Ambasadori i BE, Luixhi Soreca, diplomatit që doli garant se këto votime janë normale, sot është vënë përballë faktit të kryer të një procesi farsë.
Ai ka qenë në një qendër votimi në Tiranë, ku praktikisht nuk kishte asnjë votues. Jashtë qendrës së votimit, një grup të rinjsh në mënyrë simbolike ironizonin votimet si në kohën e Enverit, duke thirrur “Parti Enver”.
I pyetur nga “Ora News”, se çfarë mendonte për procesin, Soreca tha se “Jam vetëm një vëzhgues”. Në fakt, ambasadori i BE nuk është vëzhgues, është organizator i zgjedhjeve të tilla bashkë me Edi Ramën.
I pyetur nëse në Itali, vendin e tij, do të zhvilloheshin zgjedhje të tilla, ai do të merrte pjesë, Soreka nuk u përgjigj dhe u shmang nga gazetarët. Heshtja e diplomatit ndaj një pyetje mëse normale tregon se çfarë procesi po zhvillohet në Tiranë. As ata që e organizuan nuk pranojnë as ta imagjinojnë në vendet e tyre.