Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00, ku u shpreh se 30 qershori ishte një farsë dhe nëse do të vazhdohet me të njëjtën mënyrë nga mazhoranca, e ardhmja e vendit do të jetë shumë e rrezikshme.
Ai theksoi se vendi po rrezikon të përfundojë në despotizëm lindor.
“30 qershori nuk ka ikur, por është një njollë e zezë në historinë e Shqipërisë, një farsë. 30 qershori është në vazhdën e instalimit të grushtit të shtetit, i cili ka filluar me shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese, me mbushjen e Parlamentit dhe kulmoi me farsën e 30 qershorit. Opozita, PD, në vazhdën e qëndrimit të saj në mbrojtje të votës së lirë, një ditë më parë zhvilloi një protestë që dha vendosmërinë e opozitës. Ndryshe, Shqipëria rrezikohet të përfundojë në një despotizëm lindor, krejtësisht të ndryshëm nga ajo që ne kemi luftuar që prej vitit 1990”, tha Shehu.