Shkrimtarja e njohur, Flutura Açka, ka reaguar e revoltuar pas sulmit me gurë ndaj makinës së analistit Fatos Lubonja.
Përmes një mesazh në “Facebook”, shkrimtarja shkruan se edhe atë e kanë lënduar shpesh, deri duke e trazuar te humbja e djalit, pse ka thënë atë çfarë mendonte.
Sipas saj, pa fjalën e lirë, pa “armikun e bukur”, çdo demokraci vdes. Më tej, ajo thekson se makina e Lubonjës është dhunuar, sepse nuk bën kompromis me fjalën e tij.
“Armiku i bukur”! Çfarë hendeku mes bukurisë shqiptare dhe sjelljes sonë shqiptare. Makina e Fatos Lubonjës e dhunuar sepse nuk bën kompromis me fjalën e tij, gazetarë të kërcënuar që i ikin Shqipërisë përditë, censurë një emisioni investigativ pse thotë të vërtetën, protestues të lirë të Teatrit, dhe jo vetëm, që thirren barbarë. Jam e sigurtë që pas një shkrimi të shkëlqyer që lexova sot nga Mustafa Nano mbi lehtësinë e papërballueshme të një imami, mund ta ndjekë ndonjë fatëa alla shqiptare.
Mua vetë shpesh më kanë lënduar – deri duke më trazuar te humbja e djalit – pse kam thënë çfarë kam menduar. Si do të bëjmë demokraci me ligje kundër fjalës së lirë?! Vite të shkuara kur “Corriere della Sera” ishte në prag falimentimi, qeveria italiane ndihmoi financiarisht në ringritjen e saj, sepse, pa fjalën e lirë, pa “armikun e bukur” çdo demokraci vdes. Ne, shqiptarët, se si po bëhemi, “armiq” të pabukur të demokracisë sonë.