhe me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, pasi të dielën Shqipëria rrezikon shumë, sepse është një përplasje që mund të shkojë në një përplasje civile, siç është parë edhe në javët e fundit.
Janë duke u mbajtur zgjedhje vendore nga ana e kryeministrit, të cilat janë anuluar nga presidenti i Republikës. Janë tërhequr partitë e opozitës dhe në to merr pjesë vetëm Partia Socialiste që është në qeveri dhe jam duke kërkuar që të komunikoj me të gjitha palët për të evituar një përplasje sepse Shqipëria është partnere kulturore, ekonomike, komerciale me Italianë.
Por jo vetëm, duhet të kujtojmë njerëzit që emigrojnë dhe këtu duhet që të kujtojmë skenat e viteve ’90 dhe nuk do doja që të ktheheshin, pasi kemi mjaft probleme dhe nuk do donim që të shkonim në fronte të tjera’, tha sot Matteo Salvini gjatë deklaratës së tij.