Një muaj pasi partia e krahut të majtë Siriza pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, duke dalë e dyta pas konservatorëve të Demokracisë së Re në opozitë, si dhe humbi njëkohësisht zgjedhjet vendore, rreth 10 milionë grekë do t’u drejtohen të dielën qendrave të votimit për të zgjedhur 300 përfaqësuesit e tyre në parlament.
Kryeministri Alexis Tsipras, i cili erdhi në detyrë në 2015-ën, reagoi ndaj humbjes së partisë së tij duke thirrur zgjedhjet e parakohshme.
Në mitingun e fundit të fushatës të mbajtur të premten, Tsipras u përpoq të paralajmëronte votuesit se çfarë po luhej në zgjedhje, duke theksuar se partia kryesore opozitare Demokracia e Re nuk duhet të besohet.
“Ne nuk do t’i japim sërish çelësat e thesarit atyre që falimentuan vendin. Nuk do t’i lejojmë më ata që e çuan vendin në humnerë të jenë pas timonit. Populli grek është thirrur të dielën jo vetëm të votojë por edhe të parandalojë një krim të madh ndaj gjeneratave të ardhshme, – u tha Tsipras mbështetësve të partisë së tij, në sheshin Sintagma të Athinës.
Këto janë zgjedhjet e gjashta që nga kriza botërore financiare e vitit 2008 e cila pati pasoja të rënda në ekonominë e vendit. Në to marrin pjesë 20 parti, megjithatë sipas sondazheve Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis është para.
Mitsotakis, 51 vjeç është djali i ish kryeministrit Konstantinos Mitsotakis, si dhe ish kryebashkiakes së Athinës që më vonë u bë ministre e Jashtme, Dora Bakojani, raporton RTSH. Zyrtarisht thuhet se Kyriakos është djali i Konstantinos dhe Marika Mistotakis, por në mediat dhe opinionin grek thuhet gjerësisht se ai është fryt i lidhjes së Konstantinos me Dora Bakojanin.
Për Micotaqis, zgjedhjet e së dielës do të jenë si një kapitull i ri në historinë e vendit. Në një fjalim para mbështësve të tij ai është zotuar se do të ringjallë klasën e mesme që është shkatërruar nga të majtët e Sirizës, politikën ekonomikë të të cilëve ai e ka quajtur shkatërruese për vendin.
Vazhdimisht në deklarime publike, Micotaqis ka folur me tone të ashpra ndaj shqiptarëve duke paralajmëruar pengesa nga Greqia për çeljen e negociatave. I ashpër është ai dhe me emigrantët duke shprehur rezerva për ekzistencën e tyre në Greqi, ndryshe nga Cipras i cili legalizoi shumë emigrantë sidomos nga Shqipëria si dhe dha fonde financiare dhe lehtësira fiskale për ta.
Micotaqis i parë mbahet mend mirë nga shqiptarët pasi kur ishte në pushtet në vitet ’90, organizoi operacionin famëkeq "Fshesa" posaçërisht kundër shqiptarëve.